Trajnim nga Edi Rama: Ja si ti ‘fitojmë’ zgjedhjet, pa kundërshtarë

0
214
Ditën e djeshme kreu i “Rilindjes” Edi Rama mblodhi të gjithë të besuarit e tij nga çdo cep i vendit dhe ju bëri një trajnim të gjatë për mënyrën sesi do të “fitojnë” zgjedhjet pa kundërshtarë. Në këtë takim të gjerë merrnin pjesë të gjithë kandidatët për deputetë, ministra, kryetar bashkie e drejtuesit e degëve të PS-së në rrethe.

Nëpërmjet një fjalimi të gjatë Rama dha një leksion për të mësuar të pranishmit se si do të vepronin gjatë zgjedhjeve në rast se opozita vendoste përfundimisht për të mos marrë pjesë. Shqetësimi kryesor i kryeministrit duket se është lakmia e njerëzve të tij, për të marrë sa më shumë vota në fushën bosh të kësaj gare, duke e nxjerrë atë lakuriq përpara ndërkombëtarëve.

Prandaj ai duke i paralajmëruar se janë “në grykë të topit”, ju kërkoi që të marrin aq vota sa ju duhen për të qeverisur edhe katër vite dhe jo më shumë.

Ja disa nga pikat kryesore të leksionit të djeshëm të Edi Ramës, për zgjedhjet pa opozitë:

Për spastrimet e listave, për deputetët e rinj

“Dua të falënderoj të gjithë ata deputetë që nuk janë sot këtu, dhe që ne do të donim të ishin. E kam fjalën për ata që nuk u përfshinë në listën e kandidatëve, por kushtet këto ishin. Kjo nuk do të thotë që ata nuk i shohim si pjesë e pushtetit, dhe pushteti nuk është vetëm parlamenti. Ne i njohim të gjithë kontributet e tyre dhe ju jemi mirënjohës për gjithçka ata kanë bërë për PS­në dhe qeverinë tonë. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është tregues i mbështetjes reale të qeverisjes sonë, ndaj është shumë e rëndësishme që të bëjmë ç’është e mundur për pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve në zgjedhje”.

Për mënyrën, se si do ti mbushin mendjen popullit

“Unë dua t’ju sjell në vëmendje disa momente të rëndësishme në komunikimin publik, që duhet t’i keni parasysh të gjithë ju në çdo takim të vogël apo të madh gjatë kësaj fushate. Së pari, punët e qeverisë duhet të vihen në dukje dhe duhet të përmendni të gjitha reformat tona të mëdha për të bërë shtet: rendi, drejtësia, energjia, e gjithçka kemi bërë këto katër vite. Investimet dhe rilindjen urbane në çdo qendër fshati e qyteti të harruar. Duhet tu kujtojmë shqiptarëve se përballë dëshirës sonë për të bërë shtet kemi alternativën e PD­së për të bllokuar vettingun, duke kërkuar të na kthejnë 20 vjet më pas, si në ’97­ën. Së dyti, nuk duhet të na kapë arroganca dhe duhet të pranojmë se kemi ende shumë punë për të bërë, ama nëse ndalemi këtu, projektet tona do të ngelin në mes. Së treti, duhet të ndalemi tek punësimi. Ne deri tani kemi bërë shtet dhe kemi kryer reforma thelbësore. Ne që bëmë kaq shumë, mandatin tjetër mund të bëjmë shumë më shumë për të hapur vende të reja pune”.

Për negociatat me PD-në dhe çfarë ndodh më pas

“Sa ju takon negociatave me PD­në, dua të them se asnjë nuk është konkretizuar përpos gatishmërisë sonë për të dialoguar dhe për të lëshuar pushtet. Oferta jonë për PD nuk përfshin ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Ne, në respekt të Kodit Zgjedhor, pak ditë më parë i ofruam shtyrje me një javë, duke i qëndruar besnik afatit kushtetues. Tashmë nuk mund të negociojmë më ditën e zgjedhjeve. Ata duhet të votojnë vetingun, dhe të vijnë në zgjedhje në 28 qershor. Po deshën, kjo është qasja jonë”.

Aktualisht nuk mund të them me saktësi se çfarë na pret. Jemi duke negociuar. Janë të hapura të dyja mundësitë: edhe të shkojmë në zgjedhje me PD, edhe pa PD”.

Për mandatet e reja; as më shumë dhe as më pak, por aq sa na duhen…

“Do të kërkoja nga të gjithë ju përgjegjshmëri maksimale për të garantuar zgjedhje me standarde. Pa asnjë incident, pa asnjë shkelje. Do të jemi në monitorim të fortë, sidomos nëse nuk vjen PD në zgjedhje. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse qimja do të bëhet tra. Ata do të kërkojnë në çdo rast për të bërë pis procesin. Nuk duhet të na shkojë në mendje asnjë manipulim, juve jo e jo, por as atyre poshtë jush. Komisionerët që duhet të zgjidhni duhet të jenë njerëzit me më shumë integritet. Nuk na duhet asnjë votë në tavolinë, harrojeni, asnjë të mos guxojë. Duhet të keni parasysh një gjë. Nëse marrim 71 mandate, ne do të qeverisim për 4 vjet. Nëse marrin 100 mandate ne nuk mund të qeverisim më shumë se një vit. Kështu që, nuk ka nevojë të marrim votat e askujt, nuk na duhen. Na duhen votat tona.”

Si të sillen me LSI-në gjatë fushatës dhe pse janë “në grykë të topit”

“Nuk duhen sulmuar LSI dhe të kthehet në luftë armiqësore fushata, pasi kjo nuk është e nevojshme. Nuk ka nevojë të bëjmë si ajo mësuesja e Kavajës, që për inat të LSI­së, apo të PD­së, për të sjellë sa më shumë njerëz në takim, na solli nxënësit. Ka ardhur koha që Drejtoritë Arsimore Rajonale, policia dhe administrata të ndahen një herë e mirë nga fushatat. Ne duam një proces me standarde, dhe jo të mbytemi nga entuziazmi e të prodhojmë incidente, sepse, e thashë, do të jemi si në grykë të topit, nëse këto zgjedhje i bëjmë pa PD­në. Ne nuk na duhen të rinj të sjellë me zor, na duhen vetëm ata që vijnë me zemër”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here