Kuvend/ Kejdi Mehmetaj: Po si nuk ka pak zor ky kryeministër…

0
188

 

 

Të nderuar kolegë deputetë!

Ndërsa përgatitesha për të mbajtur këtë diskutim të rëndësishëm sot, natyrshëm më erdhi ndërmend një seancë e ngjashme më shumë se dy vite më parë. E njëjta skenë, të njëjtët aktorë, skenar I ngjashëm si ky I sotmi për të ngritur një komision për reformën zgjedhore. Zhurmë e madhe dhe asnjë përfundim, më shumë se dy vite të një teatri politik që reformën zgjedhore e përdori sa herë që ju desh të tërhiqte vëmendjen nga temat e tjera të nxehta dhe shqetësuese për shqiptarët. Dhe produkti përfundimtar:  as edhe një vendim I marrë nga komisioni. Megjithë thirrjet e njëpasnjëshme të kryetarit të parlamentit në atë kohë, dhe nxitjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve, dy partitë që e quajtën veten të mëdha, në asnjë moment, qoftë edhe shkarazi nuk folën mbi propozime konkrete apo aksione. Legjislatura e kaluar e mbaroi detyrën e saj, edhe pse nuk mund të themi dot të njëjtën gjë për komisionin e kaluar së reformës zgjedhore, që asnjë detyrë nuk arriti të kryente. Shqiptarët me siguri nuk I habit kjo gjë. Kanë qenë dëshmitarë raportesh të nxira të OSBE-ODIHR-it që janë përdorur politikisht pas çdo procesi zgjedhor, ndërkohë asnjë ndërhyrje e rëndësishme në Kodin Zgjedhor nuk është bërë si rrjedhojë e rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODIHR-i. Përkundrazi, çdo nisëm mbi zgjedhjet është marrë mbas marrëveshjesh errësire, që u shkonin për shtat vetëm kryetarëve të partive për të zgjeruar pushtetet e tyre. Nismat që kanë shkatërruar Kushtetutën dhe e kanë degraduar procesin deri në pikën që sot në Shqipëri, pas 27 vitesh të pluralizmit politik, kërkesë kryesore ne kemi më baziken për një vend demokratik; zgjedhje të lira dhe të ndershme. ODIHR-I e fillon raportin, më të ashpërin që është bërë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke thënë se vendi u fut në zgjedhje në shkelje flagrante të ligjeve, me një kod zgjedhor të dhunuar, dhe si rrjedhojë e marrëveshjes së 17 Majit. Raporti flet qartazi duke thënë se fenomeni I shitblerjes së votës ka qenë masiv, dhe se qytetarët e humbin tërësisht besimin te procesi zgjedhor dhe te administrimi I tij. Individët me precedentë kriminal ishin më aktivët, duke u bërë pjesë integrale e listave të kandidatëve për deputetë apo si mbështetës kryesorë në fushatë. Administrata shtetërore u kthye në kamzhik në dorën e kryeministrit për të shkarkuar punonjës sipas oreksit të tij partiak, dhe mbi të gjitha për të presionuar dhe intimiduar qytetarët, ku u barazua vendi I punës me votën apo akoma dhe më keq, nderet që administrata shtetërore I bënte qytetarëve pikërisht në këmbim të votës. Shumë prej nesh këtu mund të sjellin dëshmitë e tyre nga fushata që sapo lamë pas. Mund t’ju tregoj unë për shembull se si rrugëve të qendrës së Tiranës, aty ndërmjet Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, deputeti kandidat shkonte në shtëpitë e qytetarëve dhe linte 500 euroshin në filxhanin e kafes pas mbaronte bisedën. Kaq bënte llogaria në atë familje me pesë anëtarë. Po njëjti kandidat me stafet e tij, me patronazherë, markonte qytetarët dhe në rast se nuk e merrte dot votën me ato metodat e mirënjohura, përdorte çdo lloj fushe apo presioni tjetër. Shkojmë atje dhe i pyesim për të gjithë ju që keni pyetje. Pastaj duke përdorur Policinë e Shtetit, madje edhe administratën e taksave dhe të tatimeve, i kthyen dyqanet e lagjeve në dyqane të shpërndarjes së parave për blerjen e votës. Ekipet kryesore që shoqëronin deputetët ishin të fortët. Prapë në qendër të Tiranës, aty tek Shallvaret patrullonin kolona me makina, të mbushura me të fortë, trupmëdhenj, të ashpër, madje duke shkelur edhe të gjithë normat e qarkullimit rrugor për të intimiduar qytetarët, sepse mbështetje kishin pikërisht deputetin kandidat. Duke na kthyer pas në atë që ne e quajmë dhe e kujtojmë aq hidhur, vitin ’97. Po kthehem pak tek fjala e parafolëses këtu që tha se cili prej nesh mund të ketë prova për tjetrin që flet. E çfarë provash mund të kem unë për shembull që nuk e di me rrogën mujore i përballoj apo jo të paguaj votën për dy familje shqiptare me atë kosto që u rritën votat në fushatën që lamë pas. Megjithatë, e thashë, nuk ishte se si të ndodhte ndryshe, sepse Kryeministri, vetë ai, me zë dhe me figurë, përpara qytetarëve u bëri thirrje Policisë së Shtetit të hiqnin kapelet dhe t’i futeshin fushatës. A po kërkojmë ne reforma? A po flasim ne aq shumë edhe për reformën në drejtësi? Ja pra, Kryeministri që nuk e kemi këtu sot, duhet të ishte dënuar i pari për këto thirrje antikushtetuese ndaj Policisë së Shtetit. Por ja që kryeministri është akoma në detyrë. I mori edhe votat, ca me dhunë, ca me para, po çfarë ndodhi pas? Përgjigjen po e japin qytetarët. Pak ditë më parë u mbushën të gjitha kronikat e lajmeve me titull kryesor: Ra serveri i Ambasadës Shqiptare. 500 mijë shqiptarë aplikojnë për Lotarinë Amerikane. 500 mijë shqiptarë që na e thanë ne në sy se duan të ikin një orë e më parë nga ky vend. Pas Gallupit, edhe Barometri i Ballkanit tha se më shumë se gjysma e shqiptarëve duan të ikin, sepse nuk kanë më asnjë shpresë që kjo qeverisje mund të ndërtojë një shtet me ekonomi konkurruese dhe që respekton të drejtat e njeriut. Ishim vendi me rritjen më të madhe në Ballkan me kërkesën për tu larguar nga Shqipëria. Pasi demokracia ra më 25 qershor, radhën tani e ka ekonomia që po rrënohet bashkë me besimin e qytetarëve që kjo qeveri mund të bëjë diçka për ta ndryshuar këtë. Po sa fajtor e ndjen secili prej jush veten sot që Shqipëria po kthehet në një shesh të madh të përgjakur lufte? Në zi duhet të ishim ne sot. Vetëm dy ditë më parë u regjistrua një ngjarje nga ato më të denjat për filmat Country, me ato dyluftimet e vjetra në Amerikë. Në qendër të Lushnjës, dy djem të rinj të ekzekutuar, të rinj edhe më të rinj se unë që po flas këtu përpara jush sot. Dy të rinj peng të hakmarrjeve të bandave kriminale. Po si do duhet ndjerë kryeministri sot që në vend se këta të rinj t’i orientonte drejt dijes, shkollës, punës së ndershme, i mësoi me plantacionet e hashashit dhe iu ringjalli bandat të gatshme aty për t’i pritur në një moshë fare të njomë dhe për t’i bërë pjesë të tyre. Jam e sigurt që nuk ndjen asnjë fije pendese sepse koha e tij është shumë e çmuar për tu marrë me këto gjëra të vogla. Ai kohën e përdor për të hequr për shembull nga puna mësues, madje mësues të nderuar vetëm e vetëm sepse i përkasin bindjeve partiake të një partie tjetër. T’ju them të drejtën nuk kam dashur e nuk kam menduar që do ta përdor ndonjëherë këtë foltore për të thënë ato që thashë më sipër dhe as për tu ankuar apo për t’u qarë. Për ja që nuk mundem kurrsesi të ri indiferente kur shoh se si ky vend po rrënohet, ekonomia po shkatërrohet dhe moshatarët e mi po ikin sepse nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Dhe moshatarët e mi po ikin sepse nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Dhe akoma më keq, dëgjova sot në mëngjes Kryeministrin i cili thërriste me të madhe kundrejt opozitës ‘zor të keni’. Po si nuk ka pak zor ky kryeministër i cili foli nga kjo foltore këtu më shumë se 60 minuta dhe nuk tha asnjë, po asnjë fjalë për planin e tij të punës, apo se çdo të bëjë ai për të luftuar krimin, bandat apo se çdo të bëjë ai për të rritur ekonominë e kështu me radhë. E vetmja gjë që thoshte Kryeministri ishte uf e buf, e bam e bum, i kthehemi marrim regjistrimet gati për të bërë ndoshta me to dhe një këngë por e vetmja gjë që nuk tha ishte nj gjë konkrete për Shqipërinë. Megjithatë ti kthehemi Komisionit të Reformës, LSI do jetë padyshim shumë aktive dhe shumë konstruktive për komisionin që po ngrihet për reformën zgjedhore. Por le të jemi të qartë, nëse ky komision nuk adreson problematikën kryesore të zgjedhjeve, atë që qytetari të votojë i lirë, dhe jo i presionuar, asnjë reformë nuk do ta shëronte këtë plagë të madhe që i është krijuar Shqipërisë. Të ulet komisioni dhe të shqyrtojë me seriozitet për të gjetur mekanizmat e duhur për të luftuar shitblerjen e votës në radhë të parë. Të gjejmë zgjidhje shteruese port të mbajtur larg politikës të fortët dhe kriminelët. Ta ndërtojmë ashtu siç duhet administratën shtetërore që të mos jetë më vegla më e përdorur në fushatë. Në fund të ditës qytetarët nuk duan t’ia dinë me ç’formë zgjidhemi të gjithë ne që jemi këtu. Por sa të përgjegjshëm do të jemi ne në detyrën që do të na ngarkojnë. Dhe kjo zgjidhet vetëm me një reformë. Ta lëmë qytetarin të votojë i lirë dhe pa presione. E marrim dot ne këtë angazhim. Unë shpresoj që po, por jam e sigurt që Kryeministri nuk e merr dot.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here