Murgjit italianë në XVIII: Himariotët s’ngjajnë me grekët

0
439

Kudo njerëzit nëpër vende të ndryshme marrin në vetvete karakteristaikat e vendit ku ata jetojnë. Mundohen të përshaten dhe nëse ju ndodh të lëvizin në një qytetet tjetër përfaqësojnë një mënyrë të heshtur vendin nga vijnë.

Aristoteli e konsideronte individin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundërpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i veçantë, i veçuar, i ndarë.

Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni, që fillon nga teogjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes. Ky është një udhëtim, që duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…

Kështu edhe Himariotët “njerëzit kokëshkretë” , që nuk pranonin të qeveriseshin nga askush, që i trembeshin vetëm Zotit, që nuk ngjanin aspak me grekët, që e donin lirinë, por zbatonin ligjet… Këta ishin himarjotët gjatë shek. XVI-XVIII. Nisur si një homazh për murgjit bazilianë në Shqipëri, por edhe dëshmi e misioneve ungjillëzuese në Ballkan, libri “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri-Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”, me autor arbëreshin Nilo Borgia, sjell dëshmi të çmuara për këtë zonë të shumëpërfolur të Shqipërisë. Libri, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, vjen në gjuhën shqipe falë përkthimit të Mimoza Hysës.

“Dokumentacioni i përpunuar nga misionarët dhe nga Nilo Borgia përbën një burim të rëndësishëm, që i lejon historianët dhe studiuesit të rindërtojnë, edhe pse me rezervat që rrjedhin natyrshëm nga dëshmi të tilla, dinamikën e disa zhvillimeve në trevat jugore të Shqipërisë, ku më shumë se gjetkë është ndier pesha e konflikteve etnike, sociale dhe fetare. Nëse Himara e shek. XVIII gëzon privilegjin të jetë përshkruar gjatë periudhës historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, kjo u detyrohet misionarëve bazilianë që punuan aty, por edhe historianit që disa shekuj më vonë e ringjalli veprën e tyre të jashtëzakonshme”, shkruan në parathënien e librit Matteo Mandala.

Nga libri
Gjendja politike dhe morale e Himarës
Himara është kryeqendra e krahinës-kështu lexojmë në relacionin e një misionari, që qëndroi aty për vite të tëra. Në kohët e shkuara ishte fortesë dhe kryesonte të gjitha qytetet e krahinës; por tashmë nuk i ka mbetur gjë tjetër, përveç emrit, sepse, duke qenë një komb që kërkon prej natyre liri të skajshme, nuk duron mbi vete asnjë lloj zgjedhe sunduese, gjë e cila vërehet, madje edhe në fshatrat përreth, ku nuk ka gjë tjetër veç maleve të lartë, shkëmborë dhe të thatë, prej nga banorët përfitojnë një ajër tejet të pastër, falë të cilit janë aq të shëndetshëm dhe të fuqishëm. Megjithëse ushqehen dhe vishen shumë keq, himarjotët nuk duan t’ia dinë kurrë as për të nxehtin, as për të ftohtin e as për lodhjen, sado e rëndë që të jetë. Gjithashtu nuk sëmuren kollaj dhe, kur u ndodh ndonjëherë, shërohen lehtë duke mbajtur pak dietë, pa ndihmën e mjekëve e ilaçeve që as gjenden atyre anëve. Kështu arrijnë të jetojnë gjatë, në mos ua marrtë jetën ndonjë krismë pushke apo vdekje e dhunshme, gjë që ndodh shpesh atyre anëve për shkak të armiqësive të shumta që kanë mes tyre.
Meqenëse Zoti dëshiron që në këtë botë të ketë ekuilibër mes të mirave dhe të këqijave, fuqia e Tij, me madhështinë e pafundme që e karakterizon, e bëri që t’u falë atyre njerëzve, nga njëra anë, ajër tejet të shëndetshëm e të përsosur e, nga ana tjetër, t’u kufizojë tërë ato mrekulli që zakonisht fal natyra në vende të tjera, kështu, duke qenë se toka është aq shterpë, saqë prodhimet nuk u mjaftojnë as për gjysmën e vitit dhe as nuk kanë ndonjë gjë tjetër me shumicë që të mund ta shkëmbejnë për të përballuar jetesën, janë të detyruar të ushqehen të gjithë me pak mel dhe ujë. Dhe shumë prej tyre që nuk kanë as këto, mbahen me ditë të tëra me barishte të egra, pa asgjë tjetër shtesë.
***
Ndërsa sa i përket mënyrës së këtyre njerëzve për të qeverisur, nuk dyshoj aspak se do të duket shumë e çuditshme, duke qenë se është tërësisht e kundërt nga ajo e kombeve të tjera të botës, e për më tepër prej mënyrës greke, e cila, edhe pse e dëshiron shumë lirinë, nuk gjendet asnjëherë pa një apo më tepër prijës në krye, të cilët kanë qeverisur gjithnjë nëpërmjet ligjeve të shkruara, herë duke rrëmbyer shpatën për të vendosur drejtësi ndaj keqbërësve, herë tjetër duke ua shpërblyer me bollëk atyre që janë në anën e së drejtës. Madje, shumë prej tyre, duke e ditur mirë se liria e vërtetë mes popujve të ndryshëm qëndron te ruajtja e një ekuilibri të drejtë të siguruar nëpërmjet mirëqeverisjes, u vunë të hartonin ligje dhe t’i shpërndanin ato nëpër botë, të bindur se kjo është një nga gjërat më të çmuara që politika mund të bëjë.
Kjo krahinë, duke u ndodhur në mbarim të Greqisë, nuk i përngjet aspak asaj. Përveç faktit që këta popuj paguajnë një farë takse që turku të mos i ngacmojë, nuk njohin askënd tjetër mbi veten, përveç atyre që i zgjedhin po ata vetë sipas gjykimit të tyre, me qëllim që në periudha të rëndësishme të vitit t’i kushtojnë një farë kujdesi komunitetit. Gjykatës, gjyqtarë, oficerë dhe titullarë të tjerë të ngjashëm, që janë të nevojshëm për mirëqeverisjen e një populli të madh në numër, janë tërësisht jashtë loje ndër ato vise, ku gjithsecili është zot i vetes dhe i shtëpisë së tij, duke jetuar si t’i pëlqejë, pa pasur frikë prej askujt, veç Zotit dhe forcës së shumicës. Nga ky parim aspak i mirë mund të kuptohet se sa të këqija mund të pasojnë: sa vrasje, sa grabitje, sa padrejtësi mbeten pa u ndëshkuar, sa të tjera kryhen çdo ditë pikërisht ngaqë nuk ndëshkohen dhe sa me vështirësi ndreqen pasi janë kryer.
Të gjithë rrinë vazhdimisht me armë në dorë, kush për të cenuar tjetrin e kush për të mbrojtur veten dhe familjarët e vet. E duke qenë se të gjitha fiset përndiqen si armiq mes tyre, nuk dalin kurrë nga shtëpia pa qenë të armatosur më së miri dhe të përgatitur për t’u ndeshur. Më ka ndodhur edhe mua të marr pjesë në përleshjet që himarjotët patën me fisin e danielëve, i cili nuk ndodhet as tri milje larg tyre, dhe ku, për shkak të gjakderdhjes së madhe që pashë, duke ndier keqardhje për ata mjeranë që po shuheshin në atë mënyrë, u përpoqa mjaft herë t’i pajtoja, por armiqësitë kishin shtënë rrënjë aq të thella në zemrat e tyre në tridhjetë vjet, saqë përveç sigurimit të armëpushimeve të përkohshme, nuk arrita t’i shuaja tërësisht.
Më e keqja ndër të gjitha është fakti që, ndërsa dikush kryen fajin, dënimin në shumicën e rasteve e vuan dikush tjetër. Për ta kuptuar më mirë këtë gjë, duhet ditur se në ato vise nuk ka gjykatës apo epror tjetër për të ndëshkuar krimet që kryhen. E, kështu, çdonjëri, për të mos u keqtrajtuar nga tjetri, përpiqet të tregohet më i fortë, duke bërë për vete sa më shumë të afërm, të cilët, ashtu së bashku, formojnë grupime sipas larmisë së farë e fiseve, siç thonë, dhe në raste nevoje i vijnë në ndihmë dhe në mbrojtje njëri-tjetrit.
Lidhja e gjakut mes tyre është kaq e fortë, saqë e kanë për gjynah të lidhin krushqi edhe në brez të pestë, të dhjetë apo qoftë dhe të njëzetë. Dhe, kur ndodh që njëri prej tyre vret dikë të një fisi tjetër, të gjithë futen në gjak, pavarësisht shkallës së përfshirjes, që është në varësi të afërsisë me vrasësin. Edhe pse nuk janë aspak të ndërgjegjshëm për zhvillimin e ngjarjes, të gjithë të afërmit e të vrarit armatosen për t’iu kundërvënë vrasësit dhe të afërmve të tij, duke i dëbuar me forcë nga shtëpitë dhe tokat e tyre, pa marrë parasysh as seksin dhe as moshën. Më pas u rrafshojnë shtëpitë, u presin pemët, u shkulin vreshtat, u vënë zjarrin të mbjellave, e ashtu të varfër e të mjeruar i lënë të enden gjithkund për sa kohë t’u teket. Dhe, nëse çështja nuk ndreqet së fundmi nëpërmjet parasë, vrasin vrasësin ose, në pamundësi për të gjetur atë, ndonjërin prej të afërmve të tij, e vetëm pas kësaj bëjnë paqe.
Një zakon i tillë sigurisht që duket një ndër më të egrit dhe më të padrejtët që mund të haset, por atyre u duket kaq i zakonshëm, saqë nuk dallojnë gjurmë padrejtësie. Çdoherë që përpiqesha t’i qortoja për të tilla mizori, duke u thënë se nuk mjaftonte afërsia fisnore për ta bërë një person të caktuar fajtor, përderisa nuk vepron me vullnetin e tij të lirë, duke pasur parasysh se filius non portalit iniquitatem patris, neque pater filii (biri nuk mbart paudhësitë e të atit dhe ati ato të të birit), më përgjigjeshin që kjo ishte gjyqësia dhe drejtësia e tyre dhe se, po të mos ishte kaq e rreptë sa për fajin e një njeriu të vetëm të vuanin të gjithë të tjerët, do të kishte nga ata që do të kryenin vrasje çdo ditë, do të kishte shumë më tepër vdekje nga vrasjet sesa nga vetë natyra. Në fakt, duke qenë se këta njerëz janë prej natyre aq luftarakë dhe aq të dhënë ndaj armëve, saqë dhe mburren për një gjë të tillë e shpenzojnë gjithçka kanë, nuk do të mund të gjendej mënyrë më e mirë për t’i ndalur sesa çka u tha më sipër, sepse atë që nuk arrin ta bëjë frika për veten, e bën dashuria për bijtë dhe të afërmit e tyre.
Edhe pse këta njerëz janë prej natyre të prirë ndaj armëve, kjo nuk do të thotë se me ta nuk mund të merresh vesh. Madje, nëse do t’i analizojmë për zemërgjerësinë, duke anashkaluar shpërthimet e tyre mburracake, mund të themi se janë tepër të butë e të afrueshëm, të pajisur nga natyra me aftësi të tilla, saqë, po të kishin dhe një drejtim politik, si dhe njohuri mbi artet liberale, nuk do të binin aspak më poshtë se mjaft kombe të tjera të botës. Por, ashtu siç dergjen mjaft xhevahire me vlerë në shpellat e atyre maleve, të cilat nëse do të binin në duart e shkathëta të një argjendari do t’i pastronte e do t’i ndreqte për të zbukuruar me to shumë mitra dhe kurora, kështu edhe në ato male të ashpra humbasin mjaft qenie bujare, të cilat, po të kishin pasur mundësinë dhe fatin e shumë të tjerëve, do të shndrisnin edhe ata mes yjeve të kësaj kupe qiellore të mistershme.
Një argument i gjetur që vërteton sa më sipër, është çiltërsia në mënyrën e tyre të jetesës, e tillë sa mes njëqind vetave që rrëfeheshin tek unë në krye të vitit, nuk gjendeshin as njëzet veta që të fshihnin brenda vetes mëkate mortore; gjë që është vërtet për t’u habitur, sepse në një vend ku liria nuk ka kufi, ku nuk ka ligje që të drejtojnë, parime që të udhëheqin, gjykatës që të ndëshkojnë, mësues dhe predikues që të këshillojnë, vështirë që të gjendet një pafajësi e tillë (relacion i Giovanni de Camillis, 18 prill 1673).
Citimi i mësipërm, edhe pse i zgjatur, na u duk i domosdoshëm për të bërë të njohur më mirë se në çfarë ambienti dhe vështirësish, mungesash dhe sakrificash u zhvillua veprimtaria e misionarëve. Një përshkrim i tillë përputhet më së miri me çka na bën me dije informatori ynë kryesor, imzot Stanila, për sa u përket kushteve të paqes dhe të pavarësisë së Himarës në kohët për të cilat ai bën fjalë, si dhe vullnetit të vazhdueshëm të himarjotëve, gjithnjë të gatshëm për të luftuar, me qëllim që të çliroheshin njëherë e përgjithmonë nga sundimi turk, gjë krejt e natyrshme për t’u kuptuar e konfirmuar edhe në dokumentet tona. Ai shkruan pikërisht se banorët e Himarës, ashtu si i gjithë brezi i anës perëndimore të Shqipërisë, nuk duan t’i nënshtrohen asnjë qeverie, por të jetojnë në liri të plotë. Qeveriseshin me ligjet e tyre tradicionale, për fat të keq ende me gjurmë egërsie dhe barbarizmi, por në tërësi kishte gjithnjë rregull dhe disiplinë mes tyre e mbi të gjitha një unitet tepër të fortë kur paraqitej nevoja për të luftuar armikun. Misionari ynë vë në dukje me një farë keqardhje: Është më se e vërtetë që, nëse kryejnë ndonjë vrasje apo krim tjetër, dënohen sipas rregullave të zakoneve të tyre të lashta, edhe pse ato janë barbare dhe kundër ligjeve hyjnore dhe njerëzore, ndërsa populli rri e kundron pa kurrfarë vrasje ndërgjegjeje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here