Thyhen tabutë me nudo e veting, ja çfarë ndodhi në Teatrin Kombëtar (FOTO)

0
400

Nëse një puthje, aq më shumë nëse ishte homoseksuale, përbënte lajm në Teatrin Kombëtar, çdo të thoshim për një nudo?! Dhe jo thjesht për një kalim, si ndonjë figurant me biçikletë, apo i fshehur pas ndonjë peme, por për interpretim që zgjat me minuta të tëra.

E konsideruar si një vepër dedikuar lirisë, regjisori Dino Mustafiç mori guximin ta bënte këtë gjë, pikërisht në skenën e Teatrit Kombëtar, me dramën psikologjike “Equus” të dramaturgut Peter Shaffer. Duke e çliruar protagonistin e veprës nga rrobat e trupit, nga kornizat që i kishte vënë shoqëria, për t’ia veshur ato sërish në fund të veprës, kur ai e shëron pacientin e tij, duke e bërë atë një qytetar të pranueshëm për shoqërinë. Dhe kjo nuk është e zakontë në skenën shqiptare.

Edhe ndonjë vepër koreografike që është interpretuar nudo nga balerinët, është shfaqur për një publik të kufizuar, në ambiente më intime. Sigurisht edhe shfaqja e Mustafiç nuk është e lejuar për publik nën moshën 16 vjeç, për shkak të nuditetit, por edhe një fjalori herë-herë të papërshtatshëm për moshat minore.

igli zarka equus

E ka tentuar nuditetin në skenën e Teatrit Kombëtar edhe regjisori Kastriot Çipi në dramën “Mallkimi i fukarenjve”, ku protagonisti, interpretuar nga Genti Deçka, zhvishet lakuriq, por duke “u mbuluar” deri diku me trupin e një qengji. Ndërsa Igli Zarka, në rolin e 17-vjeçarit Alan, për herë të parë në historinë e Teatrit Kombëtar zhvishet lakuriq dhe interpreton dy skena të gjata me kostumin e tij të lindjes. Një barrë e rëndë kjo për aktorin e ri, i cili duhet të mbante mbi supe peshën e paragjykimit, por edhe të aktronte, të këndonte, të kërcente.

Me apo pa dashje, Zarkës do t’i njihet “merita” që doli i pari nudo në skenën e Teatrit Kombëtar. Natën e premierës dhe në atë në vijim nuk u shqua asnjë lloj reagimi në publik, asnjë “o” e zgjatur apo e qeshur, kur Alan nën hipnozën e psikanalistit, doktor Dysart, filloi të zhvishte rrobat, e më pas të arrinte kënaqësinë seksuale mbi trupin e një kali.

igli zarka molla

Në pushimin mes pjesëve, kur publiku pati rast të shkëmbente ndonjë mendim me sho-shoqin, kishte edhe nga ata që thoshin që ky nuk është teatër, një tjetër e quante të guximshme për një skenë shqiptare, ku nuditeti është ende tabu; dikush e përjetoi në mënyrën më normale të mundshme, një tjetri iu duk e papërshtatshme.

Por “Equus”, që ndër të tjera trajton dhe temën e erotizmit, e sjell me vete lakuriqësinë. Shumë prej regjisorëve të huaj që e kanë vënë në skenë këtë vepër kanë zgjedhur ta zhveshin Alanin dhe Xhillin në skenën e plevicës, por ka edhe nga ata që nuk e kanë parë të arsyeshme.

Mustafiç provoi dhe u pranua, të paktën në netët e para të shfaqjes, ku publiku përbehet kryesisht nga komunitet artistik dhe të afërm të aktorëve. Duartrokitjet ishin të forta, të gjata, madje pati ovacione edhe në mes të shfaqjes.

Timo Flloko dhe Luli Bitri në “Equus”
Timo Flloko dhe Luli Bitri në “Equus”

Nëse do të pranohet nga publiku i zakonshëm, kjo pritet të provohet në ditët në vijim. Pas shfaqjes regjisori ka deklaruar se nuk e ka futur elementin e lakuriqësisë në shfaqje si provokim, pasi një gjë e tillë është normale për një aktor, por edhe nëse kjo ka ndodhur: ashtu qoftë!

“Equus”, mes simbolit e aktuales, lirisë e vetingut 

“Liria është luksi i të qenit i dobët”. Por, a mund të jesh i lirë në një shoqëri që nuk i pranon të dobëtit, as të ndryshmit; që të mban për frerësh për të ecur në rrugën e hapur nga të tjerët, që të ndrydh në morsën e rregullave; ku të mësojnë se normalja është e mirë dhe anormalja e keqe?…

Që prej kohës kur pati premierën e parë (1973) dhe shfaqet suksesshëm në skenat e të gjithë botës, “Equus” i Peter Shaffer synon të na hapë sytë pikërisht për këtë. Kështu e ka shpallur “Equus”-in e tij edhe regjisori boshnjak, Dino Mustafiç.

Në të vërtetë “Equus”, që pati premierën mbrëmjen e së premtes, ofroi lirinë e të përdorurit të të gjitha mjeteve artistike. Aktrimi ndërthurej me koreografinë e Gjergj Prevazit, lëvizjet e hijshme të tre balerinëve- kuaj, të cilëve u bashkohej herë-herë edhe trupa e aktorëve me muzikën e përzgjedhur nga Endri Sina, me video-projeksionin etj. Por, mbi të gjitha, tregoi lirinë e të shprehurit me gjuhën e trupit, duke flakur të ashtuquajturin turp.

Ema Andrea dhe Arben Derhemi në rolin e çiftit Strang
Ema Andrea dhe Arben Derhemi në rolin e çiftit Strang

Për të ngjitur “Equus” në skenën e Tiranës, Mustafiç kishte zgjedhur pa dyshim ndër aktorët më të mirë të skenës shqiptare. Që nga Timo Flloko në rolin e psikanalistit Martin Dysart, tek Ema Andrea në rolin e zonjës Strang, Arben Derhemi në rolin e babait të Alanit, Luli Bitri në rolin e gjykatëses, Eriona Kakeli në rolin e infermieres dhe Lulzim Zeqja në rolin e pronarit të stallës.

Një figurë interesante sjell edhe aktori Ermir Z. Jonka. Katalizatori i gjithë rrëfimit është pa dyshim Alan, 17- vjeçari që qërroi 6 kuaj. Një rast i rrallë që merret në shqyrtim nga psikanalisti Martin Dysart (Timo Flloko). Alan është produkt i edukimit nga një nënë besimtare e krishterë, që i lexon pafundësisht citate nga Bibla dhe një baba komunist, ateist, që kalërimi i duket si shfaqje borgjeze.

Aktorët Luli Bitri, Erjona Kakeli dhe Lulzim Zeqja
Aktorët Luli Bitri, Erjona Kakeli dhe Lulzim Zeqja

Mes Krishtit të kryqëzuar dhe kuajve “të ndaluar”, ai krijoi një perëndi tërësisht të vetën. Pyetjet sa naive, aq edhe provokuese të një adoleshenti, pasioni i tij për kuajt, krijimi i një perëndie personale, mes adhurimit dhe seksualitetit, e vënë në krizë psikanalistin, i cili fillon të pyesë veten për atë çka ai është, çfarë do të bëjë dhe çfarë është duke i bërë shoqëria njeriut.

Monologët e personazheve, që nga kalorësi, nëna, babai dhe më së shumti ai i fundit i psikologut, reflektojnë pikërisht këtë. “Equus” i Shaffer është një vepër simbolike në vetvete, ndërkaq vetë regjisori i ka shtuar disa doza të tjera simbolizmi: mollën e mëkatit gjatë flirtimit mes gjykatëses dhe psikanalistit, apo gjatë aktit seksual të pakonsumuar mes Alan dhe Xhill; draprin e komunizmit me të cilin Alan u nxjerr sytë kuajve, që i trajtonte si perëndi. Kishte futur me shumicë këngë, kërcime që të kujtonin Woodstock-un, si edhe disa lëvizje për secilin prej personazheve, për të treguar se si mund ta robotizojë individin shoqëria.

Ermir Z. Jonka, në rolin e kalorësit
Ermir Z. Jonka, në rolin e kalorësit

Të gjitha këto dukej se mbingopnin shfaqjen, e cila e ka forcën e vet më së shumti te fjala, te teksti i Shaffer. Po ashtu, Mustafiç mund t’ia kishte kursyer veprës ca elementë folklorikë, si motivin e këngës “Kur t’jemi bashkë ne të dy” në momentin e njohjes së Xhill me Alan, po kështu edhe këngën revolucionare “Në ara, fabrika, kantiere”.

Timo Flloko, në rolin e Martin Dysart
Timo Flloko, në rolin e Martin Dysart

Mund ta kishte përcjellë më të qëruar frymën e lirisë, pa pasur nevojën për monologë gjykatësish puritanë për vetingun, infermieresh për dymijë lekësha, apo biznesmenësh që shteti po u pi gjakun. Kontekstualizimi i veprës për aq sa mund ta bëjë atë aktuale dhe të pranueshme nga publiku, aq edhe mund ta dëmtojë atë, duke i injektuar doza të panevojshme patetizmi.

Megjithatë, pavarësisht teprimeve, “Equus” është një vepër e veçantë, që synon përtej të zakonshmes, një sfidë për skenën e teatrit dhe aktorët që interpretojnë në të. Një vepër që do të mbahet mend gjatë nga publiku, me shpresë, jo vetëm për faktin që një djalë i ri aktroi nudo./A.M/panorama

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here