Daja: Meraku im, qarkullimi i topit. Por duhet ta luajmë si të jetë 0-0

0
141

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga ndeshja që ndan Skënderbeun nga historia, Ilir Daja ka vetëm një merak. Pjesa e dytë në Zagreb nuk e ka kënaqur aspak trajnerin, ndaj ka një këshillë për të tijtë: “Duhet të mendojnë që ndeshja nis 0-0 dhe jo 1-1”. Ai beson te kualifikimi, por evidenton se për këtë skuadra e tij duhet ta administrojë më së miri lojën dhe topin. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, numri një i bardhekuqve thekson se prania e tifozëve do të jetë një armë më shumë.

Daja, gjithçka nis nga e para në këtë takim?

Duhet të hyjmë me këtë ide në fushë, që gjithçka fillon nga e para. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë se rezultati i takimit të parë është 0-0 dhe jo 1-1. Ndoshta kjo është forma e duhur që skuadra ta nisë lojën ashtu si në Zagreb, ku bëmë një pjesë të parë realisht të mirë. Nëse veprojmë kështu, atëherë do t’i kemi shanset tona për kualifikim. Mendoj se kroatët do të vijnë me tjetër strategji në Shqipëri dhe, për këtë, duhet të jemi të përqendruar dyfish.

Ai gol në fushën kundërshtare, a është në avantazhin tuaj?

Është në avantazhin tonë, por vetëm nëse ne do ta nisim lojën ashtu siç e nisëm në Zagreb. Falë asaj paraqitjeje, ne shkuam deri te goli. Më pas, në pjesën e dytë lamë shumë hapësira dhe rrjedhimisht administrimin e pati kundërshtari. Dhe në përballje të tilla dhe mbi të gjitha me një kundërshtar të tillë, siç është Dinamo, duhet të bëjmë gjithçka mundemi që administrimi i topit të mbetet sa më pak në këmbët e Dinamos.

Si e shikoni këtë herë Dinamon e Zagrebit, a mund të përmbysë gjithçka?

Të dyja ekipet do të bëjnë diçka për të shkuar më tej. Dihet që për ne kalimi në grupe është një “bonus” shumë i madh, por kjo edhe për kundërshtarin. Kështu që mendoj se në të dy frontet do të ketë vështirësi.

Skenderbeu stervitje

Ashtu siç ata do të vijnë me një përqendrim maksimal për të përmbysur gjithçka, edhe ne do të duhet të mbështetemi nga tifozeria jonë që të tentojmë të përmbysim atë paraqitje të pjesës të dytë. Në 45 minutat e para kemi bërë një hap të mirë. Do të japim maksimumin dhe do të jemi të përqendruar 90 minuta, nëse duam të vazhdojmë aventurën në grupe.

Pas kthimit nga Zagrebi deklaruat se në Elbasan do të shikoni një Skënderbe tjetër. Çfarë doni të thoni me këtë?

Ajo që është më e dukshmja deri më tani, tifozët. Me suportin e tifozëve korçarë dhe të gjithë shqiptarëve që të enjten do të jenë në stadium, do të shikoni një Skënderbe tjetër në fushë. Me stadiumin e tejmbushur do të jetë një ekip më i fortë. Mbështetja i jep motiv çdo lojtari. Në këtë sens e kisha, kur thashë që do të shihni një tjetër Skënderbe. Luajmë në shtëpi dhe këtë fakt do ta marrim në favor.

Soue ka qenë “gracka” për kundërshtarin në ndeshjen e kaluar. Po për të enjten, keni përgatitur ndonjë tjetër?

Unë do të thosha që më e lehtë është të fusësh në skuadër majën e sulmit, për sa u përket veprimeve jo të shumta në fazën e mbrojtjes, sepse lojtarët e tjerë kanë një ekuilibër që e kanë fituar qoftë nga stërvitjet apo edhe nga ndeshjet. Prandaj është më e lehtë për një trajner që të startojë me një lojtar sulmues, sesa me një lojtar tjetër në pozicione të tjera në fushë.

soue

Natyrshëm që performanca e Soue ishte ajo e duhura dhe shpresojmë që në ndeshjen e dytë të bëjë po të njëjtën gjë. Por pa suportin e grupit, çdo individ nuk do të shprehej në nivelin e tij.

Cili është meraku juaj tashmë që ky 90-minutësh po afron?

Merakun e vetëm e kam me pjesën e dytë në Zagreb. Dua që të mos e përsërisim. Administrimin e topit nuk duhet t’ia lëmë kundërshtarit. Me pak fjalë, të bëjmë atë që kemi bërë në të gjitha këto ndeshje, ku administrimin e topit e kemi pasur ne./PANORAMA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here