“Arrest me burg” për ish kreun e Hipotekës Shkodër, falsifikoi dokumentet për 15 mijë metra katrorë tokë në Velipojë

0
173

Gjykata e Shkodrës caktoi dje masën e sigurisë “arrest në burg” për ish­drejtuesin e Hipotekës së Shkodrës, Ilir Nikleka, i cili ndodhet ende në kërkim nga policia, ndërsa për noteren Valbona Fishta, gjykata ka vendosur detyrim paraqitjeje, ndërsa për topografin e hipotekës Spartak Hazhiajn është vendosur masa arrest shtëpie. Ata akuzohen se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumentat për 15 mijë m2 tokë në Velipojë.

 

Hetimet 

Organi i akuzës në vijim të hetimeve, në bazë të të cilave rreth 2 javë më parë u sekuestrua sipërfaqja e tokës 15 mijë metra katrorë tokë, ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa persona, në bashkëpunim ndërmjet tyre, kanë krijuar mundësinë për të falsifikuar dokumentat dhe për ta regjistruar atë pronë të fituar në mënyrë të kundërligjshme. Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës kishte krijuar dyshime të arsyeshme se personat e mëposhtëm janë përgjegjës për kryerjen e veprimeve të paligjshme dhe për këtë arsye, kishte marrë lejen nga gjykata për arrestimin e të dyshuarve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, Ilir Nikleka, ish­kryeregjistrues i Hipotekës Shkodër (shpallur në kërkim); Besar Kali, jurist pranë ZVRPP Shkodër; Spartak Haxhiaj, hartograf pranë ZVRPP Shkodër, i proceduar edhe më parë për të njëjtën vepër penale; Valbona Hajdari, notere, Shkodër. Të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” Rrok Lushi, përfitues i sipërfaqes 15.000 m2, të sekuestruar tashmë dhe Adem Mlloja, i dyshuar si falsifikator i dokumentit pronësor. Vendimet e gjykatës u ekzekutuan gjatë ditës së mërkurë nga ana e forcave të Policisë Vendore të Shkodrës. Vetëm i dyshuari Ilir Nikleka nuk është bërë i mundur të arrestohet dhe tashmë është shpallur në kërkim.

 

Precedenti në Karaburun 

Prokuroria e Vlorës sekuestroi rreth 2 javë më parë 89 hektarë tokë me vlerë 110 milionë euro në Zvërnec, një zonë me potencial të lartë në investime për turizëm. Toka është përfituar në mënyrë të paligjshme nga Raimond Mezi, i njëjti person që përfitoi 220 hektarë toke edhe në Karaburun. Sipas prokurorisë, skema është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme tokën në Karaburun. Toka në Zvërnec është regjistruar në Hipotekën e Vlorës në bazë të dokumentave të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone tërësisht fiktiv. Hetimi gjeti se Raimond Mezi, me vendim gjykate përfitoi 89 hektarë, vendimi ky i vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar. Dosja e falsifikuar më pas është futur në arkivën e gjykatës dhe grupi i falsifikatorëve ka ndërhyrë edhe në regjistrin e vitit 2003. Kjo pronë është regjistruar në hipotekë nga shtetasja Blerina Dhrami, e cila është nën hetim.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here