Në këtë Shqipërinë tonë të vockël, komplikimet e mëdha janë bërë pjesë e normalitetit. Madje, sinorët janë çuar aq larg, sa vështirë se mundemi ta rrokim krejt thjesht, ashtu sikurse është e volitshme, normalitetin. Kur flasim për gjëra të thjeshta dhe për normalitetin, gjithmonë përballemi me buzë të rrudhura, mendje të shprishura, zëra të çuditur, ndërsa të gjitha së bashku në kor thonë: “Po këto janë idealizma…”
Gjërat e thjeshta janë bërë idealizëm i pafrytshëm. Normaliteti ka humbur udhën dhe gjendet veç në “legjendat urbane” që dëgjojmë për “histori nga perëndimi”, apo nëse bëhemi bujarë, mundemi ta gjejmë herë-herë tek ndonjë përrallë e moçme shqiptare. U jemi avitur turravrap kohëve të tilla, kur sa më të komplikuara t’i bëjmë mendimet dhe punët tona, aq më “normal” ndihemi brenda kësaj marrëzie anormaliteti.
Thjeshtësia na tremb, na çorodit, na bëhet pengesë në jetë.
Mëngjesi i qytetarit tonë është vetëm fillimi i skemës që ai ndërton plot zell për të dalë sa më i përfituar nga dita e re që e pret. Skema e përfitimit të qytetarit tonë bëhet e vlefshme në të dyja kahet, qoftë duke avancuar gardhin e tij në kurriz ose jo të tjetrit, qoftë duke u vetëruajtur mirë për të mos ia zaptuar tjetri atë copë gardh që ka qytetari ynë, le të jetë ky pozicion publik, privat, ide, shoqëri civile, art, drejtësi, nisma apo edhe sorollatje nëpër kafene.
Sidoqoftë, shqetësimi im nuk gjen adresë tek qytetari ynë, i cili nuk bën as më shumë e as më pak nga sa ka ditur dhe di të bëjë. Qytetari ynë si i tillë, gjenerikisht ka qenë dhe ka mbetur ende viktimë realiteteve, të cilat ia ka gatuar me ingredientë të ndryshëm një përzierje “shefash”, si: politika, gjeopolitika, kultura, historia, gjeografia, ekonomia, etj.
Kjo “kuzhinë” ka qenë vërtetë shumë e vockël për kaq shumë “shefa” dhe kaq shumë volum pune.
“Historia” është njeri prej “shefave” që ka punuar në “kuzhinën” e këtij kombi pa pikën e mëshirës, duke lënë pagabueshmërisht shijen e saj në produktin “qytetar shqiptar” i së sotmes. Kësisoj merita e secilit prej “shefave” që kanë bashkëpunuar me grintë të pazakontë për të na servirur “shoqërinë” dhe “qytetarin” e së sotmes, na bën gati-gati ta justifikojmë me elegancë, e madje ta s’kualifikojmë me ngazëllim “argumentin” për të cilin po shkruhen këto rreshta, sikur të mos na shkonte mendja tek një “shef” mbi “shefat”, me anë të të cilit mundemi të transformojmë krejt “kuzhinën”, “kombin” e jo më vetëm “produktin”, “qytetarin”.
Ky “shef” mbi “shefat” është vullneti njerëzor. Pikërisht ky “vullnet njerëzor” ka rastisur të shndërrohet ndër breza në rrethuesin më të madh dhe mizor të të gjitha energjive dhe talenteve tona shoqërore dhe kombëtare, ngase i ka munguar pozitiviteti, apo ngase ka qenë i kapluar nga pasiviteti.
Përtej karakteristikave që ka pasur Shqipëria, si një vend që menjëherë pas feudalizmit u “martua” forcërisht me komunizmin, për t’u përmbledhur në periudhën e pasvitit 1990, shteti postsocialist gjithsesi kaloi në parcializim të sovranitetit. Parcialzimi i sovranitetit, sikurse thotë Perry Anderson, është një prej karakteristikave kryesore të feudalizmit.
“Gardhëzimi” i shtetit, lirisë, drejtësisë, zhvillimit, hapësirave publike, mediave, individëve etj., u shndërrua në kryeveprën e çakërdisjes sociale dhe kombëtare në vendin tonë, pa u ballafaquar për asnjë rast me “vullnetin pozitiv njerëzor”.
“Gardhe” të shumta filluan të pushtojnë çdo hapësirë publike dhe private.
“Vullneti njerëzor” ka tokrendur me dorëzimin, duke u mpakur dhe tretur në raport të zhdrejtë me rritjen e “gardhëzimit”.
P.sh, në këtë kuptim mund të shtrojmë edhe hipotezën se fakti që zyrat shtetërore trajtohen si private, ka shkaktuar thërrmizim të sovranitetit shtetëror.
Feudalet e “gardheve” kanë arrestuar sovranitetin shtetëror, duke ia dorëzuar një grushti “tribunësh” a “qehajajsh”, ndërsa këta të fundit marrin përsipër të jenë përfituesit kryesorë dhe dirigjentët e operacionit të deoksigjenimit të përditshëm dhe në çdo centimetër të “vullnetit pozitiv njerëzor”.
Është e kthjellët kristal tashmë për çdo qytetar shqiptar se për të punuar, vepruar, mbijetuar, apo për t’u shpërblyer në cilindo “gardh” të shoqërisë sonë, të duhet të zhvishesh dhe çlirohesh nga “pesha e rëndë” e karakterit, dinjitetit, vullnetit pozitiv, kreativitetit, virtuozitetit, zotësisë.
Brenda “gardheve” nuk ka garë, nuk ka konkurrencë, ka vetëm bindje, rreshtim. Madje, e vetmja garë me të cilën t’i feksesh çdo ditë është gara për të vrarë, humbur e flakur plot dhimbje vetveten.
Brenda “gardheve” nevojitesh krejt bosh dhe me muskuj zemërate, dëshpërimi, urrejtjeje, përbaltjeje, të ushtruara mbresëlënësisht.
Brenda “gardheve” duhet të bëhesh pis, sepse ka shumë punë, duke pasur si të vetmen mënyrë “pastrimi” rizhytjen në një pisnajë të re.
Të mos harrojmë se feudalizmi bazën kryesore të marrëdhënies e ka suzeren-vasal, por ndërkohë përmbledh brenda vetes të gjitha format e mëparshme të qeverimit.
Deri në vitin 1990, nën një shtet diktatorial, që ndoshta ka qenë një ndër shtetet më privatë-personalë që ka përjetuar bota e shqiptarit, sot pas vitit 1990 kaluam në një si shtet feudal, ku “feudalët” e rinj nuk e dinë se ku i kanë kufijtë e saktë, duke na përmbytur me konflikte të pareshtura herë të ashpra e herë groteske, duke na e bërë akoma më të padurueshme rropatjen tonë sociale.
“Gardhëzimi” si proces, me konfliktualitetin si kamxhik, e kanë kthyer shoqërinë shqiptare gati-gati në gjendjen e saj primitive, kur të gjithë i binden me të fortit, dhe më i forti u bindet ca më të fortëve.
Terri ka zbarkuar duke i dhënë krahë e forcë “frikës” dhe “mashtrimit” që të mbizotërojnë.
Gati-gjendja primitive, që ka pllakosur se bashku me terrin, të lë përshtypjen se ka mbështjellë çdo individ dhe grup individësh, çdo ambient publik apo privat, vetë shtetin. Individët, grup-individët, ambientet publike apo private, institucionet publike apo private, që rezistojnë në të mirën, dinjitetin dhe kurajën e tyre, janë bërë si qirinj të izoluar në një shoqëri ku na ka plandosur “kufizimi i dritës”, madje errësira.
Ata dhe ato që rezistojnë në dinjitet mbetën si qirinj të izoluar në këtë shoqëri, ku “gardhet” rriten dhe lartësohen, terri thellohet dhe mashtrimi zmadhohet.
Për ironi duket se gati-gjendja primitive që ka pllakosur shoqërinë shqiptare na ka futur në epokën e “qirifikimit të dinjitetit”, lirisë, të mirës, karakterit, moralitetit, integritetit, të vërtetës, kurajës.
Por a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë? A duhet që ta braktisim lirinë e sapofituar dhe të qahemi për drejtuesit, “gardhëzuesit”?
Sigurisht që jo.
Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur. Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa. As kur kthimi pas na vjen si Rilindje.
E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë.
Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar.
Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko-moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta.
Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta.
Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara. Ata nuk kanë besim tek to.
Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë?
Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të pasur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale?
Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi, si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje. Të tilla vese, si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë, kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm.
Shumëkush flet dhe pakkush realisht i lartëson dhe çmon vlerat morale.
Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës.
Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike.
Ajo që në kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë, dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë.
Ai duhet mësuar. U takon jo vetëm gjeneratave të reja, por edhe atyre në veçanti, na takon të gjithë neve, së bashku edhe me aktorë të tjerë shoqërorë, që t’ua mësojmë njerëzve këtë art, me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre.
A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut?
A nuk po shikojmë individë të caktuar, duke ia nisur nga Kryeministri i vendit, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt?
A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetët impersonal?
Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo çka mbetet nga liria e fituar në vitin 1990, të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit.
Prandaj edhe burrat e gratë, djemtë dhe vajzat që janë si “qirinj ndriçues” duhet të vetëdijesohen dhe ta shënojnë veten në listën e luftëtarëve për dinjitet, ngase kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë. Intelektualët dhe mendjendriturit e këtij vendi janë ata që do të bënin mirë të vetëdijësohen të parët sepse koha atyre tashme po u ulëret.