Kur shkrimet “arabisht”, lexohen “arbërisht”!…

0
191

Nga Feti ZENELI

Artikulli i “Mother Jones” për përdorimin “antikombëtar” të Bashës nga rusët dhe zhurma jonë politiko-mediatike rreth kësaj çështjeje, duke lënë në harresë probleme vërtetë të rëndësishme për vendin dhe shoqërinë shqiptare, si krimi, droga, varfëria, korrupsioni, integrimit, etj., më nxitën t’ju hedh një sy, edhe disa “sure”-ve të “Kur’an”-it për shkrimin, leximin dhe betimin. Brenda tekstit kuranor të “sure”-ve gjen “vargje” të tilla si: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni…”, “Betohem për penën dhe për atë që shkruaj…”, “Së shpjeti do të shohësh, por edhe ata do të shohin, se kë prej jush ka prekur marrëzia…”, “Lexo me emrin e Zotit tënd…”, që “…me anë të penës ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte…”, se ai “… shkel çdo cak, kur mendon se është i vetmjaftueshëm”, “mos u betoni! Ju kërkohet bindja dhe jo betimi…”, e kështu me radhë.

Pa dashur të rreshtohem politikisht apo të shqetësohem po kaq shumë edhe mediatikisht në “leximin” e pasojave “destabilizuese” dhe “dezintegruese”, që nënkuptohen në shkrimin e revistës amerikane, do t’i referohem analizës dhe logjikës së fakteve, për të parë realisht, se “…cili është shmangur nga rruga e Zotit (e të Vërtetës)”, pasi vetëm Ai (Ajo) “i njeh mirë ata që janë (dhe ata që s’janë) në rrugën e drejtë”. Ndonëse duket sikur bashkojmë në mënyrë të sforcuar ngjarje dhe “qarje” me qëllime krejt të ndryshme, e vërteta është se ato ngjajnë si dy pika ujë me njera-tjetrën, të marrë nga ena politike e shpëlarjes së pandjeshme të vlerave dhe karaktereve njerëzore. Në të gjitha rastet, qoftë përtej apo përkëtej Atlantikut, objekt i sulmit me një gjuhë “indo-evropiane” në dukje, bëhet kreu demokrat, z. Lulzim Basha, një politikan i stilit dhe modelit perëndimor, i cili u vendos në krye të PD-së në një moment të vështirë të saj, pas humbjes disa-planëshe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Është fakt i pamohueshëm, që sulme të tilla, përgjithësisht të padrejta, nuk kanë rreshtuar asnjëherë gjatë këtyre 4-5 viteve, që z. Basha po drejton Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare. Nga ana tjetër, fakti që këto sulme të ashpra politike apo “shkulje flokësh” e “çjerrje faqesh” mediatike, ndodhin në një kohë që jetën tonë demokratike e ka tronditur kapja, jo shumë ditë më parë, e 613 kg kokainë kolumbiane në Portin e Durrësit, përveçse e kompromenton rëndë “të drejtën” e sulmit, bën njëkohësisht, që të prevalojë “betimi” para “bindjes”.

Të ndalemi fillimisht tek artikulli i “Mother Jones”, i kësaj mediaje të majtë, në pronësi të Fondacionit për “Përparimin e Kombit” (amerikan), e cila gati një vit pas nisjes së protestave opozitare më 18 shkurt 2017 për votën e lirë, kujtohet për financimet ruse në “llogaritë amerikane” të Partisë Demokratike, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë dhe krejt rajonit ballkanik. Logjikë normale, që ta besojë këtë lloj “internacionalizmi” sorosian për llogari të nacionalizmit arbëror dhe më tej, nuk ka. Shtrohet pyetja: Ç’interes kishte PD-ja të destabilizonte vendin, në një kohë që po përgatitej për të marrë pushtetin? Mbase një gjë të tillë, mund ta besojnë vetëm ata individë, që në ’97-ën thoshin se, “Berisha i hapi vetë depot e armëve për të destabilizuar vendin”, ndërkohë që ai ishte në pushtet. Ndërkohë, ky lloj artikulimi qëndron vetëm nëse absurdi i veprimit të prerjes së degës së pemës ku ti je ngjitur, mund të quhet “i drejtë”!? Fakt është se dhe atëherë flitej për lidhje ruse e sllave, ndonëse Berisha ishte në dijeni të “lobimit” që bëhej përtej Atlantikut, për pavarësinë e Kosovës prej ish-Jugosllavisë. Megjithatë, nëse duam të jemi të drejtë e të paanshëm, ky fakt sado i vërtetë që të jetë, nuk na ndihmon aspak të besojmë dhe ç’ka flitej nën zë atëherë, për ndihmën dhe përgatitjen ilegale të UÇK-së në Shqipëri. Nga ana tjetër, po amerikanët, pranë të cilëve lobohej, në të dyja këto raste, kaq syleshë ju duken “nënave” mediatizuese të “birësimeve” destabilizuese? Por le të mos shtrihemi kaq gjatë në kohë, për të analizuar dhe pak më gjerë këtë rastin e fundit; pra investigimin “sorosian” për “destabilizimin” ruso-sllav në Shqipëri e Ballkan. Të parët, që nuk duhej ta besonin një përrallë të tillë, duhej të ishin, pikërisht kundërshtarët politikë të Bashës, për shkak të marrëveshjes së 18 Majit, që ai bëri me kreun socialist, i cili ishte kryekëput një akt i pastër stabilizues për situatën parazgjedhore në vend e rajon. Por, çuditërisht ata po marrin flamurin e sulmit të ekzagjeruar mediatik e politik kundër Bashës, madje duke i përforcuar edhe më tej “akuzat” e “Mother Jones”, me shpifje dhe trillime të stilit bolshevik. Pastaj, a ka ngjarje reale në këtë rast, pasi shkrimi i revistës amerikane nuk mund të quhet ngjarje. Ai është thjeshtë publicistikë, është krijim, është fantazi. Kësisoj, shkrimi në fjalë nuk mund të quhet as dhe një akt konkret i miqve ndërkombëtarë, në mbrojtje të interesit tonë kombëtar. Përkundrazi mund të konsiderohet një veprim që i shërben përçarjes dhe jo bashkëpunimit të faktorëve politik në vend, siç po ndodh realisht, duke kaluar nga një sherr për shkaqe reale, siç ishte ai që nisi mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare, pas kapjes, këto ditë, në Portin e Durrësit të 613 kg kokainë kolumbiane, me një sherr për ngjarje imagjinare, sipas asaj që  përshkruhet në artikullin e revistës amerikane “Mother Jones”. Madje, siç ndodh rëndom tek ne, imagjinarja po gjen më shumë përkrahje se sa realja, edhe nga që pjesa më e madhe e medias në vend po investohet fuqishëm për të vënë “me shpatulla pas muri” në faqet e gazetave apo ekranet e televizioneve kombëtar e lokal, pikërisht “personazhin” e ngjarjes së fantazuar; pra atë të shkrimit, dhe jo personin e ngjarjes së faktuar të drogës e krimit.  Kaq shumë u ngrit zëri i denoncimit politiko-mediatik ndaj kreut demokrat, si autor i “destabilizimit” imgjinar të vendit dhe rajonit tonë, sa që zgjoi e bëri për vete edhe ragimin e kundërshtarëve të tij brenda PD-së, që s’ishin ndjerë qysh nga vera e vitit të shkoi. Edhe ata i këshilluan Bashës, që të rrëfehet për mëkatet, të cilat ka dashur t’i bëjë “socializmës dhe komunizmës” në Shqipëri.

Vetëm kështu mund të spjegohet riaktivizimi i njëkohshëm me “Mother Jones” i grupimit anti-Basha, pas një pauze disa mujore, qysh nga vera e vitit të kaluar. Edhe këta “të brendëshmit”, flasin për “…një projekt të zi të Lulzim Bashës…” për ta kthyer Partinë Demokratike “…në një biznes privat”, ashtu siç shkruajnë e thonë edhe “të jashtëmit” e “Mother Jones” për vendin e rajonin tonë. Pra, termat e gjuhës akuzuese janë të njëjta në të dy rastet. Ndryshimi i vetëm është se, ndërsa në artikullin e revistës amerikane flitet për “destabilizimin e Shqipërisë”, në artikulimin e grupit të “Lëvizja për ringritjen e PD-së”, bëhet fjalë për “shkatërrimin e Partisë”. Po, për të qenë të paanshëm edhe në këtë rast, le t’i referohemi analizës dhe logjikës së fakteve apo “leximit kuranor” të tyre. Qëllimi është që të dalë në dritë e drejta dhe e vërteta, përtej vështirëve që krijon militantizmi i verbër politiko-mediatik për t’i fshehur ato në tymnajën e retorikës, duke filluar me humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Pikërisht këtë fakt përdorin kundërshtarët e Bashës për ta akuzuar atë si shkaktarin e vetëm të “shkatërrimit të Partisë Demokratike”. Siç dihet, PD mori në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës gati 200 mijë vota më pak se sa në zgjedhjet e 2013-ës. Ndërkohë institucione vendase dhe të huaja, në analizat dhe raportimet e tyre kanë renditur një sërë shkaqesh për humbjen PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duke përmendur, midis të tjerash, blerjen e më shumë se 20 për qind të votave dhe emigrimin e afro 300 mijë shqiptarëve. Duke i mbledhur këto dy shuma delë një shifrër mbi 500 mijë vetë. Sikur vetëm gjysma e tyre të jenë votues të PD-së, le që janë mbi 70-80 për qind, rezulton një humbje mbi 20 deputetë. Nga ana tjetër, për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, përveç kryetarit, që nuk ishte deputet i legjislaturës së kaluar, ka përgjegjësi edhe Grupi parlamentar i PD-së, që doli nga zgjedhjet e vitit 2013. Por grupimi “anti-Basha” i këtij grupi parlamentar ishte ngjizur qysh në momentin e zgjedhjeve partiake, pas dorëheqjes së Sali Berishës, dhe duke përjashtuar znj. Jozefina Topalli, të tjerët ja kanë futur gjumit përgjatë 4 viteve në Parlament, për t’mos i hapur “punë financiare” vetes nga përballjet e mundshme politike me përfaqësuesit e mazhorancës. Dhe, si të mos mjaftonte ky “duel i heshtur”, kur s’e panë emrin në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit, ata nuk e përmbajtën dot më veten.

Nga ana tjetër, në mëngjesin e 27 qershorit, ndërkohë që nuk ishin numëruar as gjysma e fletëve të votimit, ishte z. Besnik Mustafaj që artikuloi ultimatumin e radhës për dorëheqjen e kryetarit Basha, si rezultat i humbjes së PD-së në zgjedhjet e 2017-ës. Po kështu, shprehje dhe artikulime të tjera, si, fjala vjen: “Basha është rrezik kombëtar”, “është sëmundja e Partisë Demokratike”, “ka shitur zgjedhjet”, etj., dolën pikërisht nga goja dhe shpirti i këtyre individëve, të mbushur me inate personale ndaj kreut demokrat. Njeri prej përfaqësueve më në zë të këtij grupimi e pohoi “live”, gjatë një daljeje publike në televizor, se “unë e kam personale me Bashën”. Natyrisht, që e kanë patur vetëm personale dhe aspak parimore, të gjithë ata përfaqësues të këtij grupimi, që i janë hakërryer dhe e kanë stigmatizuar me “libër shtëpie”, kreun demokrat, duke shkelur mbi moralin, etikën, kulturën dhe gjithçka të dëlirë, që lidhet me parimet e konservatorizmit të djathtë në platformën e ndërveprimit politik. Nga ana tjetër, nuk është as parimore dhe as burrërore, shmangja e pjesës së përgjegjësisë së gjithësecilit për humbjen në zgjedhje, me qëllimin për t’ja faturuar gjithëçka vetëm kreut të familjes së tyre politike. Ndërkohë kur mëson, se shumëkush prej këtyre “trimave pas kuvendi” është prekur nga virusi i “korrupsionit aktiv apo pasiv” në zgjedhjet e 25 qershorit, duke i kontribuar direkt ose indirekt fitores së kundërsharit politik, atëherë s’mund të flitet për parime morale, po për veprime e sabotime reale. Për të argumentuar një gjë të tillë, na vjen në ndihmë edhe IPR Marketing, cili në javën e parë, pas marrëveshjes së 18 majit, e paraqiti PD-në me një rritje prej 5 pikësh, nga 32 për qind, në 37,6 për qind. Këto shifra, jo vetëm përgnjeshtrojnë pretendimet e grupimit “anti-Basha” për marrëveshjen me Ramën dhe listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, si shkaqe të humbjes, por tregojnë masën e ndikimit të tyre në këtë humbje. Thirrjet dhe qëndrimet mosmbështetëse të përfaquesve demokratë të këtij grupimi, bëri që blloku i militantëve të tyre në bazë të rreshtoheshin në krah të atyre që s’do të votonin, duke e rritur këtë numër nga 26,7 për qind në 34.6 për qind, dhe duke e zbritur në të njëjtën masë numrin e atyre që do të votonin për Partinë Demokratike, për të shkuar tek afro 10 për qind në javën e fundit para ditës së zgjedhjeve në 25 qershor.

Si përfundim mund të themi, se politika e infekton të vërtetën, por jo deri në atë masë sa të rrezikoj shëndetin e saj, siç rezulton në shembujt e mësipërm, në epiqendër të të cilëve është opozita e Bashës, që përfaqëson shëndetin e demokracisë shqiptare. Nëse në një rast bëhet protagonist kundërshtari politik, në tjetrin “bashkëluftëtari” kritik. Nga ana tjetër, të dy palët pretendojnë, se i preokupon interesi i përgjithshëm i shoqërisë dhe i partisë si një asset i saj. Por “makina e së vërtetës”, apo analiza dhe logjika e ftohtë e fakteve, tregon tjetër gjë. Këtë lloj përfundimi s’e ndryshon aspak fakti, që shkrimet “arabisht”, pra nga e djathta në të majtë, lexohen dhe artikulohen “arbërisht”, apo me një gjuhë “indo-evropianishte”, për t’u dukur e prezantuar në formën e duhur. Zakonisht, leximet “arbërisht” të shkrimeve “arabisht” tek ne, ndodhin kur “spikerat” politikë e mediatik, vendosin syzat e interesit personal për të parë interesin e përgjithshëm, apo kur përpiqen t’na bëjnë, të besojmë përralltarët në vend të përrallave me “përdorime ruse” dhe “praktika uzurpuese”…

*Opinionet dhe komentet në “Standard” nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të gazetës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here