Si mund të zbulojmë defektet gjenetike tek embrionet e krijuar me fertilizim in vitro?

0
359

Gratë shtatzëna, bebet e të cilave rrezikojnë të kenë defekte gjenetike serioze mund të kenë ndërprerje të shtatzanisë. Për ta shmangur këtë, atyre u rekomandohet të kryejnë testet diagnostike prenatale si amniocenteza dhe biopsia e vilusit korionik, shkruan standard.al. Për disa çifte, këto teste nuk janë të pranueshme dhe si alternativë shërben Diagnoza Gjenetike e Paraimplantimit (PGD). Ajo është një procedurë e përdorur para implantimit për të identifikuar defektet gjenetike në embrionet e krijuara me anë të fertilizimit in vitro (IVF), me qëllim që të parandalojë sëmundje të caktuara ose çrregullime të ndryshme që të trashëgohen tek fëmija. Procesi ndihmon prindërit të shmangin lindjen e një fëmije me probleme gjenetike.

Diagnoza Gjenetike e Paraimplantimit mund të ofrohet për tre kategori madhore sëmundjesh:

  1. Së pari, mund të përdoret për të përcaktuar çrregullimet e lidhura me seksin e embrionit si psh: Distrofia Muskulare Duchenne.
  2. Së dyti, mund të përdoret për të identifikuar defekte të veçanta gjenetike si fibroza cistike, ku anomalitë testohen me teknika molekulare sipas reaksionit zinxhir të polimerazës (PCR).
  3. Së treti mund të përdoret në çrregullime kromozomale me anë të teknikës së hibridizimit fluoreshent in situ për të detektuar një shumëllojshmëri ndryshimesh kromozomale që përfshijnë translokacionet, inversionet dhe fshirjet .

Figura tregon : Hapat që duhet të ndiqen në procesin e  diagnozës  dhe ekzaminimit gjenetik të paraimplantimit

Procedura për PDG është si më poshtë:

  • Partnerja merr medikamente për të stimuluar ovaret për prodhimin e shumë vezëve.
  • Vezët merren me anë të një gjilpëre transvaginale sipas një procedure të caktuar.
  • Vezët fertilizohen nga sperma me anë të një procesi të quajtur ICSI (Injeksion intracitoplazmik i spermës), me fjalë të tjera sperma injektohet brenda vezëve.
  • Embrioni qendron për t’u rritur në laboratorin embriologjik 2-3 ditë, derisa qelizat të jenë ndarë dhe embrioni të përmbajë rreth tetë qeliza.
  • Një embriolog i trajnuar heq mënjanë një ose dy qeliza (blastomerë) nga embrioni.
  •  Qelizat testohen për të parë nëse embrioni prej të cilit u hoqën përmban gjene, të cilat shkaktojnë probleme gjenetike në familje.
  • Embrioni i paprekur nga defektet gjenetike apo kromozomike transferohet në uterus që të zhvillohet.
  • Ndonjë embrion i përshtatshëm që mbetet i paprekur nga defektet gjenetike  mund të ruhet në temperatura të ulëta dhe të mbahet për përdorim të mëvonshëm.
  • Ato embrione që janë të prekur nga defektet lejohen të shkatërrohen ose me miratimin e vetë prindërve mund të përdoren për kërkime shkencore.
  •  Nëse shkon me sukses, procedura do të rezultojë me shtatzani dhe fëmija do të jetë shëndetshëm dhe i paprekur nga defekti për të cilin u testua.

 

 

Teknikat e Biopsisë

Në mënyrë që të sigurohet materiali gjenetik, i cili do të përdoret për diagnozën gjenetike kërkohet një procedurë; biopsia e embrionit. Në dy dekadat e fundit , biopsia e embrionit  në fazën e ndarjes qelizore është përdorur më shumë si procedurë. Sidoqoftë edhe metodat alternative si biopsia në fazën e blastocistit apo biopsia e trupit polar po përdoren së tepërmi.  Le të njohim secilën prej tyre më specifikisht.

Biopsia e trupit polar – Biopsia e trupi polar është vetëm për çrregullimet kromozomale femërore. Veza e maturuar në metafazën e II nxjerr një trup të vetëm polar. Ky trup polar mund të hiqet dhe të testohet duke na dhënë informacion vetëm për përmbajtjen kromozomale të vezës. Sepse nga analizimi i trupit polar mund të sigurohet vetëm informacioni për nënën. Anomalitë kromozomale që ndodhin pas fertilizimit (kur sperma takon vezën) nuk zbulohen.

Biopsia e embrionit në fazën e ndarjes qelizore. – Kjo është forma më e zakonshme e biopsisë e përdorur për PGD që konsiston në marrjen e një blastomeri të vetëm në ditën e tretë të embrionit. Heqja e blastomerit është një procedurë teknike sfiduese. Qëllimi i embriologut është të marrë një qelizë të padëmtuar  nga embrioni duke shkaktuar një traumë minimale pjesës së mbetur të tij.

                       Figura tregon: Heqjen e një blastomeri nga 8 qelizat embrionale (blastocist)

 

Përpara shkëputjes së një qelize të vetme prej 6-10 qelizash embrionale, embrioni inkubohet në kalcium dhe magnez në medium të lirë për 20 minuta që të reduktohet ngjitja blastomer – blastomer. Embrioni spostohet me anë të një pipete. Në të njëjtën kohë, bëhet një hapje e vogël në zonën pelucida që të futet blastomeri. Zona pelucida është një matriks jashtë qelizor, që rrethon ovocitet e zhvilluara, shkruan standard.al. Kjo procedurë quhet vijëzim i asistuar. Pas hapjes së vogël, një pipetë vendoset dhe fokusohet në blastomerin e përzgjedhur. Më pas blastomeri aspirohet në pipetë dhe nxirret jashtë në medium përreth. Tani embrioni përmban një blastomer më pak. Ai kthehet në inkubator në mjedisin e tij . Blastomeri do të futet në procesin e studimit në varësi të defektit gjenetik me anët të teknikës FISH ose PCR .

Biopsia e në fazën e blastocistit- Formimi i blastocistit ndodh ditën e pestë të embrionit dhe përcaktohet nga prezenca e një mase të brendshme dhe një mase të jashtme ose trofektoderm. Analiza gjenetike realizohet me FISH ose PCR siç përshkruhet më poshtë.

Reaksioni zinxhir i polimerazës

PCR përdoret për diagnozën e një defekti të vetëm gjenetik ku përfshihen defektet dominante dhe ato recesive.  PCR ndonjëhere e njohur edhe si amplifikim i ADN është një teknikë në të cilën sekuenca të caktuara ADN kopjohen shumë herë në mënyrë që të lehtësojnë analizimin e tyre. Reaksioni zinxhir i polimerazës shumëfishon shpejt një molekulë të vetme ADN në biliona të tilla.

Hibridizimi fluoreshent in situ

Hibridizimi fluoreshent in situ (FISH) është një teknikë që zbulon ndryshimet kromozomale dhe përzgjedh embrionet vajza në sëmundje të lidhura me kromozomin X për të cilat nuk ka ndonjë test specifik lidhur me mutacionet. Një qelizë normale ka 23 çifte kromozomesh. Analiza FISH lejon  një vlerësim të saktë vetëm të 7-9 kromozomeve në secilën qelizë që i është nënshtruar  biopsisë. Rrjedhimisht, shumë embrione jonormale të paafta për të dhënë një shtatzani të suksesshme mbeten të pazbuluara dhe mund të transferohen. Sidoqoftë, për shak të saktësisë të ulët që ka është e papranueshme prandaj dhe  kjo teknikë nuk rekomandohet.

 Figura tregon: Anomalitë kromozomale të kromozomeve 13, 18, 21 .Përkatësisht Trisomia 13, Trisomia 18 dhe Trisomia 21.

 

Hibridizim gjenomik i krahasuar    

Në këtë teknikë, bërthama e embrionit etiketohet me një ngjyrë fluoreshente dhe një qelizë kontrolli etiketohet duke përdorur një ngjyrë tjetër të kuqe ose jeshile.  Të dy qelizat bashkë hibridizohen në një proces kontrolli metafazik. Raporti ndërmjet të dy ngjyrave krahasohet. Nëse analiza kromozomale tregon një shtim të ngjyrës së kuqe, bërthama embrionale përmban  një kromozom tepër. Në qoftë se një shtim i ngjyrës jeshile është i dukshëm kemi humbje të një kromozomi. CGH mundëson jo vetëm renditjen e 23 çifteve kromozomike por edhe siguron një pamje të detajuar të tyre që të mund të zbulojë çrregullimet e segmenteve kromozomike. Kjo teknikë realizohet për 72 orë.

Në të shkuarën, personat me sëmundje gjenetike ose ata të cilët ishin bartës të ndonjë gjeni defektoz nuk bënin fëmijë që të shmangnin riskun e kalimit të sëmundjes te pasardhesi. Fatmiresisht,tani PGD u jep mundësi këtyre çifteve të kenë fëmijë pa ndonjë sëmundje të caktuar gjenetike. Njihen rreth 7000  raste ku është përdorur PGD dhe 1000 fëmijë të shëndetshëm kanë lindur që prej 1999.

*Zalli et.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here