Plagosja e shefit të Krimeve, Alla: Kam qenë i dehur, nuk mbaj mend

0
150

Sonja Caka

musaDje masa te Krimet e Rënda me dyer të mbyllura, të rinjtë heshtin para gjykatës. Avokatët kërkojnë veçimin e çështjes dhe kalimin në gjykatë të zakonshme për 3 të akuzuar, rrëzohet kërkesa

 

“Kam qenë i dehur, nuk di çfarë kam bërë”. Me këto fjalë është përpjekur të shfajësohet për krimin e kryer Fitim Alla para hetuesve, ndërkohë që dje para gjyqtarit të Krimeve të Rënda ka preferuar të heshtë, duke ia lënë fjalën avokatit të tij për ta mbrojtur. Ndërkohë tre të akuzuarit e tjerë përmes avokatëve kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me plagosjen e shefit të Krimeve, nuk e kanë qëlluar ata. Por, pretendimet e katër të akuzuarve për ngjarjen e rëndë të pasdites së 13 janarit në Suç të Burrelit, janë hedhur poshtë nga versioni i lexuar në gjykata nga prokurorja Elisabeta Imeraj. Sipas saj, shefi i krimeve Musa Skura së bashku me kolegët kishin dalë për operacion, pasi kishin informacion nga një banor i zonës se disa të rinj dispononin municione dhe armë dhe do t’i tregtonin. Madje, policia kishte informacion edhe për persona të maskuar që operonin netëve në këtë zonë, duke sulmuar automjete apo njerëz të ndryshëm për t’i grabitur, nën përdorimin e armëve. Policia ka dalë në vendin ku flitej se do të bëhej shitja dhe u ka bërë thirrje të ndalonin të rinjve, duke u thënë Ndal, Policia. Por, ata janë mundur të largohen dhe, sipas përfaqësues së akuzës, shefi i krimeve është përleshur me të rinjtë, ndërsa njëri prej tyre, pikërisht Fitim Alla, e ka qëlluar duke e plagosur rëndë. Pasi ka dëgjuar rrethanat e ngjarjes, pretendimet e tri prej avokatëve për veçim të çështjes për klientët e tyre për t’u gjykuar nga një gjykatë e zakonshme, gjyqtari Ardit Mustafaj ka caktuar masën “Arrest me burg” për të akuzuarit, Fitim Alla, Vilson Milkurti, Edison Lleshin dhe i mituri me inicialet A.Lleshi, ndërsa është shprehur se procedimet janë të lidhur me njëra-tjetrën. Seanca e caktimit të masave të sigurisë u zhvillua fillimisht për disa minuta me dyer të hapura, por, për shkak të sekretit hetimor, gjyqtari vendosi të zhvillohej me dyer të mbyllura. Ndaj personave të arrestuar rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”, si dhe “Shitje dhe mbajtje pa leje të armeve dhe municioneve luftarake”. Të akuzuar për këtë ngjarje janë 19-vjeçari Fitim Alla, 18-vjeçari Vilson Milkurti, 18-vjeçari Edison Lleshi, si dhe 15-vjeçari me inicialet A. Lleshi. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit, Riza Barçi. Ndërkohë që në Gjykatën e Krimeve të Rënda dje u zhvilluan masat për tre të rinjtë, shefi i krimeve Musa Skura ndodhet në gjendje të rëndë, ende në gjendje kome, në spitali “Padre Pio” në Foxha të Italisë, për mjekim më të specializuar. Ndonëse 57-vjeçari i është nënshtruar një operacioni që ka zgjatur plot 6 orë, sërish gjendja e tij paraqitet e rëndë, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemorragjisë së brendshme, çka i ka sjellë humbjen e një sasie të madhe gjaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency