Veseli: Nuk më befasuan emrat e Italisë, frymëzohem nga Loriku

0
166

Frederik Veseli as nuk u tremb e as nuk u befasua nga emrat e mëdhenj me të cilët iu desh të përballej në ndeshjen e humbur 2-0 ndaj Italisë të premten mbrëma. Mbrojtësi i Kombëtares vlerësoi forcën e grupit tek italianët, por theksoi që gjatë karrierës së tij ka pasur kundër lojtarë edhe më të fortë.

Në një dalje para mediave në prag të miqësores ndaj Bosnjës, 24-vjeçari i lindur në Zvicër u shpreh mes të tjerash se ka pasur si model për t’u ndjekur Lorik Canën, për të cilin thotë se i ndjehet mungesa në Kombëtare.

Veseli konference

Deklaratat e Veselit:

Sinjal për De Biazin?

“Kam qenë gjithmonë në dispozicion të kombëtares dhe gati për të luajtur. Këtë e vërtetova kundër Italisë. E mbaj veten gjithmonë në dispozicion dhe nëse luaj, për mua është krenari shumë e madhe. Është edhe një bonus jo vetëm për mua, por besoj edhe për skuadrën. Normalisht, askush nga lojtarët nuk vjen në Kombëtare pa menduar se ka mundësi të luajë titullar. Unë e realizova ëndrrën time duke luajtur titullar për kombin tim në një ndeshje zyrtare. Unë kam vetëbesim, mendoj se kam cilësi të ndryshme nga lojtarët e tjerë dhe shpresoj e besoj se do jem një bonus për Kombëtaren”.

Përballja me emrat e mëdhenj të Italisë

“Ishte e vështirë si skuadër, por si individualitete nuk më befasuan emrat si Imobile, Beloti, Kandreva, Insinje apo Verrati. Për shumë vite unë kam luajtur edhe kundër futbollistëve shumë më të fortë se ata, prandaj nuk pata frikë. Ndoshta si skuadër janë shumë të fortë, por personalisht nuk pata kurrfarë frike. Besoj se as ekipi nuk e ndjeu, pasi ishim përgatitur mirë gjatë javës dhe e kishim kuptuar mirë qëllimin e trajnerit. Besoj se bëmë një ndeshje të mirë edhe taktikisht, edhe me impenjim”.

Miqësorja me Bosnjën

“Unë synoj gjithmonë të luaj sa më shumë. Kënaqësinë e kam kur jam në fushë, por vendos trajneri. Kam thënë përherë se jam në dispozicion të trajnerit, ai vendos. Unë vij për të ndihmuar ekipin, por vendos ai. Jam gati për çdo rast dhe i kënaqur nëse luaj ose jo”.

Besimi i De Biazit

“Trajneri më njeh prej shumë kohësh, që kur isha te Mançester Siti dhe Junajtidi. Edhe Tramexani më ka ndjekur dhe ata më njohin edhe më mirë se gazetarët. Nuk isha aktivizuar me skuadrën e parë, por me rezervat isha gjithmonë aty dhe besoj se kanë pasur kontakte edhe me përfaqësuesit  klubeve. Tek Empoli unë luaj në krahun e djathtë, por pozicioni im natyral është në qendër të mbrojtjes. Mund të luaj edhe në të majtë apo si mesfushor mbrojtës dhe besoj se për trajnerin ky është një bonus. Jam në dispozicion të ekipit dhe jam i kënaqur që trajneri ma dha mundësinë dhe që e tregova veten në sytë e trajnerit, shokëve dhe tifozëve”.

Cana - Veseli

 

 

 

 

 

 

 

 

Zëvendësues i Lorikut?

“E zëvendësova në një ndeshje, por ta zëvendësosh si status është shumë e vështirë. Megjithatë qëllimi im nuk është ta zëvendësoj Lorikun, por të bëj vendin, karrierën dhe statusin tim. T’i afrohesh statusit të kapitenit është diçka shumë e bukur. Ai ka arritur shumë për veten dhe Kombëtaren dhe mund ta them pa frikë që është një legjendë e futbollit shqiptar”.

Cana, modeli për t’u ndjekur

“Me Lorikun kemi humbur një figurë të rëndësishme edhe për marrëdhëniet që krijonte mes lojtarëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova. Unë e njoh Lorikun që kur isha gjashtë vjeç, pasi të dy jemi rritur në Lozanë. Pra, prej njëzet vjetësh e kam pasur si model për t’u ndjekur. Edhe pse nuk është më në skuadër, besoj se ka krijuar një rrugë të mirë për të gjithë lojtarët që janë jashtë. Na mungon pak, se Loriku është Loriku, por duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë e të ecim përpara. Besoj se ai ka punuar për disa gjëra që mund të rregullohen edhe kur nuk është vetë këtu”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here