Rrëfimi 360 gradë/ Nga jeta tek arti, flet Neritan Liçaj: Ndihemi të pavlerësuar, kushtet janë mjerane

0
612

 

Të gjithë e njohin aktorin Neritan Liçaj. Ai është bërë më i njohur me serialin “Njerëz dhe fate” dhe me rolin e Gentit tek filmi “Unë, Ti dhe Kasandra”, por rolet më të bukura dhe më të spikatura i ka në teatër. I angazhuar në role të ndryshme në teatër dhe film, vazhdon të jetë tepër i dashur për publikun shqiptar. Për momentin është i anagazhuar tek shfaqja “39 hapat” me regji nga Qëndrim Rijani. Ai ka rolin e Richard Hannay, një personazh në kulmin e depresionit dhe që i ka ardhur në majë të hundës jeta, por që tek publiku kjo pjesë ngjall shpresë dhe optimizëm. Një shfaqje që solli risi në aktivitetin teatror shqiptar. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” ai vjen në një rrëfim 360 gradë, ku ka folur për “39 hapat”, për të vazhduar tek roli i tij i parë duke na treguar emocionet e tij të para, rrugëtimin e tij artistik deri më tani, duke përmendur se si janë kushtet dhe gjendja e teatrit ku ai punon. Neritani na tregoi gjithashtu për historinë e njohjes me bashkëshorten e tij Holtën, e cila ka qenë një dashuri me shikim të parë, për dy djemtë e tij dhe se si është ai, një ditë e tij përtej teatrit dhe filmit.

 

Intervistoi: Irini Meçe 

 

Prej disa ditësh në Teatrin e Metropolit po jepet shfaqja “39 hapat” nga regjisori Qëndrim Rijani. Një shfaqje që po korr sukses. Si e ka pritur publiku?

Publiku e ka pritur goxha mirë dhe e vlerëson gjithë regjisurën dhe rolin e aktorit. “39 hapat” është një shfaqje risi, shumë ndryshe nga çfarë jemi mësuar ne të shohim në teatrin shqiptar, për vetë faktin që është vënia skenike e parë e stilit vodvil. Ne e njohim teorikisht stilin vodvil, por asnjëherë publiku shqiptar nuk kishte parë një shfaqje të mirëfilltë vodvil. Është një shfaqje që ka shumë ritëm, ka shumë dinamikë, aksion dhe kjo është gjë pozitive. Përveç kësaj regjisori Qëndrim Rijani që ashtu si mik por edhe si profesionit e vlerësoj shumë, ka gjetur elementë teatralë të cilën e bëjnë shumë atraktive shfaqjen. Këto mendoj se kanë qenë faktorët që “39 hapat” kishte një impakt të mirë tek publiku.

“39 hapat” një histori spiunazhi, por përpos kësaj kjo shfaqje merret edhe me njeriun, marrëdheniet njerëzore, me dashurinë etj, pra një vepër që ngre shumë pikëpyetje. Sa aktuale është kjo me shoqërinë shqiptare sot?

Kjo shfaqje në thelb ka njeriun, pavarësisht se thelbi i njeriut del nëpërmjet aksionit, nëpërmjet veprimit, pikërisht nëpërmjet kësaj historie spiunazhi. Por në fakt ai është shkruar dhe është bërë film në periudhën midis dy luftrave botërore, ku depresioni njerëzor ka qenë i madh në Evropë dhe në botë. Një histori spiunazhi në të cilën Richard Hannay papritur dhe padashje përfshihet dhe kjo e bën që të rifillojë të rijetojë jetën. Pra, në thelb ka optimizmin për jetën, dëshirën. Mendoj që “39 hapat” është aktuale me shoqërinë tonë sot. Ne në përgjithësi në Shqipëri jemi një realitet i vështirë, shqiptarët po t’i vesh re që në mëngjes janë të ngrysur, nuk buzëqeshin, kanë halle, problematika në jetën e tyre. Pjesa dërrmuese e qytetarit shqiptar e ndjen këtë presion, këtë depresion, këtë stres dhe prandaj mendoj që kjo shfaqje jep pikërisht këtë mesazh; optimizmin. Edhe në moment të vështira njeriu duhet të gjejë momente dhe shtysa, motive që të jetojë jetën. Pjesa ngjall shpresa.

Ju vini me rolin e Richard Hannay, pra një personazh që  i ka ardhur në majë të hundës jeta, është në kulmin e depresionit. Si jeni gjetur ju në këtë rol dhe çfarë keni parë diçka interesante tek ai?

Mua asnjëherë nuk më kishte qëlluar në karrierën time që të luaja një persoanzh me kaq shumë aksion, me kaq shumë veprim skenik. Të gjitha shfaqjet sigurisht kanë veprime skenike, por jo të këtij lloji aksioni, të një veprimi fizik shumë intensiv. Dhe kjo mendoj se është më e veçanta përpos atyre që kam thënë edhe më lart.

Si do ta kategorizoni apo listoni rolin e Richard Hannay në listën tuaj të roleve që keni luajtur?

Një rol shumë sharmant, shumë i bukur, nga i cili padiskutim mendoj që më ka pasuruar nga ana profesionale. Pra, i kam dhënë shumë dhe më ka dhënë shumë. Por do ta listoja si nga rolet që më tepër më kanë dhënë, si Neritan në radhë të parë dhe si aktor.

Një shfaqje që ka sjellë risi në aktivitetin teatror në vendin tonë. Pse kjo rrugë kaq e gjatë që kjo lloj shfaqje me këto elementë teatralë të vinte tani dhe jo më parë. Pse mendoni se nuk kanë “guxuar” regjisorët më parë?

Është pak e vështirë për mua që të përgjigjem për këtë, për këtë duhen pyetur regjisorët. Por mendoj që regjisorët shqiptarë në përgjithësi janë të prirur drejt klasikes, pak tentojnë, pak kanë kurajon të provojnë zhanre të tjera. Potencialet i kanë, pse të mos i provojnë fundja dhe këtë e them shumë miqësisht. Qëndrimi bëri një të mirë shumë të madhe që tentoi dhe i rezultoi me sukses.

Dua që të kthehemi pak mbrapa në kohë, tek roli juaj i parë. Cili ka qenë dhe si e kujtoni?

Roli i parë m’u ofrua dhe m’u besua nga Agim Qirjaqi, profesori shumë i nderuar për mua, por për fat të keq ky rol nuk e pa dritën e premierës sepse m’u desh që të largohesha drejt Italisë. Bëhet fjalë për tek shfaqja Rikardi III, me regji nga Agim Qirjaqi. Atë mbaj mend si rolin tim të parë, jo si profesionist sepse nuk kisha dal akoma nga shkolla, isha student, por që hipa në skenë me profesionistë të vërtetë.

Mund të na përshkruani emocionet që keni patur kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Emocionet janë të papërshkrueshme. Është e vështirë që t’i përshkruash me fjalë. Padyshim që janë emocione të jashtëzakonshme, shumë të bukura. Tek emocionet po përfshij edhe përgjegjësinë, kur hipën me profesionistë të vërtetë në skenë të teatrit, me ajkën e teatrit, sidomos kur je i ri dhe s’ke dal akoma nga veza. Kur del nga shkolla atëherë fillon shkolla e vërtetë, fillon ajo që quhet përvojë dhe karrierë e mirëfilltë, që nuk është e lehtë, por shumë e vështirë. Kërkon shumë punë, shumë djersë, shumë përkushtim, shumë idealizëm, por edhe shumë lodhje.

Jeni superticioz dhe keni ndonjë ritual që ndiqni përpara se të ngjiteni në skenë?

Jo nuk jam superticioz. Ndjek vetëm ritualet profesionale që janë: vë grimin, vesh kostumin, futëm nën lëkurën e personazhit shumë më përpara dhe rri në skenë që të përqëndrohem. Këto nuk janë rituale, këto janë pjesë e profesionit. Unë për vete këtë quaj ritual, faktin që rri në skenë mbi një orë, pra e kthej në shtëpi. Teatri ka këtë të bukur që lind edhe vdes brenda dy orëve; lind kur hapet sipari dhe vdes kur mbarojnë duartrokitjet. Që të hysh në një proces kaq intensiv, në kaq pak kohë, sigurisht që kërkon një përqëndrim të madh, një dedikim mbi të gjitha.

Keni studiuar në lice për skulpturë. Pse nuk e keni vazhduar si profesion?

Unë nuk e vazhdoj si profesion skulpturën, por merrem me të. Kam në shtëpi kavaletin, plastelinën ku bëj figurinat e mia për qejf. Kjo zgjedhje ishte sepse në mënyrë inkoshiente e kuptova që nuk isha i zoti, më pëlqen dhe e adhuroj pafund por nuk mendoj se isha plotësisht i aftë. Dhe për fat të mirë në mënyrë shumë djaloshare dhe instiktive vendosa që më mirë të gjeja veten në një vend që vleja sesa të bëhesha një skulptor mediokër dhe në përgjithësi mediokriteti në art të bën të tërhiqesh zvarrë dhe ndonjëherë të bëhesh edhe i keq. Mendoj se bëra zgjedhjen më të mirë që sot i jam mirënjohës vetes për këtë zgjedhje.

Kur jeni njohur për herë të parë me pasionin tuaj për aktrimin?

Pasionin për aktrimin e kam pasur që i vogël. Më pëlqente shumë teatri, filmi, i ndiqja shumë filmat, shkoja shumë në kinema, në teatër. Atëherë organizoheshin festivalet e shkollave 8 vjeçare dhe unë isha shumë aktiv, merresha shumë dhe isha në grupin e teatrit të shkollës. Pra, e kam pasur këtë dëshirë, këtë nxitje, këtë shtytje drejt të interpretuarit që i vogël.

Kë aktor apo regjisor e shihnit si një shembull për t’u ndjekur, që e pëlqenit dhe e admironit?

Ka plot, shumë dhe është e vështirë që të ndaj një dhe të them dy ose tre emra sepse s’do tregoja respekt për të tjerët. Shqipëria do të ketë gjithmonë aktorë dhe regjisorë shumë të mirë, sepse shqiptarët janë me temperament shumë të fortë, që prodhojnë energji, emocione të forta, prandaj dhe ne kemi artistë të mrekullueshëm në lirikë, soprano dhe tenorë, në balet, në artet figurative, skenike, filmike dhe aktorë shqiptarë. Dhe gjithmonë kam bërë apelin që duhen investuar më seriozisht tek ta, sepse në fund fare arti është një vlerë kombëtare, jo politike, as shtetërore. Përkundrazi shteti dhe politika duhet të bëjnë çmos që kjo vlerë kombëtare të ngrihet në majë, sepse ne e meritojmë.

Ju e thatë edhe vet dhe kjo duhet pranuar, që kemi aktorë dhe regjisorë shumë të mirë dhe të talentuar që kanë prodhuar shfaqje që kanë korrur sukses. Por vlerësohen mjaftueshëm këta artistë artistikisht por dhe finaciarisht?

Nuk vlerësohemi mjaftueshëm, është e vërtetë. Në qoftë se një artist duhet të prodhojë diçka të mirë duhet që disa gjëra t’i ketë të zgjidhura nga ana ekonomike, që të jetë i qetë. Nuk po flas për luks. Duhet të ketë një standard jetese normale, ku të mos mendoj nëse mund të sigurojë mirëqenien normale të familjes. Në këtë aspekt ka shumë për t’u bërë dhe me keqardhje e them që ndihemi të pavlerësuar. Këtë nuk e them vetëm unë. Por jo vetëm kjo. Duhet vëmëndje shumë e madhe në bazat ligjore dhe në krijimin e sistemeve të artit që janë domosdoshmërisht për një mbarëvajtje të mirë të artit, gjë që është bërë fare pak deri më tani, për të mos thënë aspak. Është bërë aq pak sa nuk kanë krijuar atë standard apo nivel që arti shqiptar meriton. Dhe të gjitha këto varen nga plolitkbërja. Është tragjike, por fatkeqësisht e vërtet si drita e diellit kjo që do të them. Në këtë legjislaturë të Kuvendit popullor që po mbaron, nuk është mbledhur njëherë komisioni për artin dhe kjo është përtej qesharakes, është tragjike. A thua se puna në institucionet tona shkojnë vaj dhe s’kanë asnjë lloj problematike? Por jo, kanë shumë problematika që ekzitojnë prej vite me radhë.

Si paraqitet gjendja e teatrit sipas jush?

Teatri punon, njerëzit po punojnë, po vihen shfaqje me nivel artistik të madh. Por kushtet për ta thënë troç janë mjerane. Vlerësimi financiar, finacimi që i bëhet teatrit shqiptar nga shteti është qesharke. Teatrit Kombëtar për prodhim shfaqje i është akorduar mesa di unë një buxhet prej 140 milion lekësh të vjetra që është skandalozërisht pak dhe për këtë nuk kanë faj as drejtoria, as teatri. E ka fajin ministria ose kryeministria, që akordojnë fonde kaq të vogla. Pra, unë shtroj pyetjen; çfarë i kushton qeverisë që të financojë më tepër? Ky institucion po prodhon, po nxjerr fryte të mira, po kontribon në jetën kulturore, sallat janë plot, qytetarët po vijnë, teatri po bëhet lajm, çfare pret politika për të na mbështetur?Çfarë duhet të dalim si Kombëtarja jonë në Europian për të bërë një stadium?! Jo! Dhe këtë nuk e kanë vetëm me artin, por e kanë me kulturën, me shkencën, me kërkimin shkencor, me sportin në përgjithësi. Më fal, por një shoqëri zhvillohet nga këto të parat, pastaj nga politika dhe ekonomia, që as diskutohet që edhe këto duhen. Por ajo që ngre nivelin qytetar, ngre intelektualitetin në masat popullore janë pikërisht ato që përmenda dhe në këto duhet investuar fort dhe nuk duhet të lihen kaq pas dore.

Çfarë duhet bërë konkretisht për të ndryshuar këtë situatë?

Është shumë e thjesht. Duhet bërë një ligj i mirë, një status artisti që nuk kushton asgjë që të mbledhësh disa teknicienë dhe ligjbërës dhe t’i bësh këto ligje. U bën 27 vite që nuk ka një ligj për artin ose janë bërë të pa aplikueshëm, pra s’janë bërë me seriozitetin e duhur, për mendimin tim. Unë nuk jam ekspert ligjor, por përderisa nuk aplikohen, këtu diçka ka. Infrastruktura teatrore lë shumë për të dëshiruar, vëmëndja ndaj artit, finacimet ndaj prodhimit të teatrit, filmit, pikturës, librit etj etj. Finacime jashtëzakonisht të pakta. Dhe këto finacime të pakta do të ndikojnë dhe në cilësi. Unë mendoj se në këtë pikë, jo vetëm kjo qeveri, por në përgjithësi qeveritë shqiptare janë treguar indiferente dhe sinqerisht më vjen keq, si qytetarë në radhë të parë, pastaj si artist. Sepse në fund fare ne jemi ata që përpiqemi që t’i japim buzëqeshje publikut, t’i japim dy-tre mendime nëpërmjet artit që bëjmë, përpiqemi që të japim ndjesi të mira njerëzore, përpiqemi që të ndikojmë në jetën shqiptare për mirë. Është e trishtë dhe mendoj se ka ardhur koha që edhe vetë politikbërësit edhe vetë forcat politike t’i bien këmbanës për këtë gjë. Nuk mund ta lenë artin kështu, në këtë gjendje, sepse po flasim për artin shqiptar që është vlerë kombëtare, është vlerë përtej aleancave, përtej interesave politikë. Janë interesa kombëtare.

A e keni menduar ndonjëherë që largoheshit nga Shqipëria siç kanë bërë shumë artistë të tjerë?

Jo nuk e kam menduar ndonjëherë, sepse unë jam patriot. Kam pasur mundësi që edhe të largohem, por kam vendosur që më mirë të jap këto energjitë e mia modeste për vendin tim, sesa të shkoj jashtë dhe do shihem si i huaj dhe do përfundoj të gjej një punë çfarëdo. Kam preferuar që më mirë të bëj art këtu në Shqipëri, qoftë dhe me të ardhura më të pakta që kam këtu, po ama të bëj atë që dua, atë që kam pasion dhe ta bëj për vendin tim. Këtij vendi nuk i duhen vetëm rrugë, ujësjellsa që padyshim janë të domosdoshme që duhen të ishin bërë madje, por nuk ka nevojë vetëm për këto ky vend. Ka nevojë që qytetari edhe të mençurohet, të pasurohet shpirtërisht, ka nevojë që qytetari të qeshi, të mendojë, të reflektojë mbi fenomenet e jetës së tij që i sheh diku në skenë, i sheh diku në galeri. Qeveria mendoj që është ndërgjegjësuar, por thjesht tani duhen që hapat të konkretizohen.

Rrugëtimin tuaj artistik, si do e përshkruani?

I mrekulluëshëm, magjik dhe të vështirë do ta quaja.

Cili ka qenë moment juaj më i vështirë që keni hasur?

Momente të vështira ke plot në fushën e artit, duke filluar që nga individualja deri tek ato që përmenda dhe më lart. Por gjithsesi është një profesion shumë i bukur dhe unë nuk do ta ndërroja me asgjë, pavarësisht vështirësive, problematikat që kemi patur. Më ka bërë që të jeoj një ëndërr të bukur.

E keni menduar ndonjëherë që ta lini ndonjëherë si profesion?

Nuk ka artist që nuk e mendon herëpashere që ta le fare. Dhe kjo është e bukura, sepse të bën që të ridashurohesh, të ridimensinohesh.

E keni menduar ndonjëherë që nëse nuk do ishit aktor, në çfarë profesioni do e shihnit veten?

Këtë nuk e di. Sigurisht që nuk do isha një zyrtar i mirë, për këtë jam i sigurt, (qesh) Jo se kam përçmim për zyrtarët, përkundrazi janë të mrekullueshëm, por duke qenë se profesioni jonë nuk është asnjëherë rutinë dhe çdo përvojë teatrale është përvojë e re dhe do shumë aventurë. Unë e kam shumë të vështirë që ta shoh veten si një njeri që ngrihet, shkon në tetë në zyrë dhe rri atje me një orar të caktuar. Nuk më pëlqen kjo gjë, me gjithë respektin që kam për ata njerëz që e bëjnë këtë punë. Por nësë do më çonte halli dhe do e bëja. (qesh)

Nga rolet që keni interpretuar, kë do të veçonit si më të preferuarin?

Ka shumë, e vështirë të veçoj një. Çdo eksperiencë ka të bukurën e vet.

Ndonjë rol që qëndron në sirtar?

Ka plot dëshira, por kjo nuk varet nga unë. Do më pëlqente që të bëja një Hamlet, pse jo, një Rikard III, një Maktbeth, një Mbret Ilir. Do kisha shumë qejf që të bëja një Tartuf të mirë, një Koprac të mirë. Janë role të mrekullueshme që mbeten ëndërr në karrierën e çdo aktori në botë, jo vetëm tek unë.

Përtej teatrit si është jeta juaj e përditshme?

Jeta ime është e ndarë  mes dy dashurive të mia të mëdha; familja e para dhe teatri i dyti. Kjo është jeta ime. Mund të duket shumë e varfër, por jo, është shumë e pasur, është e mrekullueshme, nuk do ndryshoja asnjë presje të jetës time.

Jeni i martuar me Holtën dhe keni dy djem. Mund të na tregoni pak rreth se si jeni njohur me të?

Kam dy djem të mrekullueshëm dhe një grua që nuk gjej fjalë ta përshkruaj. Për sa i përket njohjes me Holtën, ka qenë një lloj goditje rrufeje. Që në momentin e parë që e kam parë më ka bërë shumë përshtypje, me një energji, me një dritë, me një diell që reflekton. Por kjo gjë ka ndodhur dhe me Holtën, pasi më ka thënë më vonë që i kisha bërë edhe asaj përshtypje. Pastaj filluan takimet e para, njohjet e para, pra ishte një lloj dashurie me shikim  të parë me Holtën padiskutim, një dashuri që vjen çdo ditë e më shumë duke u shtuar. Jemi një bashkë, në temperament, në mënyrën e të menduarit, pra shumë gjëra të përbashkëta, por vetëm me një përjashtim të vogël se unë jam pak më i rregullt, flas në gjëra të vogla, pasi jam djalë ushtaraku, por edhe ajo është e mrekullueshme në rrëmujën e saj. Në fillim nxehesha, por tani vetëm qesh.

Sa ka ndryshuar jeta juaj me ardhjen në jetë të dy fëmijëve?

Është si para dhe pas lindjes së Krishtit. Para fëmijëve ishte jetë qejfi, gëzonim rininë, dashurinë tonë, dilnin harboheshim në lokalet e natës deri në 5 të mëngjesit, pinim, iknim në plazh. Pra, ishim pak moskokëçarës. Kjo ishte para Krishtit. Ardhja e fëmijëve është pas, Krishtit dhe çdo gjë ndryshon, të ridimensionon si njeri.(buzëqesh). Ti nuk mund të jesh aq egoist sa mund të mendosh vetëm kënaqësitë e tua, por e gjithë ajo dashuri kthehet në një dedikim të mrekullueshëm që janë sytë e fëmijëve, buzëqeshja e tyre, meraku kur ata sëmuren, kujdesi që t’i rrisësh dhe t’i edukosh mirë, të japësh maksimumin, pasi në fund fare është një qenie biologjike e cila vjen në jetë për t’u riprodhuar. Dhe obligimi më i madh që ke është se çfarë pasardhësi do i lesh kësaj bote, këtij mikrorealitetit shqiptar përballë kësaj bote të madhe.

Do të doje që t’i shihje fëmijët e në rrugën tënde, pra në aktrim?

Unë do doja që t’i shihja në çfarëdo lloj rruge që do të zgjidhnin që të ishin të realizuar. Nuk do imponoja kurrë, por po i edukoj me shije të mira artistike, me librin, me galerinë e arteve, me teatrin, sportin etj. Pra me të gjithë këto gjëra po mundohem që t’i edukoj me shije të mira, në mënyrë që ata të jenë të denjë për këtë vend. Kjo është detyra ime si prind, pastaj zgjedhjen që ata do të bëjnë është në të drejtën e tyre, dhe unë nuk kam ndërmend që të ndërhy ndonjëherë. Para dy-tre javësh djali i madh Marku që është 13 vjeç, i cili është në një fazë shumë të bukur të jetës, që unë po e gëzoj dhe po e shijoj pa fund, më tha: ‘Çfarë mendon ti që të bëhem kur të rritem?’. Dhe iu përgjigja që ajo të takon ty ta zbulosh, nuk mund të të them bëhu një gjë apo një gjë tjetër se nuk kam të drejtë. Por për një këshillë mund të të jap, nuk e di, i thash, të shikojmë pritjet e tua. Një këshillë patjetër por pak më vonë kur të zbulojmë prirjet e tij, por asnjëherë që të ndërhy në zgjedhjen e tij.

Keni bërë ndonjë projektim për veten, ku e shihni pas disa vitesh?

Unë jam nga ato tipa, që jetoj ditën,jetën dhe nuk bëj shumë plane. Për mua ka rëndësi të hedh hapa të vegjël në jetën time, por me dinjitet. Kjo ka rëndësi për mua, ndjek zemrën nuk ndjek shumë mendjen. Prandaj vazhdoj që të mbetem si idealist.

Projektet e tua e së ardhmes mund të na i zbuloni?

Ka goxha projekte, edhe para pak ditësh më erdhi një projekt, por për momentin e kam lënë pezull për shkak të angazhimeve, por do të isha shumë i lumtur nëse do të merrja pjesë. Pastaj kam një film, kam dy-tre shfaqje pas filmit. Pra, shtatori deri në dhjetor jam shumë i zënë, në kuptimin e mirë të fjalës, jam në punë. Është pak herët për të thënë se cilat janë projektet, pasi po luftohet për financimin e filmit, që do të bëhet pasi është një skenar i mrekullueshëm, bazuar mbi një roman të jashtëzakonshëm të një nga shkrimtarëve shqiptar më të adhurueshëm për si Besnik Mustafaj, që unë e vlerësoj shumë. Po punohet ka dal një skenar i mirë, por do shumë punë dhe shumë përkujdesje për të arritur aty ku duhet, ku pritshmëritë janë dhe ku materiali të detyron të shkosh. Pastaj ka shfaqje të tjera, por është ende herët për të folur pasi nuk janë formësuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here