Flet ambientalisti/ Sazan Guri: Teknologjia me landfill me riciklim ka kosto më të ulët dhe rreziqe të mëdha

0
736

“Problem ngelet marrëdhënia e zgjedhjes së saj pa qytetarë dhe pa ekspert. Dhe problemi më i madh është marrëdhënia që krijohet me teknologjitë e mëparshme, si ajo me kompanitë e riciklimeve, të cilat tashmë kanë strukturë të ngritur”

Përgatiti Anesti Barjamemaj

Inceneratorët janë një nga problemet më të mëdha që po përballet Shqipëria kohët e fundit, pasi qeveria ka miratuar ndërtimin e shtatë të tillëve. Njëri prej tyre ka gjashtë muaj që ka nisur punën, ku së bashku me të ka filluar dhe ndotja. Por si impianti i Elbasanit, do të ndërtohen dhe disa të tjerë në Shqipëri. Për të folur për dëmet që shkaktohen  për gazetën tonë ka folur ambientalisti Sazan Guri. Në këtë intervistë Guri flet për të gjitha dëmet dhe rreziqet që shkaktohen nga incenerimi i mbetjeve, por jep dhe një mënyrë se si mund të zgjidhet ndotja e madhe.

Në ditët e fundit është bërë publik një lajm, që sipas të cilit në Tiranë do të ndërtohet një incenerator mbetjesh. Çfarë informacionesh keni për këtë çështje?

Ky lajm është bërë publik, por nuk e ka përfshirë publikun, as në vendimmarrje dhe as në informim, çka e rëndon marrëdhënien e zgjedhjes së këtyre teknologjive vetëm nga një kryetar Bashkie. Me të vërtet Kryetari i Bashkisë është një i zgjedhur, por kjo nuk do të thotë që ai të zgjedh, si rastin e inceneratorit në Tiranë, aq më tepër që ka dështuar në zgjedhjet e veta, ku nuk ka pyetur ekspertët, si rasti i ndarjes së mbetjeve në burim.

Nga informacionet që janë bërë publik, a është ndërtimi i tij brenda ligjeve? 

Strategjia e menaxhimit të mbetjeve, si dhe ligji i i menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane, i përafruar me standardet evropiane, normalisht, lënë rrugë edhe për këtë lloj teknologjie. Ligjet mjedisore, si ato shqiptare dhe ato europiane, në asnjë rast nuk thonë që teknologjia ose metoda me incenerim e trajtimit të mbetjeve është e ndaluar. Ajo zë vend midis metodës së landfill-it (groposjes njëherë e përgjithmonë të mbetjeve), kompostimit (trajtimi i mbetjeve organike) dhe riciklimit. Pra, metoda e zgjedhur nuk quhet shkelje ligji, por pyetja shtrohet nëse ajo është teknologji pa ndotje, është e tipit “green technology” apo ndoshta duhet të ishte e tipit “state of art”? Mbi të gjitha, kjo metodë, a është në përputhje me kërkesat apo mundësinë e qytetarëve taksapagues? Ndaj dhe qytetarët thirren, pyeten, informohen dhe në fund vendosin ata si taksapagues, si përfitues apo si pësues?!

Nga ky impiant mbetjesh, a rrezikohet mjedisi, pasi pritet që ndotje pritet që të jetë e madhe? 

Së pari duhet ta mendojmë një impiant të tillë, si një motor me djegie të brendshme, sikundër është një Tec, një makine apo një vapor. Nëse ky impiant është i çmontuar nga diku ose i një patente të vjetër, ose e një prodhimi të vjetër, normal që ndot, si një makinë apo si një automjet i viteve të para 2004, që ende nuk ishin projektuar marmitat ekologjike. Nëse impianti është prodhim i 2015, apo i 2010 e lart, mundësia më e madhe është që të jenë jo ndotës, në kuptimin që ndotja e shkarkuar në oxhak kontrollohet nga filtrat përkatës, matet në mënyrë kompjuterike dhe kompania nuk ka mundësi të ndërhyjë në këto matje, pasi terminali është në Bruksel. Nëse është kështu, nuk është problem teknologjia. Problem ngelet marrëdhënia e zgjedhjes së saj pa qytetarë dhe pa ekspert. Dhe problemi më i madh është marrëdhënia që krijohet me teknologjitë e mëparshme, si ajo me kompanitë e riciklimeve, të cilat tashmë kanë strukturë të ngritur. Ndaj lind me të drejtë pyetja: Çfarë do bëhet me këto? Do të ndërpresin aktivitetin apo do të furnizohen me mbetje nga jashtë? Mos është kjo hileja e radhës?

Teknologjia që pritet të përdoret në këtë impiant është më e mira, apo është shumë larg asaj të BE dhe do të ketë problematika kur të futet në punë? 

E përsërisim prapë, nëse teknologjia vjen me standarde, siç e thamë më lartë, është e pranueshme si nga BE dhe nga një vend tjetër specifik, por në kushtet e vendit tonë, deri më sot ky shtet nuk ka realizuar të paktën një studim që të thoj se cila nga metodat është me koste të ulëta, me impakte më të ulta mjedisore dhe shëndetësore. Në gjithë eksperiencën time 20 vjeçare mbi mbetjet, bazuar dhe në studimet të tipit Doktoraturë të një pjesëtari të grupit tonë, teknologjia me landfill me riciklim rezulton me kosto më të ulët dhe është më e pranueshme për kushtet e vendit tonë dhe për psikologjinë e qytetarëve. Por në përgjigje të pyetjes suaj, metoda më e keqe është lënia e plehrave në mëshirë të fatit, me dampa ose me vend hedhje, sikundër i kemi pasur këto 27 vjet turpe e faqezesë. Kjo është shumë larg asaj të BE. Gjithë të tjerat, si ajo me landfill, ajo me landfill me riciklim para, ajo me kompostim dhe ajo me incenerator nëse vjen me standarde janë afër këshillave të BE, por një vend i zgjedh raportin midis tyre në konsultim të plotë me qytetarët, me kompanitë ekzistuese, me ekspertët, etj.

Cilat janë rreziqet më të mëdha që i kanosen mjedisit nga ndërtimi i inceneratorit, pasi sipas informacioneve nuk është vetëm një i tillë por janë disa të tillë?

Inceneratorët, duke qenë me djegie kanë mangësitë si të gjithë teknologjitë e tjera që djegin (Tec, motorët, etj.) që prodhojnë dioksid karboni, e cila nuk kapet nga asnjëlloj filtri. Për këtë, e vetmja mënyrë zgjidhje është mbjellja e fidanëve pyjorë. E meta e dytë, e pashmangshme, duke supozuar se teknologjia është e nivelit të lartë, ku të gjithë ndotëset si SO2, NOX, PM10, CO, etj., kapen me filtrat përkatës, siç thamë më lart, është lëshimi i dioksinave dhe furraneve. Janë këto dy elementë që rëndojnë teknologjinë me inceneratorë, me temperaturë 1000o – 18000C, kur këta shpërbëhen në temperatura mbi 40000C. Kjo bën që inceneratorët duhet të jenë në numër të kufizuar. Vetëm teknologjitë plazma mund t’i shpërbëjnë këta, të cilat janë shumë të shtrenjta dhe pak vende e disponojnë atë. Ndaj, në të gjitha shtetet e botës ka raporte midis teknologjive me inceneratorë, landfill-eve të thjeshta, landfille-ve me riciklim dhe kompostimit, tamam si prodhimi i energjive me anë të disa burimeve (qymyr, naftë, gaz, ujë, erë, diell, biomasë, etj.). Por, këtë raport nuk e thonë kryetarët, por shkencëtarët.

Nëse do të jepnin një mendim si ekspert i kësaj fushe, do të ishte me mirë ndërtimi i një impianti përpunimi dhe riciklimi të mbetjeve apo impianti i asgjësimit të tyre?

Eksperienca e punëve tona bazuar në analizën e përfitimit të kostove (cost benifit analyses), për çdo teknologji, na mëson se landfill-i me riciklim rezulton me ekonomicitet më të lartë, me efektivitet më të lartë dhe me kosto më të ulët për qytetarët. Kjo metodë kursen energji dhe kushton më lirë, ndërsa ajo me incenerim djeg energji dhe prodhon energji, por që nuk e dimë se kush është më e lartë, ajo e para që kursen apo kjo që prodhon. Këtu qëndron fjala e shkencëtarit dhe jo e kryetarit, e përsëris prapë.

Ditët e fundit në Shijak është bërë një protestë nga banorët dhe një grup i shoqërisë civile (dhe sipas informacioneve keni qenë dhe ju) kundër ndërtimit të një impianti djegieje,  i cili është shumë afër banesave.  Cila ka qenë kërkesa kryesore e banorëve dhe arsyeja e parë që kanë protestuar?

Me sa di, aty bëhet fjalë për një djegës termik të mbetjeve anatomike apo biologjike. Si gjithmonë, në vendin tonë vendoset, ku i delet më mirë biznesit dhe jo të zgjidhet një vend ku qytetarët nuk e pësojnë. Kur qytetarët nuk pyeten, nuk informohen dhe nuk janë pjesë në vendimmarrje dhe aq më tepër që tani po e kuptojnë ndjeshmërinë mjedisore, e cila është po aq ndjeshmëri shëndetsore, nuk do ketë gje tjetër, veçse konflikte. Ndaj, projekte të tilla nuk bëhen nga një Kryetar Bashkie apo një grup biznesi, por dialogu me qytetarët është zgjidhja si për biznesmenët edhe për kryetarët.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here