“Rok” në Mitrovicë/ BBC reportazh mbi shkollën ku këndojnë bashkë serbët dhe shqiptarët: Si muzika na bashkoi

0
210

 

“Po e bëjmë revolucionin. Është hera e parë që serbët dhe kosovarët bëjnë muzikë bashkë”

Shkolla e Muzikës Rok në Mitrovicë njihet si një prej institucioneve ku serbët e shqiptarët e kanë më të lehtë bashkëjetesën. Diçka e tillë duket se po funksionon mirë edhe ditëve të sotme. Shkolla ku vijojnë mësimin nxënës të të dyja kombësive, është shembull i mirë edhe për BBC. BBC ka intervistuar të rinjtë që shkojnë në këtë shkollë, si një tregim suksesi se si rinia në këtë qytet i cili mbetet ende më problematik për shkak të ndasisë, arrijnë të krijojnë art. Jellena, nga Veriu i Mitrovicës, tregon se është mësuar të jetojë në këtë pjesë.“Shpesh ka probleme dhe mes serbëve vetë, e lëre më mes shqiptarëve. Megjithatë, bëj muzikë dhe kjo më mban më shumë. Më pëlqejnë këngët e mia, edhe shkolla, më pëlqen shoqëria me njerëzit e muzikës” tregon Jellena në këtë reportazh. “Po e bëjmë revolucionin. Është hera e parë që serbët dhe kosovarët bëjnë muzikë bashkë, dhe jam e lumtur që po ndodhë kjo” tregon Jellena. Në gusht të vitit 2008 është mbajtur Shkolla e Parë Verore në Shkup të Maqedonisë ndërsa më pas kanë ardhur edhe aktivitete tjera që kanë të bëjnë me këtë shkollë. Shkolla e rokut në Mitrovicë ka trajnuar të rinjtë e interesuar për muzikën rok në qytetin etnikisht të ndarë. Për çdo vit, dy degët udhëtojnë së bashku në Shkup për një shkollë verore, ndërsa gjatë vitit organizohet koncerte, trajnime dhe aktivitete të tjera.

Shkolla e Muzikës Rok në Mitrovicë

Tetë vjet më parë në qytetin e Mitrovicës u hap shkolla e rokut, unike në Kosovë, e cila u ofron muzikantëve të rinj mundësi për të mësuar, për t’u rritur muzikalisht, për të krijuar bende muzikore si dhe për të krijuar lidhje miqësie. Në fund të viteve të ’80-a, qyteti verior i Kosovës, Mitrovica, njihej si “Qytet i Rokut” i cili bënte bashkë njerëz profilesh të ndryshme por me dashuri të çiltër për muzikën. Edhe gjatë viteve të ’90-a, ndërsa qyteti ishte i ndarë në masë të madhe në vija etnike, skena muzikore mitrovicase ende gjallëronte nëpër bare, shtëpi e garazha, dhe shqiptarët gjithashtu organizonin koncerte roku. Kjo nismë së pari u ndërmor më 2008 nga një grup muzikantësh me ndihmën e organizatës së shquar Muzikantët pa Kufij dhe Community Building in Mitrovica, CBM. Për arsye të sigurisë, rreth 70 vijues të kësaj shkolle janë të ndarë në dy degë, me rreth 40 vijues që vijojnë shkollën në pjesën veriore me shumicë serbe, dhe rreth 30 vijues në pjesën jugore me shumicë shqiptare. Sipas stafit drejtues, qëllimi i kësaj shkolle është t’u ofrojë të gjithë atyre që dëshirojnë, qofshin ata nga jugu apo nga veriu i qytetit, mundësi për t’i gjetur identietet e tyre muzikore me ndihmën e mësuesve vendorë e ndërkombëtarë. Me një pagesë simbolike, shkolla u ofron vijuesve të moshës 13 deri 25 vjeç hapësira të pajisura me instrumente muzikore, dhe me mësues e drejtues bendesh të cilët udhëzojnë, trajnojnë dhe ndihmojnë që ata të krijojnë bendet e tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here