BARDH SPAHIA: Kërkesa për mbledhjen e të dhënave personale me urdhër të mbërritur nga zyrat e Kryeministrit…

0
154

Partia Demokratike ka vendosur të padisë në Prokurorinë e Përgjithshme kryeministrin Edi Rama, ministren e Arsimit, Lindita Nikolla dhe atë të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Padia e PD-së është bërë pas urdhrit të dalë nga ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë për të mbledhur të dhënat personale. Albana Vokshi dhe Bardh Spahia kanë dorëzuar gjatë paradites së djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme padinë penale për mbledhjen e paligjshme të të dhënave personale të qytetarëve. Pas denoncimit të PD-së, këto dy institucione i tërhoqën këto urdhra, por demokratët kanë vendosur që ti padisin institucionet.

Intervista

Deputeti i Partisë Demokratike, i cili ishte edhe në momentin e dorëzimit të padisë, në një intervistë ekskluzive për Standard foli rreth detajeve që dërguan Grupin e PD-së të ndërmarrë këtë nismë. Përsa i përket faktit nëse Prokuroria do të bëjë apo jo siç duhet punën e saj, Spahia tha se kjo mbetet për t’u parë, por njëkohësisht, e citoi padinë edhe si një mundësi të Institucioneve për të treguar se kanë sadopak pavarësi.  Në përfundim te intervistës deputeti i PD-së i bëri thirrje të gjitha strukturave të shëndetësisë të mos bëhen pjesë e kësaj nisme antikushtetuese, pasi do të përballen me ligjin.

 

GAZETARE: Aida Topalli

 

Dorëzuat në Prokurorinë e Përgjithshme një padi ndaj Kryeministrit Rama, ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Cilat janë detajet e kësaj padie?

 

Siç e dinë tashmë të gjithë shqiptarët, pasi ne dolëm me një denoncim dhe deklarata publike, për një iniciativë të dy ministrive, asaj të Arsimit dhe Shëndetësisë, të cilat cënonin rëndë të drejtën e privatësisë për qytetarët shqiptarë. Sigurisht, ky problem bëhet akoma edhe më shqetësues kur shikohet qartë që kjo inicativë ishte ndërmarrë nga zyra e Kryeministrit të vendit, i cili ngarkonte strukturat e ministrisë së Shëndetësisë dhe të ministrisë së Arsimit, për të marrë në mënyrë të fshehtë informacione të të dhënave personale për prindërit e nxënësve, në rastin e MA, apo për të dhëna tërësisht personale të pacientit nga ministria e Shëndetësisë. Në një shkresë të datës 27 prill të 2018 ku me anë të një e-maili i drejtohej të gjithë drejtorëve të shëndetësisë në rrethë dhe ku u kërkonte që me porosi të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të kërkesës së ardhur nga kabineti i Kryeministrit për mbledhjen dhe plotësimin e database-s të pacientëve që marrin shërbim në qendrat shëndetësore. Duke ju kërkuar që të ndërmerrnin masa të menjëhershme për vendosjen e një personeli për të marrë dhe për të regjistruar të dhënat personale për këto pacientë. Sipas një formati të caktuar këto të dhëna do të hidheshin në kompjuter dhe do të mbaheshin në regjistra e që pastaj do të kthehej në Ministrinë  eShëndetësisë, për t’ia dërguar më pas zyrave të Kryeministrit.

Për fat të keq bëhet fjalë për një shkelje shumë të rëndë të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë, që është mbledhja e të dhënave personale, e cila nuk është e mbështetur në asnjë ligj të Kushtetutës së Shqipërisë. Ashtu siç ishte cituar edhe në e-mailet e dërguara, kërkesa na rezultoi e provuar, e theksoj sërish, e iniciuar nga zyrat e Kryeministrit. Prandaj edhe ne e konsideruam këtë një ide të iniciuar në një skenë totalisht të paligjshme. Kryeministri Edi Rama, në bashkëpunim me ministret e tij, Nikolla dhe Manastirliu kanë marrë një akt antikushtetues i cili cënon dhe dhunon rëndë të drejtat e Njeriut dhe konkretisht të Drejtat e të Dhënave Personale. Kjo është arsyeja dhe këto janë detajet e kësaj paditjeje penale.

 

A medoni se Prokuroria do të bëjë siç duhet punën e saj? A keni ju besim?

 

Unë mendoj se në një shtet demokratik është detyrë e gjithësecilit, për më tepër e personazheve publikë ose edhe zyrtarëve të shtetit, të denoncojnë raste të shkeljes hapur të të drejtave të qytetarëve, në organet kompetente. Ishte pikërisht në frymën e mbrojtjes së një të drejte themelore të qytetarëve shqiptarë, nisja e këtij denoncimi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, që u përcoll përmes znj. Albana Vokshi dhe meje, në zyrat e Prokurorisë së Përgjithsme. Ne tashmë e kemi provuar dhe faktuar qartë shkeljet që  janë bërë. Në rastin e Ministrisë së Shëndetësisë këni patur rastin të dëgjoni deklaratat tona dhe më pas një sqarim anemic nga  Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e cila nuk argumentonte arsyen epërse ishte ndërmarrë një hap i tillë, duke hedhur edhe më tepër dyshimin se një iniciativë e tillë, ishte një akt i ndërmarrë thjesht për arsye elektorale, në kundërshtim të plotë me ligjet që parashikojnë Ruajtjen e të Dhënave Personale të qytetarëve shqiptarë dhe Kushtetutën.  Unë mendoj se është për tu parë. Organet e Prokurosrisë kanë rastin për të treguar që kanë sadopak pavarësi. Duhet në radhë të parë të bëhen garantë të një të drejte themelore që është ajo e Ruajtjes së të Dhënave Personale, kur ato merren pa aprovimin qoftë të qytetarëve shqiptarë apo rregullave dhe ligjit në fuqi. Kjo ka qenë një shkelje e hapur, por mbetet për tu parë cila do të jetë qasja e organeve kompetente. Sigurisht ne kemi ndërmarrë hapin tonë, i bazuar thellësisht në principin e mbrojtjes themelore të qytetarëve shqiptarë.  Si përfundim dëshiroj t’i bëj thirrje të gjitha strukturave shëndetësore, personelit shëndetësor të mos iu binden këtyre urdhërave antikushtetuese dhe antiligjore të dala nga zyra e kryeministrit Rama. Është absolutisht antikushtetues dhe thellësisht antiligjore përdorimmarrja e këtyre të dhënave pa dijeninë dhe autorizimin e qytetarëve. Prandaj edhe njëherë ju bëj thirrje të mos bëhen pjesë e kësaj vepre antikushtetuese, pasi do të përballen me ligjin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here