Pse në Shqipëri pagat janë më të ulëta në rajon?

0
174

Studimi i Eurostat: Një orë pune në ekonominë shqiptare kushton mesatarisht 2.2 Euro, dy herë më e ulët se në vendet e tjera të rajonit dhe 11 herë më e ulët se në BE. Përse ndodh kështu?

Orientimi i investimeve të huaja në tregun Ballkanik lidhet me një sërë arsyesh, mes tyre dhe kostoja e ulët e fuqisë punëtore. Hendeku mbetet i madh. Nëse p.sh., në vendet e BE-së çmimi mesatar për një orë pune përllogaritet në 24 Euro, në shtetet e rajonit ballkanik mesatarja e këtij treguesi shkon në 4.4 orë Euro. Sipas studimit më të fundit që ka publikuar EuroStat, kur vjen fjala për Shqipërinë shifra është akoma edhe më e ulët: një orë pune ka koston mesatare 2.2 Euro. Ekspertët e ekonomisë bëjnë arsyetime nga më të ndryshmet, për rrjedhojat e këtij polariteti, si dhe për faktin se sa ky indikator shfrytëzohet në favor të nxitjes së investimeve të huaja – investime për të cilat Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë të përhershme. Profesori i Ekonomisë, Selami Xhepa, zëvendësrektor për kërkimin shkencor në Universitetin Evropian të Tiranës, mendon se pagat e ulëta në Shqipëri më shumë se konkurueshmëri të ekonomisë, reflektojnë dobësi të saj. Duke e parë në planin teorik, profesor Xhepa thotë se  pagat reflektojnë nivelin e produktivitetin të ekonomisë, për rrjedhojë një nivel më i ulët i tyre është shprehje e një produktiviteti më të ulët të ekonomisë në raport me fqinjët.

Aspak shqetësim nga qeveria për papunësinë e lartë

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, dr. Zef Preçi, koston e ulët për orë pune në Shqipëri e përshkruan si një problem të komplikuar dhe që në analizë të tij reflekton dy anë: njëra është karakteri i theksuar rural i popullsisë – e cila ka shërbyer si ofertë krahu i lirë pune në periudhën nga viti 1990 e deri më sot, dhe tjetra reflekton ngadalësinë me të cilën në vend është përmirësuar infrastruktura dhe dobësitë e funksionimit të sistemit ligjor. Infrastruktura dhe sistemi ligjor mundësojnë futjen e teknologjive bashkëkohore si dhe thithjen e investimeve të huaja direkte’,  thotë dr Preçi.

Tërheqja e investimeve jo vetëm tek promovimi i krahut të punës

Edhe drejtori i Qendrës Shqiptare për Gazetari Investiguese në Tiranë, Shpëtim Luku mendon se kostoja e lirë e fuqisë punëtore ka qenë një avantazh konkurrues në fillimet e tranzicionit demokratik në Shqipëri. Në analizë të tij fatmirësisht apo fatkeqësisht edhe pas rreth një çerek shekulli, kostoja e lirë e fuqisë punëtore vijon të mbetet avantazh. Duke parë anën pozitive, Luku shprehet se kostoja e fuqisë punëtore është një faktor i rëndësishëm për joshjen e investitorëve të huaj potencialë. Kurse duke parë anën negative, kosto e lirë e fuqisë punëtore evidenton, se zhvillimi në 26 vitet e fundit nuk ka qenë i tillë dhe se polarizimi social është rritur ndjeshëm. “Të joshur e të stimuluar prej këtij fakti janë kryesisht sektorë me produktivitet dhe vlerë të shtuar të ulët, si call center-at apo biznesi me material porositësi, fason. Kjo dëmton konkurueshmërinë e vendit në terma afatgjatë. Referuar një botimi të përvitshëm të Qendrës Shqiptare për Gazetari Investiguese rezulton se në grupin e 100 kompanive punësuese më të mëdha në vend gjatë vitit 2015, 14 prej tyre ishin call center-a dhe kompani të fasonit, që në total punësojnë rreth 14 mijë vetë ose afro 18 % të totalit të të punësuarve mes 100 kompanive”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here