Alarmi/ Shifrat shqetësuese, të rinjtë shqiptarë përdorin masivisht drogën

0
1349

 

 “Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina”

 Shqipëria njihet si një nga vendet me prodhimin më të madh të drogës në botë. Tonelatat e tëra të sekuestrua në kufi më vendet fqinje dhe ato të sekuestruara në vend, kanë bërë që shifrat të arrijnë rekorde. Një tjetër problem ka qenë dhe kultivimi pasi territori i Shqipërisë në vitin e fundit u tejmbush, duke u kthyer në një shqetësim për të gjithë. Opozita, faktori ndërkombëtar dhe në fund dhe qeveria e njohën si problem prodhimin e drogës në Shqipëri.

Por një problem tjetër që është evidentuar  së fundmi është dhe rritja e përdoruesve të drogave, ku më të ekspozuarit janë të rinjtë. Moshat e reja, veçanërisht adoleshentët janë përdoruesit me përqindjen më të madhe në përdorim, duke ngritur një alarm për të gjithë. Si nga shteti, shoqëria dhe deri tek familja ky është një problem që i prek të gjithë. Problemi i përdorimit të drogave ka sjell dhe probleme  të tjera siç janë kalimi nga një drogë në tjetrën, që në pjesën më të madhe janë përzierje jo cilësore me pasoja të rrezikshme. Një tjetër shqetësim është për kostot që duhet të paguajë shoqëria për trajtimin, frenimin e rritjes së kriminalitetit dhe pasojat e uljes së produktivitetit, ndërsa qendrat e trajtimit të tyre po shkojnë drejt mbylljes prej mungesës së fondeve.Por ekspertë të ndryshëm dhe njohës së problemit të drogave kanë ngritur shqetësimin për rritjen e përdoruesve pasi po bëhet oferta e lartë në tregun vendas dhe se cilësia tepër e ulët po rrezikon shëndetin e popullatës.  Por duke mos mjaftuar të gjitha problemet e renditura më lartë, duhet të përballesh dhe me shëndetësinë  që në Shqipëri ka 1001 problematika. Për të gjithë përdoruesit e drogave ka një medikament i cili ka efekte qetësuese, por në QSUT mungon. Ky bar është metadoni, që shumë njerëz në vend kanë nevojë për të, pritet që të vijë nga jashtë por sërish furnizimet po vonojnë, duke lënë në mëshirë të fatit shumë pacientë.  Për doktorët mungesa e ilaçit vështirëson punën e tyre, por ata përpiqen që të mbajnë në jetë dhe të qetësuar pacientët me qetësues të tjerë alternativë. Sipas doktorëve,  në mungesë të ilaçit ata i rikthehen drogës.

Përdoruesit e drogave

Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus një qendër rehabilitimi në QSUT. Ndërsa tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje. Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë.

 Alarmi: Në rritje përdoruesit e kokainës jo cilësore

Shqipëria në kohët e fundit  ka hyrë në një trend të  rritjes së përdoruesve të kokainës, fakt i cvili është shumë i dukshëm dhe nga shifrat që janë publikuar. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të përdoruesve gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç. Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të përdoruesve  me 2.3 herë nga 2011 ku rritje  ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-n. Rritje e përdoruesve  ka pasur edhe grupi i inhalaneteve, të cilat janë përzierje e drogave të jashtëligjshme që merren me anë të tymosjes. Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” për vitin 2017, publikuar në  qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara, krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Shqipëria rezulton si vendi që ka përdoruesve vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC. Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një rritje prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me rritje 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një ulje prej 0.7%.

Pse po rritet përdorimi

Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina, ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve. Para gati 1-2 vitesh pati një trend në rritje të personave përdorues të hashashit që kërkonin ndihmë të specializuar në qendra shëndetësore. Disa prej shenjave më të shpeshta që hasen të pacientët që drejtohen tek ne janë halucinacionet, takikardia dhe ndjenja e frikës që po vdesim. Fakti se Shqipëria krahasuar me rajonin ka çmimet më të ulëta lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë, e cila është shumë herë më e keqe se rajoni. 1 gramë kokainë blihet tek trafikantët nga 6 deri në 18 mijë lekë. Por përdoruesit që drejtohen drejt shërbimit profesional janë vetëm maja e ajsbergut. Është përllogaritur se 1 në 10 përdorues i drejtohet shërbimit të specializuar. Pra nëse për shërbim të specializuar vetëm në 2016-n përllogariteshin 719 përdorues heroine, numri real është afërsisht 7 mijë përdorues.

Të rinjtë pjesa më e rrezikuar

Çdo fundjavë në Tiranë, paralel me jetën e natës, vihet në lëvizje tregu i jashtëligjshëm i drogave, ku përdorimi i tyre është bërë i zakontë dhe ku grupi më i rrezikuar janë të rinjtë. Të dhënat janë akoma dhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdorët për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.

Kalimi nga një drogë në tjetrën

 Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdorët për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të renda si kokaina dhe heroina. Ndërsa sipas gjinisë dhe vendbanimit, meshkujt janë më të predispozuar se femrat dhe të rinjtë që jetojnë në qytet, më shumë se sa të rinjtë që jetojnë në fshat.

Nga prodhimi te përdorimi

 Duke qenë se Shqipëria është vend prodhues dhe vend transit për kalimin e kokainës, ky është një ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e përdoruesve. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, nga 2011 në 2015 ka pasur një rënie të personave që kanë deklaruar pirjen e duhanit dhe konsumin e alkoolit. Sipas të dhënave të krahasueshme midis viteve 2011 dhe 2015 nga IShP, për prevalencën e duhanit gjatë jetës ka shënuar një rënie nga 39.7 në 34.9. Nëse në 2011 në 100 individë, 40 raportonin se kishin pirë të paktën një herë ne jetë duhan, ky numër në 2015-n është 35. E kundërta ka ndodhur me përdorimin e drogave, ku për të njëjtën periudhë përdoruesit e kanabisit janë rritur me 1.5 herë, përdoruesit e kokainës janë rritur me më shumë se 2 herë dhe po aq janë rritur edhe përdoruesit e heroinës.

Kostot ekonomike të varësisë nga droga

Sipas statistikave të vitit 2016, më shumë se gjysma e personave që kanë marrë trajtim në organizatën Aksion Plus janë të papunë, ndërsa gati 20% e tyre kanë deklaruar se punojnë në punë të rastësishme dhe me kohë të pjesshme. Edhe pse mbi gjysma e tyre raporton se janë të papunë, mbi 63% e përdoruesve që kanë kërkuar trajtim për t’u larguar nga varësia kanë një diplomë të arsimit të mesëm dhe të lartë. Personat e varur nga droga, duke qenë përdorues aktiv, janë të ekspozuar në rrugë me shitësit e drogës; ndaj injektimit të vazhdueshëm, rrezikut për t’u infektuar me HIV/AIDS dhe Hepatite, si dhe kërkesës për të gjetur para për të blerë drogën, dhe rrezikut për t’u përfshirë në sjellje kriminale. Nga të dhënat e qendrës Aksion Plus për trajtim të përditshëm kanë nevojë rreth 500 individë, prej të cilëve 220 në qytetin e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër në rrethe.

Strategjia Kombëtare e Drogës

Kostot, si ato të trajtimit edhe kostot oportune, si rënia e produktivitetit në punë, rritja e kriminalitetit, financimi i trafikut të drogës, etj., janë shumë herë më të larta. Për ndalimin e këtij fenomeni qeveria shqiptare hartoi strategjinë Kombëtare të Drogës, e cila do të shtrihej në periudhën 2012-2016. Strategjia Kombëtarë e Drogës, e cila kishte si prioritet ndalimin e përdorimit të drogave dhe rritjen e ndërgjegjësim nëpërmjet mediave, zbatimin e programeve shkollore dhe rritjen e aktiviteteve për parandalimin në komunitet, e mbaroi funksionin e saj në 2016-n. Ndërkohë po punohet për hartimin e strategjisë së re që do të shtrihet në katër vitet në vazhdim, por që ende nuk është publikuar. Strategjia Kombëtare e Drogës (2012-2016) bazohet në katër shtylla kryesore: në koordinimin e strategjisë, pakësimin e ofertës, pakësimin e kërkesës dhe reduktimin e dëmeve. Aktualisht nuk ka asnjë projekt apo strategji për menaxhimin e situatës me përdoruesit e drogave, tregun e jashtëligjshëm dhe ndalimin si të kërkesës për drogë ashtu edhe të ofertës, megjithëse qeveria ka njohur në strategjinë e mëparshme rëndësinë e kësaj çështjeje.

Droga në shkolla

 Mosha e cila ka më shumë ekspozim për drogat janë të rinjtë. Mosha nga 15 deri në 18 vjeç janë më të prekurit nga përdorimi,  pasi edhe periudha e adoleshencës ka një ndikim shumë të madh. Adoleshentët të cilët vazhdojnë shkollën janë akoma më të ekspozuar. Policia në shumë njoftime të saj ka treguar raste të ndryshme të arrestime të të rinjve të cilët konsumonin hashash. Po nga policia janë dokumentuar dhe arrestime të tjerë të adoleshentëve që janë kapur duke konsumuar dhe droga të tjera më të rënda deri tek heroina. Por këta adoleshentë janë arrestuar dhe për shitje të narkotikëve. Ata jo vetëm që pardonin drogën për vete por mundohen që të infektojnë dhe të tjerët. Edhe pse policia ka bërë të mundur arrestimin e disa prej personave, përsëri rastet janë shumë më shumë se kaq. Shumë raste të tjera janë të pa dokumentuara, kjo pasi sipas informacioneve drejtoritë e shkollave nuk bashkëpunojnë me forcat e rendit sepse mendojnë se do ti zgjidhin vetë si çështje me dënime administrative.

Droga, llojet dhe pasojat e përdorimit të saj

 

Në Shqipëri përdoruesit e drogës po rriten me ritme të larta dhe moshat janë shumë të ndryshme. Por edhe pse të gjithë kanë dëgjuar për pasojat e saj, përsëri përdoruesit shtohen çdo ditë e më tepër. Demokracia në Shqipëri solli shumë të mira, por nuk munguan edhe anët negative, siç ishte përhapja e drogës. Lëndët narkotike u shfaqën si një problem që përdoreshin nga pak persona, por më pas ky problem u bë masiv. Sot ata që numërohen si konsumatorë janë në një numër shumë të madh dhe shifrat janë alarmante. Me hapjen e shoqërisë, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave ,një produkt i ri deri diku edhe i panjohur për shoqërinë tonë të asaj kohe siç ishte droga u fut në vendin tonë. Droga ishte një produkt pak i njohur si për specialistët që merreshin me problemet shëndetësore ashtu dhe për masën e gjerë të popullsisë, sidomos për të rinjtë që shtyheshin edhe nga kurioziteti. Deri në fillim të viteve 90 kishte shumë pak ose aspak përdorues të drogave “të forta”, siç mund t’i quajmë. Drogat më të përdorshme deri në atë kohë ishin duhani, alkooli si dhe disa preparate farmaceutike. Trafikimi i drogave është një nga  aktivitetet  ilegale më fitimprurëse të krimit të organizuar së bashku me trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave. Shqipëria nuk përbën vetëm një rrugë tranziti të drogave ilegale, por ajo është vendi ku droga kultivohet kanabis sativa, prodhohet, tregtohet lokalisht dhe abuzohet. Shqipëria është një ndër vendet me prodhimin më të lartë të lëndëve narkotike në Evropë, dhe njihet si një vend eksportues. Kultivimi vitet e fundit ka qenë një problem shumë i madh dhe ka krijuar shumë dabete në politikë.

 

Përdoruesit e drogave

 

Një numër i saktë të përdoruesve të drogës në Shqipëri nuk ka,  pasi shumica e tyre e përdorin ilegalisht. Por në një studim të kryer para disa kohësh nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me organizma të tjerë kombëtarë, dalin disa statistika të cilat janë të vlefshme ë të matur shkallën e përdoruesve. Sipas Youth Risky Bihevior Survey i cili ka kryer një studim në shkolla me të rinjtë e moshave 14-18 vjeç tregohen shifra të cilat janë pak të larta.  Në këtë studim rezulton se ka përdorues (ose që kanë provuar vetëm një herë) droge. Sipas studimit 5.4% e të anketuarve kishin eksperimentuar me kanabis, 4% me ekstazi, 1.4% kishin përdorur heroine dhe 1.6% kishin përdorur kokainë. Me moshën që anketuar duken se shifrat janë shumë të larta pasi të gjithë janë minoren. Kjo tregon se përdorimi drogave fillon që në adoleshence dhe vazhdon për në vitet e tjera të jetës. Sipas studimit të SYRB, kryeqyteti mban numrin më të madh të përdoruesve të drogës të cilët janë adoleshentët dhe të rinjtë. Instituti i Shëndetit Publik, por edhe qendrat të cilat i trajtojnë ato, raportojnë për një numër në rritje të rasteve të personave të cilët marrin lëndë narkotike në Tiranë. Nga viti në vit niveli i përdorimit të drogave nga të rinjtë shqiptarë numri i përdoruesve të drogës ka një trend në rritje, por ajo që mbetet më problematike është se këta përdorues janë adoleshentë. Ky problem ka vite që është shumë shqetësues por përsëri nuk janë marrë masa për të rregulluar diçka. Për shumë arsye adoleshentet janë të ekspozuar nga drogat dhe rreth 6-7 për qind e të rinjve përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione. Rreth 7-9 përqind e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Pra, u është ofruar përdorimi i një droge pranë mjedisit të shkollës, çka do të thotë që trafikantët e drogës, funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave. Por disa nga nxënësit e shkollave janë  edhe vet shpërndarës droge nëpër shkolla, gjë që ndikon në rritjen e numrit të lartë të përdoruesve.  Vihet re një numër më i madh i përdoruesve meshkuj dhe përdoruesit më të shumtë janë të rinjtë e zonave urbane, kryesisht qytetet e mëdha si Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora etj, por edhe në fshatra  përdoruesit po shtohen me ritme të larta./standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here