Vizita e Papës/ Masat e rrepta siguruan mbarëvajtjen e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri

0
141

Kontrolle të rrepta nga toka dhe ajri, mundësuan vizitën e suksesshme të kreut të Vatikanit

Papa Francesku Tirane, masa sigurie 1Masat e forta të sigurisë të dukshme që në mbërritjen e Papa Franceskut në Aeroportin e Rinasit, ishin sipari i një garancie për një vizitë pa probleme për kreun e Vatikanit në Shqipëri. Siguria maksimale në aeroportin “Nënë Tereza”, e cila demonstrohej nën kontrolle të rrepta, vijoi edhe gjatë kohës që Papa u largua nga aeroporti nën masa të rrepta sigurie, duke iu drejtuar kryeqytetit. Ndërsa ishin marrë masat për kontrollin në tokë, nuk mungonin edhe masat nga ajri, ku një helikopter, shoqëroi gjithë eskortën e Papës, në udhëtimin drejt Tiranës.

Gjatë këtij udhëtimi disaminutësh, Papa Francesku, i njohur për zgjedhjet e tij, për të qenë sa më afër me njerëzit, pavarësisht protokolleve të rrepta të sigurisë, uli xhamin e automjetit për të përshëndetur qytetarët e shumtë që kishin mbushur rrugët nga kalonte dje kreu i Vatikanit.

 

Kontrollet e rrepta

Mijëra qytetarë të Tiranës, por të ardhur edhe nga qytete të tjera dhe madje edhe nga vendet e rajonit, të cilët vërshuan dje që herët në mëngjes drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të ndjekur vizitën dhe meshën e Atit të Shenjtë, e për të qenë të parët në radhë pranë kangjellave kufizuese në bulevardin kryesor, bënë që masat e rrepta, ishin shtrirë dje nëpër të gjitha rrugët që të çonin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Si pjesë e planit të masave për sigurinë e vizitës së Papa Franceskut, Policia e Shtetit kishte kaluar në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore ishin të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara.

Paralajmërimi i tre ditëve më parë, se do të kishte kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet, ishin dje realitet i dukshëm, ku në zonat ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, ishte maksimale. Efektivë të shumtë policie, në plotësim të detyrave dhe porosive për një dite ku masat e sigurisë kane qenë kryefjala, ishin prezentë nëpër të gjithë akset rrugore që të çonin në Bulevardin kryesor të kryeqytetit. Të tjerë që nga orët e para të mëngjesit ishin pjesë e postblloqeve në të gjitha akset kryesore, ku çdo qytetar që hynte në perimetrin e aktiviteteve dhe prezencës së Papa Franceskut. Në të gjithë perimetrin që rrethonte dje Sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” ishin vendosur 27 pika kontrolli, ku realizohej kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje. Kontrollit nuk i shpëtuan edhe njerëzit e politikës.

Gjithçka kontrollohej edhe nga ajri me një helikopter të ushtrisë, ndërsa që në të gjitha ndërtesat e larta ishin të instaluar snajperë dhe forcat speciale.

 

Qarkullimi i automjeteve

Ndërsa rrugët drejt qendrës së Tiranës ishin të lira dje për këmbësorët, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për automjetet. Sikurse ishte paralajmëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që prej orës 20:30 e datës 20. 09. 2014 deri në orën 19:00 të ditës së djeshme, të gjitha rrugët që të çonin drejt Sheshit “Nënë Tereza”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshit “Skënderbej”, ishin bllokuar dhe nuk lejohej qarkullimi i automjeteve. Po kështu masat ishin marrë për bllokim provizor edhe të aksit rrugor në drejtim të Rinasit, si edhe për të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq dhe aksin Bubq – Rinas, gjatë kohës së largimit të papa Franceskut nga Shqipëria.

Sikurse ishte paralajmëruar gjithashtu, nga ora 12:00 e datës 20. 09. 2014  e deri në ora 20:00 të ditës së djeshme, ishte ndaluar parkimi i automjeteve në të gjitha rrugët kryesore e dytësore që të çonin drejt Sheshit “Nënë Tereza”, Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshit “Skënderbej”.

Si pjesë  masave, dje nuk lejohej qarkullimi në të gjitha akset rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 ton, pasi krijojnë vështirësi në qarkullim. Ndërsa automjetet e mbyllura, mjetet e transportit të mallrave me karroceri të mbyllur ju nënshtruan kontrolleve policore në mënyrë të vazhdueshme.

Po kështu, autobusët që sollën pelegrinët nga e gjithë Shqipëria, nuk u lejuan të kalonin kryqëzimin “21 Dhjetori”. Për këtë, si pjesë e masave, autobusët që sollën pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë devijuan lëvizjen te Sheshi “Shqiponja” përmes Unazës së Re, duke kaluar te rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori” ku lanë pelegrinët, ndërsa parkimi i tyre u bë në Unazën e Re. Edhe autobusët që sollën pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë qarkulluan përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar te rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori”, ku pasi lanë pelegrinët, edhe parkimi i tyre u bë në Unazën e Re. Për autobusët që sollën pelegrinët nga Juglindja e vendit, qarkullimi i tyre u lejua përmes Unazës së madhe, te Kopshti Zoologjik u bë zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.

 

 Masa në kufi/   Nga Mali i Zi, nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri 80 praktikantë islam

Mijëra besimtarë të krishterë nga të gjitha trojet shqiptare dhe Ballkani kanë mbërritur me autobusë prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm për të pritur dhe përshëndetur Papa Franceskun në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet

Rreth 80 praktikantë të fesë islame të cilët ishin nisur nga Mali i zi për në Tiranë për të marrë pjesë në meshën e mbajtur nga Papa Francesku nuk janë lejuar të kalojnë dje në doganën e Muriqanit në Shkodër. Nga burime pranë kësaj pike doganore, të cilët sqarojnë se besimtarët ishin shqiptar që jetojnë në Mal të Zi dhe ishin të gjithë të gjinisë mashkullore. Ata po lëviznin me mjete private në orët e para të mëngjesit të djeshëm drejt kufirit shqiptar, ndërsa në pikën doganore nuk janë lejuar nga pala shqiptare të kalojnë kufirin. Nga drejtues të pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, mësohet se një masë e tillë është ndërmarrë për arsye sigurie.

Ndërkohë, mësohet se, mijëra besimtarë të krishterë nga të gjitha trojet shqiptare dhe Ballkani janë nisur me autobusë prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm për të pritur dhe përshëndetur Papa Franceskun në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Rreth 2000 qytetarë të Kosovës kanë kaluar pikën kufitare të Morinës vetëm gjatë ditës së djeshme. Po në këtë pikë kufitare kanë kaluar edhe dy autobusë me ushtarë të KFOR-it.

Për të përballuar këtë fluks të pritshëm, në 24 orët e fundit u forcuan kontrollet në pikat kufitare, kryesisht në veri të vendit, për të garantuar sigurinë e vizitës së Papa Franceskut. Në siguri më të lartë kanë kaluar formacionet policore në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë. Gatishmëria e lartë në kufi, është shoqëruar me kontrolle të rrepta për çdo udhëtar. Bagazhet, dokumentet, mjetet kalonin në një vëzhgim special nga policët që mbikëqyrin prej agjentëve të shërbimeve të posaçme. Në Morinë, prej ditësh, grupe të përbashkëta sigurie vëzhgoni kufirin. E njëjta panoramë është edhe në pikat kufitare me Maqedoninë. Shtimi i masave të kontrollit ishte shënuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku për të gjithë shtetasit që futeshin në Shqipëri, ushtroheshin kontrolle të imtësishme. Në pikën Kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës, kishte shkuar Delta Force, njësi e specializuar në luftën kundër terrorizmit, ku kryhej patrullimi i akseve rrugore për të parandaluar çdo akt të mundshëm terrorist, si edhe mbajtjen nën kontroll të personave të dyshuar si kontingjent krimi. Edhe në Portin e Durrësit, ishin katër grupe kontrolli të posaçme të ngritura, të cilët kontrollonin çdo hyrje dalje të pasagjerëve. Shtimi i masave të kontrollit është shënuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku për të gjithë shtetasit që futeshin në Shqipëri, ushtroheshin kontrolle të imtësishme.

 

 Garda ndalon dy amerikanë, u kapën me thikë në çantë

Dy shtetas amerikanë janë shoqëruar dje nga policia. Dy shtetas amerikanë janë ndaluar fillimisht nga Garda e Republikës, rreth orës 09:45, pasi u vërejtën veprime të dyshimta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjate vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë. Rreth orën 09:45 pranë Liceut Artistik në njërën prej pikave të kontrollit me detektor metalesh, jashtë perimetrit të sigurisë forcat e policisë, i kanë gjetur në çantë një shtetasi amerikan një biçak me karakteristikat e një thike. Mësohet se ka qenë oficeri i Gardës Albert Karanxha i cili prej 10 minutash vëzhgonte dy shtetasit amerikanë, ndërkohë që pas kontrollit në çantë, iu gjet arma e ftohtë. Dy të ndaluarit u morën në pyetje nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa për këtë incident është njoftuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, dy personat që u arrestuan, kanë ardhur në Shqipëri gjatë ditëve të fundit. Nuk jepen shumë detaje por mësohet se shtetasit amerikanë u liruan pas rreth 8 orësh, pas verifikimeve. Mësohet se gjatë ditës së sotme policia ka shoqëruar në komisariat edhe 12 persona, të cilët nuk kanë respektuar protokollin e sigurisë. Policia bën me dije se personat e ndaluar kanë qenë jashtë perimetrit të sigurisë. Gjithashtu bëhet me dije se gjatë Meshës së Shenjtë të mbajtur nga Papa Francesku i është dhënë ndihma shëndetësore 15 personave.

 

 Pezullohet nga detyra efektivi i Gardës/ Snajperi qitje të pavullnetshme, në alarm strukturat shtetërore

Me gjithë masat e jashtëzakonshme, një e shtënë pa dashje mbrapa maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, vuri në alarm zyrtaret dhe drejtuesit e strukturave të shtetit

Rreth orës 10:10, sapo Ati i Shenjtë kishte hyre në Presidencë, mbrapa maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë stacionit të trenit, alarmoi njësitë ligjzbatuese.

u dëgjua një e shtënë arme. Fatmirësisht ngjarja nuk ishte rrezik për vizitën e Papës por një e shtënë nga pakujdesia e snajperëve të vendosur në ndërtesat e larta. Pas verifikimeve të shpejta dhe përforcimit policor në atë zonë u mësua se një prej snajperëve i vendosur në tarracë kishte qëlluar pa dashje teksa poziciononte armën. Menjëherë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi ka urdhëruar pezullimin nga detyra të efektivit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency