Deputetët e mazhorancës nxjerrin të palarat se si sillen me pushtetin dhe njëri – tjetrin

0
204

Në përpjekje për të goditur publikisht LSI –në, një deputet i PS ka treguar se si sillen me pushtetin përfaqësuesit e dy forcave politike që qeverisin vendin. Vladimir Kosta ka publikuar disa mesazhe që ka shkëmbyer me deputetin e LSI, Përparim Spahiu, duke e akuzuar atë dhe vëllain e tij, Drejtor i DPSHTRR se nuk u zgjidhin hallet socialistëve të thjeshtë. Historia nis me një kërkesë të Kostës drejtuar vëllait të deputetit të LSI, Ylli Spahiut për t’i dhënë një autorizim për makinën.

“I telefonova një ditë drejtorit që të pajisesha me një autorizim që vërtetonte se makina ime ishte me impiant gazi. Është një procedurë teknike e thjeshtë dhe brenda rregullave. Të nesërmen do bëja një rrugë të gjatë dhe doja që të mos kisha probleme në pikat kufitare.

Telefonata ime me drejtorin: Përshëndetje drejtor, jam Vladimir Kosta, më duhet një autorizim për një impiant gazi etj, etj,…

Përgjigja e drejtorit (siç duket nën efektin e alkoolit gjatë vaktit të drekës ishte): “Ik ër ti me gjithë autorizim…”. Nuk reagova, dëgjova të qeshurat e tyre në tavolinë dhe thashë se do jetë ndonjë keqkuptim!

Por realisht u shqetësova për këtë mënyrë komunikimi dhe fill pas kësaj fyerje mora në telefon të vëllanë, deputetin Përparim Spahiu. Duke menduar se jemi kolegë dhe për më tepër aleatë, i thashë edhe me pak humor: “O Rimi, more ky Ylli ka pirë!!!?”. Por në vend të një sqarimi normal, deputeti i LSI që duket se i di problemet e të vëllait për pijet alkoolike, mu kundërvu ashpër, me gjuhën e një rrugaçi duke më kërcënuar edhe në emër të dibranëve!!! Deri në atë moment dija që Dibra mbahet për njerëz me kulturë dhe intelektualë dhe jo për të fortë. Nuk e dija dhe që vëllezërit Spahiu “të marrkan gjak në vetull siç thotë populli!

Kur një deputet i PS merr këtë përgjigje mendoni çfarë heqin socialistët e thjeshtë në zyrat e LSI? Çfarë borxhi u kanë socialistët këtyre të LSI të sillën në këtë mënyrë? Ka raste pa fund se si socialistëve u përplasen në fytyrë zyrat e shtetit nga drejtuesit e LSI. Kjo është bashkëjetesa e mes PS dhe LSI? Për këtë duhet t’u jemi mirënjohës këtyre të LSI”, shkruan Kosta në facebook.

Duke e bërë publike këtë histori, deputeti i PS tregon se së pari se si i sheh ai institucionet shtetërore. Ai shpreh shqetësimin “për popullin”, por asnjë nga “populli” që i duhet vërtetim për makinën nuk merr në telefon drejtorin e përgjithshëm të patentave dhe as vëllain e tij për t’i kërkuar llogari se si drejtori nuk i zgjidhi hallin. Qytetarët që kanë çdo ditë punë nëpër institucione, mbajnë radhë nëpër sportele, gjë e cila nuk ndodh me deputetë e zyrtarë që në emër të pushtetit kërkojë privilegje që nuk u takojnë.

Imagjinoni sikur të gjithë t’i telefononin drejtorit të përgjithshëm të patentave për t’u kërkuar “procedura teknike të thjeshta dhe brenda rregullave” sepse të nesërmen janë për një rrugë.

Nga ana tjetër ai tregon gjithashtu mënyrën e komunikimit që kanë deputetët e pushtetarët me njëri – tjetrin, se si fyejnë, kërcënojnë, si lënë takime për të treguar burrërinë, siç veprohet nga bandat. Dëshmi e kësaj janë vetë mesazhet që ka publikuar deputeti i PS në komunikimin e tij me deputetin e LSI (shih më poshtë në faqen e lapsi.al)

Rasti është denoncuar si provë e një marrëdhënie të prishur mes aleatëve dhe mënyrës se si sillen përfaqësuesit e LSI me pushtetin. Por më shumë se një debat brenda mazhorancës, përmbajtja e komunikimit tregon bindjen që kanë krijuar pushtetarët se ata nuk janë si të gjithë qyetarët e tjerë në raport me institucionet, që duhet t’u vihen në dispozicion, sa herë u nevojitet për nevoja personale. /Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here