Kokëdhima: Dhunën mbi gratë nuk e lufton dot shteti dhe qeveria e kriminelëve

0
150

Nga Koço Kokëdhima

ZGJIDHJA përshëndet çdo lëvizje politike dhe qytetare që shkon në favor të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të grave, në ditën botërore të luftës ndaj dhunimit të grave (25 nëntori). Mijëra gra dhe vajza janë dhunuar, trafikuar dhe shfrytëzuar gjatë 27 viteve të fundit, por pothuajse asnjë autor i këtyre akteve nuk është vënë pas hekurave në Shqipëri. Mijëra gra dhe vajza kanë rënë pre e dhunës në familje, gjithashtu.

ZGJIDHJA nuk ka ndonjë shpresë se partitë e vjetra do të kenë vullnetin dhe aftësinë e qartë për të mbrojtur jetët, dinjitetin dhe integritetin fizik e moral të grave dhe të vajzave. Shumica e gjyqtarëve, që përmes vendimeve skandaloze kanë liruar nga burgu trafikantët, përdhunuesit dhe vrarësit e grave dhe vajzave, janë emëruar nga PD-ja dhe PS-ja. Ata kanë paguar nga 50-500 mijë euro për t’u bërë gjyqtarë të partive dhe e shfrytëzojnë postin jo për të dhënë drejtësi, por për të mbushur xhepat e tyre dhe të politikanëve që i mbrojnë. PD-ja ka patur dhe ka nën kontroll, përmes emërimeve politike dhe klienteliste, shumicën e anëtarëve të KLD-së. Ky këshill i lartë ka mbrojtur padrejtësinë në shumë vendime të tij. Kujtojmë vendimin për të rrëzuar kërkesën e gjyqtares së vrarë pak javë më parë, Fildese Hafizi, që kërkonte transferimin nga gjykata e Krimeve të Rënda në Shkodër, për në Tiranë ku kishte dy fëmijët e mitur dhe dy prindërit e sëmurë. Ajo përballej çdo ditë me kërcënimin që arriti më në fund t’i marrë jetën.

Edhe sot e kësaj dite, nuk ka një vendim të KLD-së për të ndëshkuar gjyqtarët që lanë të lirë kriminelë që më pas kanë lënduar, rrahur, plagosur e vrarë gratë që kërcënonin. Partitë e vjetra nuk kanë moral të kërkojnë ndalimin e amnistisë për dhunuesit dhe vrasësit e grave dhe vajzave. Ato i kanë përdorur aministitë për të liruar kriminelët e kampeve të tyre politike, apo më keq, për të bërë korrupsion dhe kanë nxjerrë nga burgu trafikantë, përdhunues dhe vrasës.

ZGJIDHJA në pushtet do ta zhbëjë këtë ortakëri politike të partive të vjetra me kriminelët, dhunuesit dhe vrasësit. Gratë dhe vajzat janë më shumë se gjysma e popullsisë, janë pjesa më e mirë dhe më e persekutuar e shoqërisë shqiptare. Shumica e tyre janë pa punë, pa shpresë dhe nën dhunën e mjerimit dhe të padrejtësive. Stukturat shtetërore nuk i mbrojnë gratë dhe vajzat shqiptare dhe nuk u krijojnë kushtet për një jetë të ndershme, të mirë dhe të lirë. Shumë institucione të shtetit, por edhe kompani private kanë mjaft zyrtarë, shefa dhe drejtorë maniakë që kërkojnë favore seksuale nga gratë e punësuara dhe i shtërngojnë ato t’ju nënshtrohen këtyre presioneve.

ZGJIDHJA do të jetë në krah të grave dhe vajzave, do të mbrojë të drejtat dhe aspiratat e tyre për karrierë të shëndetshme, për të punuar e jetuar, do të ndërtojë shtetin modern të shqiptarëve, shtetin e së drejtës, policinë dhe institucionet që do garantojnë rendin, sigurinë, të drejtat e çdo gruaje dhe sundimin e ligjit në punë, shoqëri e familje. Kjo elitë politike që qeveris Shqipërinë ka shkatërruar shtetin dhe bashkë me të ka varrosur edhe të drejtat civile dhe liritë e grave dhe vajzave.

Bashkohuni me ZGJIDHJE-n për një Shqipëri më të mirë, më njerëzore, civile e të zhvilluar. Të përmbysim këtë sistem të padrejtësive dhe skllavërimit modern të grave dhe vajzave, për një shtet dhe qeveri që do ju qëndrojë atyre në krah e në mbrojtje të vendosur.  ZGJIDHJA nuk do t’i lërë kurrë vetëm gratë shqiptare përballë agresorëve dhe brutalitetit e dhunës së çfarëdoshme në familje e shoqëri.

#ZgjidhjaKundërDhunësNdajGrave

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here