Tirana si geto dhe arroganca e pushtetit

0
188

Kryetari i Bashkisë se Ti ranës, Erion Veliaj, në emisionin “Opinion”, nga 2 orë e 15 minuta që ishte emisioni, ku ishin dhe katër të ftuar dhe drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, kanakari i Ramës, e mori emisionin ne dorë dhe e drejtonte ai. Përgjigjej ai, i mbyllte gojën të ftuarve me arrogancë dhe fyerje ai. Dhe jo vetëm të ftuarve, por edhe drejtuesit të emisionit.

E pafalshme për drejtuesin e emisionit, që lejon të ftuarin t’i marrë kontrollin e emisionit dhe kjo nuk është hera e parë, por po ndodh gjithmonë e më shpesh në përgjithësi në emisionet televizive. Siç duket, në shoqërinë shqiptare dhe në veçanti politika dhe media, të cilat duhet të jenë modeli i komunikimit ende nuk është krijuar kultura e komunikimit. Dhe duket së do vazhdojë kështu për kohë të gjatë. Po le të vazhdojmë me kanakarin e Ramës, i cili me një urrejtje ndaj gjinisë femërore, e fyeu dhe u mundua ta poshtërojë të vetmen femër që ishte në atë studio, duke i thënë disa herë, “unë nuk jam psikiatër të të qetësoj ty!”.

Në fund të emisionit i tha: “Jepini një xanax kësaj të qetë- sohet!”.

Kjo ndodhi në vështrimin dhe dëgjimin e Fevziut, i cili, në atë moment duhet ta kishte nxjerrë përjashta nga emisioni. Gjatë gjithë kohës Veliaj fyeu edhe të ftuarit e tjerë, të cilët u treguan shumë të përmbajtur dhe me shumë etikë. Veliaj ishte shumë i shqetësuar dhe tepër nervoz duke mos përmbajtur veten. Sipas porosive të padronit dhe stilit të tij, Kryeministrit Edi Rama, ai e trajtoi të ftuarën si një të sëmurë psikike. Edhe sikur të jetë e tillë, si kryetar bashkie, ky duhet të mendojë si të ngrejë qendra rehabilitimi për njerëz të tillë dhe jo t’ia evidentojë në publik.

Kjo është një gjë krejt e papranueshme dhe e dënueshme në shoqëritë me shtet ligjor dhe e patolerueshme për drejtues të shtetit. Kjo, po të kishte ndodhur në një vend perëndimor, qyteti do të ishte hedhur ne protesta për të kërkuar dorëheqjen e këtij drejtuesi shtetëror dhe nuk do ta lejonin t’i afrohej kurrë më shërbimit publik. Më poshtë Veliaj tha: “Unë kisha disa brenga të miat që i kishte dhe ai (Rama)…”

Disa brenga të tijat për Tiranën, si për Stadiumin Kombëtar, për Sheshin Skënderbej dhe për prishjen e Stacionit Trenit, si i vetmi kryeqytet në botë pa stacion treni, vazhdimi i rrënimit të Hotel Dajtit me qëllim që të rrafshohet dhe ngrihet kullë, ku në të gjitha këto, por edhe në prishjen e shesheve dhe objekteve të ndryshme, këta në mënyrë arbitrare kanë abuzuar në favor të klientelës së Kryeministrit dhe bandës socialiste në qeverisje. Një gjuhë e tillë është e patolerueshme dhe tregon se arroganca e këtyre, në ketë rast Veliajt, del si inkoshient i detyrimeve që kanë nga paraja e krimit që përdorin për të mbajtur pushtetin.

Tirana nuk është pronë e Kryeministrit dhe Veliajt, që, sipas tij, duhet të plotësojnë tekat e tyre dhe mafies së ndërtimeve si pastrim paraje të trafiqeve dhe drogës. Nuk po hyj thellë këtu në analiza të mëtejshme, pasi janë stërthënë, për ato të cilat Veliaj mburret, ato janë një krim i shkatërrimit të funksionalitetit urban, kulturës, trashëgimisë dhe etnitetit të Tiranës, si stadiumi, sheshi, teatri, kinema 17 Nëntori, Republika, e plot objekte të tjera ku Tirana për mua, që jam lindur e rritur në qendrën e saj, është një qytet i huaj dhe një barbari urbane që po kthehet çdo ditë e më shumë si një Geto perversiteti dhe mizerabiliteti.

Në lidhje me stadiumin, i cili ishte një nga bukuritë e atij kompleksi që quhet kompleksi i universitetit, si godinat më të bukura në Tiranë dhe jo vetëm, të cilat bota i ruan dhe i mirëmban ato si vlera, Veliaj thotë; “Ne gjetëm një aventurier për stadiumin;! Këta po bëjnë aventurë me Tiranën, ku Veliaj shërben si kanakar i Ramës për plotësimin e aventurës së tij me Tiranën, për plotësimin e manierave të tij si “artist i madh”, nëpërmjet parasë së krimit dhe qëndrimit në pushtet nëpërmjet kësaj paraje që shfrytëzojnë sociopathinë e tij dhe instalimin e krimit në pushtet.

Te gjithë kritikët që janë kundër këtij masakrimi të Tiranës, e cila është futur tashmë ne kthetrat e pastrimit të parasë së krimit dhe klientelës qeverisëse, Veliaj i quajti histori e baltosjes së progresit?! Demagogjia e tij dhe padronit Rama, lidhur me paranë e krimit si shkatërrim i Tiranës, qytet tashmë i pabanueshëm, me një të ardhme edhe më të tmerrshme me këto ritme në emër të “progresit”, shpjegon dhe arrogancën e tij gjatë emisionit “Opinion”.

Mjerë Shqipëria dhe shqiptarët në ç’gjendje shtetërore jetojnë! Drama nuk mbaron këtu, se po të ishte vetëm kjo, do të ishte gjysma e së keqes, drama është që Shqipëria nuk ka alternativë, nuk ka shpresë, nuk ka opozitë dhe kështu, e keqja do të rropulliset deri në fund për një fund-fillim fundi të ri si riciklim i po të njëjtës familje banditësh të politikës shqiptare

Ilir Demalia/ Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here