Bilanci i moratoriumit të pyjeve, në 2 vjet vetëm një gjobë që nuk vilet në Elbasan

0
152

Ndonëse moratoriumi i pyjeve premtonte masa të ashpra ndaj abuzuesve, në qarkun e Elbasanit ku ndodhen disa parqe të mbrojtura ka vetëm një rast dënimi, ndërsa shumica e çështjeve pushohen për mungesë provash. Administrata e Zonave të Mbrojtura ankohet për mungese koordinimi dhe hetime të vonuara.

Në fillim të vitit 2016 Shqipëria shpalli një moratorium për pyjet, duke e cilësuar situatën katastrofike. Qëllimi i moratoriumit është të kufizojë prerjet masive dhe të ripyllëzojë vendet e dëmtuara tashmë. Paralelisht u paralajmëruan masa të ashpra deri edhe penale dhe me këtë qëllim u ngrit edhe një task-forcë e pagëzuar si “Roja e Gjelbër”, në të cilën u përfshi edhe ushtria.

Por 19 muaj më vonë në qarkun e Elbasanit, ku ndodhen disa zona të mbrojtura përfshi edhe parkun kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, edhe pse janë regjistruar 26 procedime penale në dy vitet e fundit, vetëm një person është dënuar me gjobë nga gjykata dhe madje, siç mësohet nga BIRN, edhe në këtë rast gjoba nuk është arritur të mblidhet.

Zv.prokurori i Elbasanit, Milaim Laskaj thotë se çështjet pushohen pasi për to nuk ka prova.

Por Fatmir Brazhda, drejtor i Administratës  së Zonave të Mbrojtura, i tha BIRN se kjo ndodh pasi hetimet vonohen dhe se ekspertiza bëhet kur “janë tharë drurët e prerë” dhe dëmi nuk arrihet të verifikohet.

Situata e pyjeve në vend konsiderohet e rëndë edhe nga vetë qeveria. Në botimin e saj në internet mjedisisot.info, Qendra rajonale Mjedisore REC vë në dukje se nga viti 2004 deri në 2015-ën raportohen prerje ilegale me mbi 2,500,000 m3 në vit, duke krijuar “një katastrofë të vërtetë mjedisore”.

Një gjobë që nuk vilet

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në dy vitet e fundit, policia e Elbasanit ka referuar në Prokurori 26 raste të prerjeve të paligjshme të pyjeve. Nga këto denoncime, 23 çështje janë pushuar, ndërsa vetëm një person rezulton i dënuar nga gjykata.

I  vetmi rast i gjykuar është ai i Flori B. me banim në Rrajcë të Prrenjasit. Ai është dënuar në prill 2016 me 80 mijë lekë të reja gjobë, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar uljen e 1/3 së dënimit.

Burime nga Administrata e Zonave të Mbrojtura i thanë BIRN se personi në fjalë ishte denoncuar disa herë prej tyre për prerje të paligjshme të pyjeve. Në shumicën e rasteve ai i ka shpëtuar ndëshkimit, ndërsa edhe në rastin e fundit kur është dënuar, askush nuk është në gjendje të thotë se si do i mbahet atij gjoba.

Ministria e Mjedisit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se vjelja e gjobës i takonte Bashkisë së Elbasanit ku ndodhej gjykata që kishte dhënë vendimin. Kjo nuk rezulton e mundur, pasi dëmi është kryer në zonën administrative të Bashkisë Prrenjas, dhe bashkia e Elbasanit nuk ka asnjë mundësi të vjelë gjobën në Prrenjas. Bashkia Prrenjas i tha BIRN se as që kishte informacion për  vendimin e gjykatës ndaj banorit të saj të dënuar për dëmtimin e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Ndërkohë i dënuari me gjobë, sipas informacioneve prej Administratës së Zonave të Mbrojtura ka vijuar të dëmtojë pyjet në zonën e Rrajcës në këmbët e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Fatmir Brazhda (djathtas) bashkë me një koleg të tij duke kryer inspektime në pyll.

Fatmir Brazhda, Drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura, i kontaktuar nga BIRN tha se që ligji të funksiononte do duhej një koordinim institucional. “Për mendimin tim ka një hendek sa i përket shkëmbimit të informacionit, gjë që duhet riparuar. Sa i përket vjeljes së gjobave duhet një sistem kombëtar që njerëzit të mos përfitojnë shërbime pa shlyer gjobat”, tha ai.

Brazhda theksoi se të gjitha rastet e dëmtimit të pyjeve në zonat e mbrojtura konsideroheshin vepër penale, ndërsa theksoi se duhej të kishte një ashpërsim të ligjit për përsëritësit, por tha se për ta gjithçka bëhej më e vështirë për sa kohë prerësit e pyjeve shpëtojnë vetëm me procedimin nga policia.

Ka procedime, por mungojnë të dënuarit

Prerja e paligjshme e pyjeve është një fenomen i përhapur në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku buletinet mujore dhe informacionet e mbledhur nga BIRN në komunikatat e bëra publike numërojnë 250 persona të ndjekur penalisht në gjendje të lirë. BIRN vuri re se numrat u rritën në muajt Gusht-Shtator, ndërsa pati edhe kontroll më të gjerë në territor për shkak të zjarreve.

Por shembulli i Elbasanit tregon se shumica e çështjeve nuk shkojnë përtej këtij procedimi. Zv-prokurori i Elbasanit Milaim Laskaj i tha BIRN se shumica e çështjeve që janë referuar aty janë pushuar, konkretisht 23 nga 26, pasi nuk kishte prova.

“Askush nuk kapet në pyll duke prerë dru dhe kemi shumë pak ose thuajse aspak procedime të referuara nga Drejtoria e Pyjeve. Ato raste të proceduara i kemi kur policia kap një makinë të ngarkuar me dru dhe nuk vërtetohet se drurët janë prerë në pyll, pasi shumica kanë edhe faturat tatimore si dhe vendin ku i kanë marrë drutë që janë persona të licensuar. Në këto kushte e kemi të pamundur të provojmë se drutë janë prerë në pyll në mënyrë të paligjshme,” tha Laskaj.

Për Brazhdën, situata është pak më ndryshe. Ai i tha BIRN se ata si Administratë e Zonave të Mbrojtura lihen në errësirë informative edhe për rastet që kanë denoncuar.

“Problemi është se ne si institucione nuk kemi informacion se çfarë bëhet në këto raste më pas. Nuk informohemi se çfarë vendimi merret”, tha ai.

Ai thotë se një nga arsyet se çështjet nuk provohen është koha që merret për t’i hetuar.

“Janë ata [prokuroria dhe gjykata] që dërgojnë ekspertë të pavarur, gjë që kërkon kohë dhe vështirësisht verifikohet si vepër penale pasi drurët thahen, gjenden justifikime nga më të ndryshmet”, thotë ai.

Brazhda tha se edhe vendimi i vetëm i marrë nga nga gjykata ka ardhur “pasi kemi këmbëngulur me ekspertin që ata kishin dërguar në vendngjarje. Mosndëshkimi na vështirëson punën dhe motivon shkelësit e ligjit”.

Por për prokurorin Laskaj problemi qëndron tek dokumentimi. “Dokumentimi i veprimeve të para hetimore nuk bëhet në mënyrë profesionale. Nuk është problemi tek ashpërsimi i ligjit se sa kryerja e detyrave nga organet përgjegjëse në mënyrë korrekte dhe referimi i rasteve në prokurori të jenë të plota,” tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here