E zbulon Aurel Plasari/ Publikohet krijimi i parë i Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare

0
461

“Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut”

 

Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. Ai ka filluar të shkruajë dhe të krijojë që në moshën shumë të vogël. Mendohet që të ketë qenë vetëm 11-vjeç por që të publikohej krijimi i tij i parë ai është ‘detyruar’ që të rrisë një vit moshën. Këtë gjë e ka bërë të ditur ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, i cili ka postuar  disa foto që tregojnë krijimin e parë të Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare. Ai shkruan se sprova e parë e adoleshentit Kuteli ishte një vjershë naive e asaj moshe, dedikuar Skënderbeut. Ky krijim i tij është botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit në vitin 1919.

“I pari krijim i adoleshentit Dhimitër (Pandi) Pasko, më vonë Mitrush Kuteli, i botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit më 1919, pra kur shkrimtari i ardhshëm ishte vetëm 12 vjeç, ndonëse mund ta ketë shtuar një vit moshën që t’ia botonin “veprën”. Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut. Botuesit e kalendarit i kanë shtuar edhe një shënim interesant për prejardhjen e tij bashkë me urimin: “Rroftë filizi i ri e vaftë gjer në veshët e Perëndisë!” Urim profetik në atë moment sot historik”, ka shkruar Plasari.

Kuteli shkroi dhe analizoi veprat e shumë bashkëkohësve të tij, me një dashuri dhe profesionalizëm të lartë. Në poezi, prozë apo kritika të quajtura prej vete shkrimtarit, do të kuptosh qartazi kush është ekonomisti, shkrimtari e mbi gjithçka intelektuali, Mitrush Kuteli. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar. Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën “Shqipëria e re”, në Kostancë (Rumani). Vepra letrare të tij janë vëllimet: “Netë shqiptare”, “Ago Jakupi”, “Kapllan aga i Shaban Shpatës”, “Dashuria e berberit Artan”, “Shënimet letrare”, “Sulm e lotë”, “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, “Mall e brengë”, “Havadan më havadan”, “Tregime të moçme shqiptare” etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me Kryevepra të letërsisë botërore si “Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit, “Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit, “Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj. Tregimet e Kutelit ose rrëfimet, siç i quan ai, përbëjnë në përgjithësi një prozë realiste me tërë shqetësimet e jetës së fshatit malor të Jugut. Në tregimin e tij gjejmë traditat më të mira të letërsisë sonë, përsa i përket rrymës së thellë demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here