Emisioni “Shtatë pa Pesë”/ Klajda Gjosha: Duhet një front opozitar, jo vetëm me PD-në por edhe me partitë e tjera

0
144

Për pak çaste pritet të fillojë parlamenti por pse është një situatë pak e acaruar apo perceptimi është i tillë?

Është një situatë pak e tensionuar dhe e ka një arsye, sepse në fund të fundit opozita në dorë ka fjalën dhe parlamenti është vendi ku duhet të ndodh debati politik. Dhe të kërkosh leje për dy minuta për procedurë dhe të shtysh seancën parlamentare për rreth 24 orë më pas, unë do thoja që ajo që po ndodh është e pa precedentë. Të gjithë e duam rregullore, duam që rregullorja të respektohet. Askush nuk flet më në parlament më shumë se 10 minuta që i përcakton rregullorja. Por që të kthesh pak diktaturën në mendjen e qytetarëve shqiptar për të mos lejuar dy minuta procedurë, është pak e rëndë. Nuk është e vetmja herë që kjo ka ndodhur. Ka ndodhur dhe javës që shkoi, ne kemi pasur një incident shumë të madh ku nuk u lejuan mediat të transmetonin live seancën parlamentare, që është akoma më e rëndë sesa ti ndalosh vetëm dy minutshin një parlamentari të opozitës në Kuvend. Kështu që unë do thoja që ajo çka po ndodh realisht, nuk është normale, nuk jemi në normalitet. Uroj që duke filluar nga sot të paktën ti kthehemi realitetit. Do të jetë një seancë e gjatë sepse do të diskutohet për reformën zgjedhore që në fakt është një temë mjaft e nxehtë. Ka qenë kështu prej vitesh pavarësisht se është jashtëzakonisht shumë e vonuar dhe i duhet dhënë një zgjidhje.

Është dhe një temë tjetër që do tu pyes nëse ju ka befasuar apo jo kur dëgjuat se Ministri Integrimi nuk do kishte më?

Kjo ka qenë pjesa e fundit e befasimit. Befasimi im ka filluar në momentin kur Kryeministëri foli gjatë për qeverinë e re. Shpalli ministrat e tij, shpëtimtarët e Shqipërisë, siç u dukën të paktën nga mënyra sesi i prezantoi ai dhe nuk foli asnjë fjalë për procesin e integrimit. Nuk më tremb mua fakti që është shkrirë një ministri apo një tjetër, unë e thashë dhe në fjalën time në parlament. Është në tragetin e Kryeministrit të zgjedhi strukturën më të cilën do të operojë dhe ministrat që do të ketë në kabinetin e tij.  Problemi është te prioriteti që duam ti japim ne integrimit. Pse ishte e rëndësishme që të kishte vazhdimësi dhe pak ky institucion që në fakt ka vite që është ngritur për një arsye sepse ka qenë kërkesë e vetë Komisionit Europian, për ti dhënë prioritet madhor pikërisht këtij procesi dhe për të fokusuar gjithë pjesën teknike të procesit në një ministri sepse Ministria e Jashtme mund të merret dhe është marrë gjatë gjithë kohës me procesin e integrimin por është niveli më i lartë i dialogut politik. Procesi teknik është qëndron më vete, ne rrezikojmë të humbasim disa procese të cilat kanë nisur, janë në procedurë e sipër dhe askush nuk po i kushton më vëmendje. A e mendoni ju se ministri i jashtëm do të kujdeset deri për koordinimin e letrave të 72 institucioneve?! Është e pamundur. A do të merret me bilateralet, a do të merret me vendet anëtare te BE, për të lobuar që Shqipëria të çel negociatat, a do të merret me problemet e rajonit, me fqinjët, sepse janë çështje madhore për një ministër të jashtëm. Apo do të merret me çështjen e letrave  dhe koordinimit të procesit të integrimit në kuadër të pesë prioriteteve, por dhe në kuadër të kriterit ekonomik e kështu me rradhë sepse janë një sërë çështjesh me të cilat është pas marrë Ministria e Integrimit. Është thënë që do të vendoset një  Zv. Ministër që do të kryejë këtë detyrë, nuk ka kohë për të bërë eksperimente dhe për të vendosur njerëz që nuk e njohin procesin. Sepse ne jemi vetëm një hap larg çeljes së negociatave. Në dijeninë time dhe në informacionet që unë kam fatkeqësisht ka mungesa të mëdha të njohjes së procesit.

Ka ndonjë informacion se ç’bëhet me stafet, me përgjegjësit përkatës në zyrat e Ministrisë së Integrimit?

Është një strukturë e re e cila është miratuar për mënyrën sesi do të shkrihet Ministria e Integrimit, por nuk bëhet fjalë fare të kenë emra. Pra sot ekziston një strukturë që ka kaluar në varësi të Ministrinë të Jashtme por pa emrat përkatës. Tani më thoni ju mua se kush e bën punën e cila është në një lloj vazhdimësie për procesin e integrimit. Kush komunikon me Komisionin Europian dhe kush e koordinon këtë proces me institucionet shqiptare. Unë nuk di sot të ketë asnjë njeri i cili realisht qëndron në detyrë dhe jep llogari diku kështu që do të thoja që para se të ndërmerrej kjo iniciative të ishte bërë më parë një analizë e gjithë institucionit. Pse jo ti mund të kesh edhe reduktim të stafit por do ta bësh në bazë të një analize. Nuk mund të vendos departamenti administratës publike sesi do të jetë struktura e Ministrisë së Integrimit sepse nuk janë të atij procesi dhe nuk e njohin teknikisht atë.

Do reflektojë në proces e gjithë kjo shkrirje e ky ristrukturim?

Unë mund tu them vetëm diçka, në momentin që është marrë vendimi për të shkrirë ministrinë e integrimit, unë kam marrë disa mesazhe nga homologë të mitë edhe në rajon. Të cilët e njohin procesin shumë mirë edhe janë disa hapa para nga ne dhe masazhet ishin: Çfarë jeni duke bërë?

Pse po ktheheni me hapa pas?

Pse e them këtë? Serbia çeli negociatat dhe krijoi një Ministri të Integrimit Europian. Mali i Zi çeli negociatat dhe vetëm pas pak kohe rreth 1 vit më pas e krijoi një Ministri të Integrimit Europian. Është nevoja për të pasur një institucion të tillë që i dedikohet procesit. Ky proces në qoftë se miksohet me procese të tjera të jeni të bindur që diçka do të lihet mbas dore dhe do të kemi gjithmonë probleme në komunikimin tonë me Komisionin Europian për përmbushje të afateve kohore të cilat unë mund t’ju them me bindje të plotë që kur vjen ai afati kohor që e kërkon Komisioni Europian, sikur një sekondë më vonë të dërgosh raportin tënd quhet i paplotësuar.

Është shënjestrimi LSI-së, i Ministrive që ajo ka drejtuar pra bëhet enkas për të pushuar stafet të cilat ju i keni marrë në punë.

Nëse ne sot kemi një Kryeministër që mendon që Reforma në Administratën Publike është e barabartë me zhdukjen e ministrive që janë drejtuar nga LSI, unë do thoja që është këmbanë shumë e fortë për popullin shqiptar, për qytetarët shqiptar. Duhet të kuptoni që ata individë që votojnë LSI  nuk janë armiq të Shqipërisë. Janë qytetarë, jo të gjithë janë militantë. Ata janë njerëz që vërtet mund të japin një votë për LSI por ama janë njerëz me shumë integritet, njerëz që kanë bërë një punë të shkëlqyer. Që kanë një eksperiencë shumë të gjatë edhe në administratën shtetërore dhe janë njerëz që ne shpeshherë i kemi dhe të pa identifikuar. Nuk e dimë që në fakt ata mund të jenë mbështetës të LSI. Ashtu sikundër në Ministrinë e Integrimit që unë kam drejtuar nuk kam bërë lëvizje të asnjë stafi, përkundrazi vetëm stafi politik është larguar në atë kohë në 2013. Mbaj mend një lëvizje të vetme të Sekretares së Përgjithshme. Pra asnjë staf tjetër nuk është larguar apo pushuar nga puna për asnjë lloj arsye. Nuk mund të pushohet administrata publike për arsye politike. Ka një analizë që duhet ti nënshtrohet çdo nëpunës civil, ka një ligj mbi bazën e të cilit ne funksionojmë dhe rekrutojmë stafin në ministri apo në institucionet e varësisë. Kështu që sa më parë kryeministri të fillojë të respektojë ligjin e nëpunësit civil, aq më shumë ne do të kthehemi në shinat dhe në binarët institucional dhe demokratik që duhet të ndjekë vendi. Ajo çka ndodhi sërish me mbledhjen e drejtorëve duke kërkuar dorëheqjen në grup është e paprecedentë, është e palejueshme. Më thoni vetëm një vend ku ndodh e njëjta situatë?!

Drejtorët supozohen se janë politikë?

Drejtorët janë nëpunësa civil, janë me status të nëpunësit civil. Që nga sekretari I Përgjithshëm dhe gjithë linja në vazhdimësi janë nëpunësa civil. Edhe ata që nuk e kanë tagrin e nëpunësit civil nuk janë persona politikë. Kontrata që lidhet pikërisht është rrjedhë e nëpunësit civil, kështu që është paprecedentë ajo që ka ndodhur dhe nuk duhet lejuar. Por edhe në respekt të ministrit që ka në krah, për të respektuar detyrën e tij.

LSI çfarë do të bëjë në parlament, keni bërë thirrje për një front të gjerë opozitar. Keni bërë thirrje dhe PD për të bashkëpunuar.

Kanë qenë vetëm javët e para të Kuvendit dhe ne sërish jemi rakorduar për çështje të ndryshme në Kuvend, për mënyrën se si është votuar dhe qëndrimet që ne mund të mbanim së bashku apo veç e veç. Megjithatë unë do të thosha se është shumë e rëndësishme që nuk është çështja të kemi koalicion partish, është bashkëpunimi I cili në këtë moment është jashtëzakonisht I një rëndësie madhore për vendin. Dhe jo vetëm LSI dhe Partia Demokratike, por edhe të gjitha partitë e tjera të vogla, të cilat edhe pse nuk janë të përfaqësuara shumë në parlament janë të mirëpritura të bashkohen në këtë front opozitar. Dhe jo vetëm politika, por edhe shoqëria civile, qytetarë të thjeshtë, kushdo që mendon që mund të jap një kontribut për të luftuar gjithçka ka ne kemi sot përballë. I gjithë mendimi jonë për të pasur një opozitë frontale nisi pikërisht pas zgjedhjeve. Ajo çka ne kemi përjetuar në zgjedhje mund të them me bindje që është diçka që nuk kishte ndodhur në vite të tëra në Shqipëri. Presioni I jashtëzakonshëm I administratës, deri në terror do ta quaja.

Megjithatë të treja forcat politike ishin në qeveri.

Unë mund t’ju them që marrëveshja e 18 majit rëndoi në mënyrë të jashtëzakonshme dhe cënoi kodin elektoral. Nuk u zbatua më asnjë kod elektoral në Shqipëri, nuk u zbatua më asnjë ligj që drejtonte zgjedhjet në Shqipëri. U zbatua një marrëveshje, pra marrëveshja doli mbi çdo gjë tjetër dhe terrori që është ushtruar mbi administratën publike, por edhe në terren, nga mënyra se si u realizuan zgjedhjet në Shqipëri, nga mënyra se si u ble dhe u shit vota. Ky nuk është një koncept I ri për ne, por që të kesh shitblerjen e votës si një ankand të hapur, unë do të thosha që kjo është hera e parë që ka ndodhur dhe ka qenë realisht shumë e vështirë për të gjithë ne.

Rezultati i LSI ishte shumë i mirë…

Rezultati ishte I jashtëzakonshëm për LSI, por kuptohet që ne kemi punuar në një presion që kurrë më parë nuk kishte ndodhur.

E keni vënë theksin te gjendja ekonomike e qytetarëve. Si do të jetë opozita e LSI në parlament në këto katër vite?

Do të jetë konkrete dhe do të jetë me alternativa, ajo çka I ka munguar parlamentit shqiptar në katër vitet që shkuan. Kemi parë pak a shumë një opozitë pak a shumë të zhurshme deri diku, por nuk ishte konkrete, nuk ishte konstruktive. Jo çdo gjë që qeveria bën, është gabim. Opozita duhet të jetë edhe racionale, për të kuptuar se cilat janë gjërat që ne duhet të kalojmë së bashku, aq më tepër kur bëhet fjalë për procesin e integrimit, konstruktiviteti duhet të arrijë majat dhe pjesa tjetër realisht kur qeveria është duke gabuar. Pra alternativa që opozita duhet të japi, është e një rëndësie shumë të madhe. Dhe ne këtë duam të bëjmë. Problemi është që ne që në fushatë nisëm me një spot televiziv, ku qeveria mendonte se rritja ekonomike vjen nëpërmjet gjobave. Nuk e di nëse e mbani mend spotin e famshëm me Edi Ramën, pra vihen gjobat dhe kështu do të bëjmë ekonomi. Është e njëjta filozofi, do të vendosen taksat për biznesin e vogël, do ti vendosim atij gjoba, do ta rrënojmë atë dhe do të rrisim ekonominë. Nuk është kjo strategjia se si rritet ekonomia, nuk është kjo strategjia se si duhet të përthithësh investimet e huaja apo të incentivosh biznesin vendas. Po të shikosh një raport të Komisionerit Hahn, mbaj mend para gjashtë muajsh, një nga rekomandimet që I bëhej Shqipërisë është pikërisht që të bëhej kujdes me biznesin dhe të mos përdorej gjoba si pjesa e vetme për të rritur buxhetin e shtetit.

Por qeveria thotë se ne duhet të vendosim ligjshmërinë..

Ligjshmëria patjetër që duhet të vendoset, por çfarë do të thotë ti vendosësh taksën biznesit të vogël? Do të thotë që konsumatori të paguajë më shumë, qytetari të paguajë më shumë. Atëherë si do ta mbrosh ti qytetarin?! Po I rrit rrogën? Po I hap më shumë vende pune? Po I rrit standardin e jetesës? Ti asgjë nga këto nuk po I bën. Atëherë ndryshojë njëherë sistemin, bëj një strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik në vend dhe më pas kalo në të gjitha fazat që ty të duhen për të formalizuar ekonominë, por nuk niset mbrapsht. Po u nis mbrapsht, është gjithmonë e dështuar.

Nuk shikoni ndonjë mundësi bashkëpunimi me maxhorancën. Motra jonë e përbashkët e ka quajtur Edi Rama dje LSI-në.

Nuk e di si e ka quajtur, por në këtë drejtim që po merr vendi dhe bashkëpunimi që ka politika sot me majat e krimit, unë do të thosha që është e pamundur. Është e pamundur bashkëpunimi.

Po me PD si do të jetë bashkëpunimi?

Kjo nuk është më çështje votash. Në këto momente ne jemi të vendosur për një bashkëpunim për të luftuar, gjithçka që nuk shkon me qeverinë, duke filluar nga krimi, duke filluar pse jo reformën zgjedhore, e cila duhet kryer, pavarësisht se në këndvështrimin tim personal unë edhe e besoj, edhe nuk e besoj. Sepse ne letrat i kemi të shkëlqyera, ligjet i kemi të jashtëzakonshme, të përafruara me BE-në, nuk vuajmë ne për letra. Ne vuajmë në zbatim dhe pikëpyetja më e madhe është se si do ta ndryshojmë ne mentalitetin e politikës shqiptare, që të mos kërkojë më blerjen e votës në terren. Si mund të kërkojmë ne të ndryshojmë mentalitetin e kryeministrit, që të mos dalë më e të thotë hiqni policë kapelën dhe mblidhni vota për Partinë Socialiste.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here