Prokuroria e Përgjithshme gati për arrestimin e kryetarit të KQZ, Denar Biba

0
1565

Prokuroria e Përgjithshme ka ditë që po diskuton brenda specialistëve të saj për disa dokumenta të firmosur nga kryetari i KQZ zoti Denar Biba të cilat sipas organit të akuzës janë mirëfilli shpërdorim detyre. Dhe kjo në lidhje, sipas prokurorisë, për fshehje dhe manipulim të dokumentave në lidhje me deputetin Armando Prenga. Kryetari i KQZ Denar Biba është një nga njërëzit me të besuar të Edi Ramës.

Armando Prenga gjeti mbështetje në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kur tentoi ta fshehë dënimin për falsifikim dokumentash nga gjykata shqiptare. Sipas sektorit të dekriminalizimit në Prokurori, në dokumentat që solli KQZ për deputetin socialist, nuk ishte e qartë si u përgjigj deputeti pyetjes, nëse kishte një dënim gjykate apo jo.

“Në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë” thuhet në njoftimin e prokurorisë që rreshton disa shkelje të tjera të juristëve të KQZ në lidhje me çështjen e Armando Prengës.

“Informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vertetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor” thotë prokuroria. Pra sipas prokurorisë, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka bërë një vesh shurdh e një sy qorr për Armando Prengën dhe jo vetëm. Në disa raste të tjera, KQZ është treguar e gatshme të pranojë një formular tjetër të vetëdeklarimit edhe për një deputet dhe dy kryetarë bashkie.

“Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit  të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithe subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tre subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pasi ka gjetur këto shkelje në punën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Prokurori i dosjes në fjalë ka vendosur që ta marrë të pandehur kryetarin e KQZ. Por nuk dihet nëse Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do jap viston për arrestimin e kryetarit të KQZ. Nëse jep viston atëhere mendohet se do ketë edhe tension politik mes PS dhe kryeprokurorit, ndonëse edhe për momentin nuk është pa konflikte mes Llallës dhe Ramës. Mësohet se PS ka në plan për shkarkimin e kryeprokurorit pas incidentit me ambasadorin amerikan Lu /SPJV.IT

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here