Ndarja e mandateve në Kuvend, të hënën mblidhet seanca e parë parlamentare

0
138

Florenc Drizari

mandatetKonferenca e Kryetarëve miraton me konsensus programin e punës dhe kalendarin trejavor të punimeve

 

Kryetarët e grupeve parlamentare miratuan me konsensus axhendën legjislative të Kuvendit të Shqipërisë për dy muajt e ardhshëm, duke vendosur gjithashtu që seanca e parë plenare për këtë sesion të mbahet më 21 janar, ora 17:00.
Konferenca e Kryetarëve miratoi programin e punës deri në datën 21 mars dhe kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 21 janar – 8 shkurt. Ashtu siç ishte njoftuar edhe më parë nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, tri ligjet e integrimit do të jenë në axhendën parlamentare që në seancën e parë. “Në axhendën e punimeve të Kuvendit, në çdo seancë plenare mbeten në rend të ditës edhe tri ligjet, që kërkojnë shumicë të cilësuar, dhe që përbëjnë kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit. Ndërkaq, Konferenca e parë e Kryetarëve e mbledhur për këtë vit shqyrtoi edhe ndarjen e mandateve për Kuvendin e Shqipërisë. Pas ngërçit të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku projektvendimi për ndarjen e mandateve nuk mori shumicën e votave në Komision, përfaqësuesit e këtij institucioni vendosën që kjo çështje të zgjidhet nga Kuvendi. Gjatë diskutimeve të kësaj çështjeje në Konferencën e Kryetarëve mësohet se palët nuk kanë pasur kundërshtime lidhur me shqyrtimin e ndarjes së mandateve dhe se PS nuk ka votuar kundër ndarjes së mandateve.

Tashmë pritet të jetë detyra e ligjvënësve që edhe me shumicë të thjeshtë votash kanë të drejtën të përcaktojnë skemën e shpërndarjes së mandateve për 12 qarqe; nëse do të përdoret ajo e 2009-ës apo një skemë e re bazuar në ndryshimet demografike. Gjithashtu, pjesë e axhendës parlamentare janë bërë edhe disa projektligje të ardhura nga qeveria në Kuvend, si projektligji për statistikat zyrtare, për sektorin e gazit, për armët, statusin e deputetit dhe një sërë marrëveshjesh të tjera. Por edhe pse seanca e parë parlamentare do të mbahet pasditen e së hënës së ardhshme, komisionet kuvendore do të fillojnë nga puna që ditën e premte më 18 janar.

Debatet për tri ligjet

Seanca e parë plenare që do të mbahet të hënën pasdite, pritet të rikthejë edhe debatet për tri ligjet e integrimit mes mazhorancës dhe opozitës. Projektligji për Gjykatën e Lartë drafti për nëpunësin civil dhe rregullorja e parlamentit kanë qenë tre kushtet e vëna nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të kandidatit në muajin dhjetor të vitit të shkuar; ndërkohë që krerët e politikës shqiptare, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita kanë replikuar në distancë me deklarata shtypi dhe qëndrime publike lidhur votimin e tyre. dy ditë më parë,Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, gjatë një takimi që zhvilloi në Bruksel, shprehu keqardhjen e tij që klasa politike shqiptare nuk votoi tri ligjet e integrimit. Sipas Reeker-it, qëndrimi i një pjesë të klasës politike shqiptare ishte zhgënjyes që nuk miratoi reformat e kërkuara. “Është e një rëndësie jetike, jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç u nënvizua edhe në konkluzionet e Këshillit dhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian, që Shqipëria të vijojë punën në një numër fushash dhe reformash për të konsoliduar demokracinë. Ishte zhgënjyese që nuk qenë të aftë të miratonin disa ligje dhe të ndërmerrnin disa veprime që ishin përcaktuar për të marrë formalisht statusin kandidat”, – ka thënë zyrtari i lartë amerikan.

 

Komisioni i Ligjeve shqyrton sot dy propozimet e Nishanit në ILDKP

Komisioni i Ligjeve do të nisë punën të premten, duke shqyrtuar dekretet e Presidentit Bujar Nishani lidhur me e emrat e propozuar prej tij në ILDKP. Presidenti Nishani të mërkurën dekretoi emrat e 2 kandidatëve për kryetar të ILDKP-së, pasi ky post ka mbetur vakant me largimin e Adriatik Llallës, aktualisht prokuror i Përgjithshëm. “Zonja Zana Xhuka dhe zoti Shkëlqim Ganaj i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, – thuhet në njoftimin e Presidencës. Dy të dekretuarit, Zana Xhuka dhe Shkëlqim Ganaj, do t’i kalojnë Kuvendit për miratim. Do të jenë deputetët ata që do zgjedhin me votë se cilin prej të dyve do të çojnë në krye të ILDKP-së.

 

Ish-krerët e KQZ-së me dy qëndrime për ndarjen e mandateve

Ndarja e mandateve për Kuvendin e Shqipërisë vazhdon të shkaktoj përplasje qëndrimesh edhe mes ish-drejtuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dy ish- kryetarët, Çlirim Gjata dhe Ilirjan Celibashi pajtohen në qëndrimin se KQZ nuk e ka bërë siç duhet punën, por ndahen për mënyrën se si ajo duhet zgjidhur. Për Celibashin, KQZ duhet ta rimarrë edhe njëherë vendimin, ndërsa për Gjatën çështja tashmë është kompetencë e Kuvendit. “KQZ duhet ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje. Nuk ka asnjë pengese ligjore. Mund të thirret një mbledhje tjetër e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje. Do të jetë, për mua, një cenim i standardit të zgjedhjeve dhe i legjitimitetit të zgjedhjeve, nëse pa një procedurë të tillë ne do të shkojmë në zgjedhje duke pasur të njëjtin numër mandatesh për zonat zgjedhore”, – deklaroi Celibashi. “Mendoj që KQZ-ja e ka mbyllur kapitullin e saj dhe nuk kishte pse bëhej debat, se nuk miraton KQZ, por thjesht dërgon një propozim, bën llogaritjet dhe ia dërgon Kuvendit. Pra është Kuvendi ai që e mbyll këtë histori”, – u shpreh Gjata.

 

KQZ përzgjedh 4 kompani për votimin elektronik në Qarkun e Fierit

Komisionit Qendror i Zgjedhjeve hapi procedurat prokuruese për realizimin e sistemit elektronik të numërimit të votave në Qarkun e Fierit, duke përzgjedhur katër kompani konkurruese, 2 spanjolle, 1 angleze dhe 1 amerikane. Komisioni i vlerësimit të ofertave të kësaj procedure prokuruese bëri pranimin e ofertave teknike të paraqitura nga shoqëritë e interesuara, ku nga 6 kompani që kishin shfaqur interes, në momentin e paraqitjes së ofertave pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u paraqiten 4 kompani. Më konkretisht, kompanitë e paraqitura janë: INDRA, kompani spanjolle, SCITL, kompani spanjolle, DRS, kompani angleze, ES & S, kompani amerikane. Pas marrjes në dorëzim dhe inventarizimit të dokumentacionit të paraqitur nga ofertuesit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u tërhoq për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave teknike. Në ditët në vijim Komisioni KVO, do të njoftojë kompanitë që do të kualifikohen në këtë fazë dhe do të ftojë ato të paraqesin ofertat ekonomike. Kjo procedurë zhvillohet në dy faza, faza e shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave teknike dhe faza e shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave ekonomike. Mbledhja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u bë në sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga përfaqësuesit e KVO-ve. Gjatë këtyre ditëve zyrtarët e KQZ-së, thanë se do të mbeten në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kompanive lidhur me për të caktuar kushtet dhe limitet ekonomike në tender. Kjo për faktin se procedurat në tenderin për teknologjinë në zgjedhjet në qarkun e Fierit janë me negocim pa fond limit. Në ditët në vijim Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të njoftojë kompanitë që do të kualifikohen në këtë fazë dhe do të ftojë ato të paraqesin ofertat ekonomike. Lidhur me identifikimin e zgjedhësve në Qarkun e Tiranës do të zhvillohet një tender tjetër ku përzgjedhja e shoqërisë fituese do të kalojë në dy faza: “Në fazën e parë do të përzgjidhen shoqëritë që plotësojnë kërkesat kualifikuese dhe paraqesin një projekt (zgjidhje teknike) që plotëson të gjithë kërkesat bazë të përcaktuara nga ne për hartimin e detyrës së projektim-zbatimit. Shoqëritë që do të kualifikohen në fazën e parë do të ftohen të paraqitin ofertat e tyre ekonomike. Shoqëria që do të ofrojë vlerën më të ulët për realizimin e këtij sistemi do të shpallet fituese e kësaj procedure”, thuhet në relacionin shpjegues të KQZ-së.

 

 

Përzgjedhja e gjyqtarëve, Çefa: Pretendimet e Xhafajt, të pabazuara në ligj

Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, i ka quajtur pretendime të pabazuara në ligj, shqetësimet e deputetit socialist Fatmir Xhafaj, lidhur me kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve në Gjykatat Administrative të vendit. Dy ditë më parë, Fatmir Xhafaj nëpërmjet një letre drejtuar kreut të KLD-së njëherësh presidentit të Republikës Bujar Nishani, e evidentoi si të gabuar zbatimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Xhafaj akuzoi KLD-në se po shkel ligjin, i cili përcakton mënyrën sesi do të përzgjidhen gjykatësit e Gjykatës Administrative. Por në reagimin e tij zoti Çefa i konsideron pretendimet e zotit Xhafaj të pabazuara ne ligj. “Sipas tij neni 5 i ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” përcakton se KLD është autoriteti që përzgjedh kandidatët për gjyqtarë administrativë, ne funksion te se cilës Shkolla e Magjistraturës organizon një testim seleksionues me shkrim. Reforma e drejtësisë përfshin sigurisht edhe reformën për gjykatën administrative, e cila synon konsolidimin e pozitës së qytetarëve dhe të biznesit përballë autoriteteve publike nëpërmjet një seti rregullash të miratuara së fundmi me votë të gjerë konsensuale nga Kuvendi, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, thekson nënkryetari i KLD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency