Kredia dhe depozitat në krizë. Biznesi nuk merr hua, ndërsa familjet nuk kursejnë më

0
161

Ndonëse Instituti i Statistikave raporton për rritje ekonomike, kredia dhe depozitat janë në ngërç total. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun kohor të një viti kredia për ekonominë është rritur me vetëm 0.1 për qind, çka përbën thuajse një stanjacion të plotë të aktiviteti kreditues.

Ky është vitit i tretë më radhë, që kredia është në stanjacion. Në vitin 2015 stoku i huasë për ekonominë u ul me 2.5 për qind, ndërsa vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.75 për qind.

Bizneset nuk kërkojnë kredi për të financuar investime të reja, duke paralajmëruar se pas përfundimit të gazsjellësit Transadriatik dhe Kaskadës së Devollit, dy projekte që financohen nga jashtë, ekonomia mund të përballet më rënie të investimeve.

Por ngërçi i kredisë nuk është shqetësimi i vetëm për ekonominë. Për herë të parë, tashmë edhe depozitat janë në stanjacion, teksa familjet shqiptare nuk kursejnë më para në banka.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë në nëntor të këtij viti, depozitat në sistemin bankar ishin  997 miliardë lekë, saktësisht në të njëjtin nivel me nëntorin e vitit të kaluar.

Në harkun kohor të një viti, familjet shqiptare nuk kanë kursyer asnjë lekë në banka ose për shkak të rënies së të ardhurave ose sepse kanë preferuar t’i ruajnë kursimet jashtë sistemit për shkak të rënies së interesave.

Depozitat janë baza kryesore e kredisë. Bankat shfrytëzojnë kursimet e qytetarëve për të kredituar biznesin. Ndaj ngërçi i depozitave paralajmëron për krizë të gjatë kredie.

Sistemi financiar po shënon një ecuri krejtësisht të kundërt nga ajo që paraqet INSTAT për rritjen ekonomike. Ndonëse sipas INSTAT, prodhimi kombëtar është rritur, biznesi nuk kërkon kredi, ndërsa familjet nuk kursejnë. Kjo është një situatë e paprecedentë për ekonominë shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here