Griezmann te Reali apo Manchesteri?

0
159

Presidenti i Atletico Madrid, Enrique Cerezo, thotë se nuk ka asnjë shans që ylli i skuadrës së tij, Antoine Griezmann, të bashkohet me Real Madrid apo Manchester United. Francezi e ka parë emrin e tij të lidhur me një numër skuadrash të mëdha në Europë, muajt e fundit, pas paraqitjeve mbresëlënëse me klubin dhe kombëtaren. Zërat për një kalim në “Old Trafford” kanë dale në media, me lojtarin vetë që ka pranuar se do ta shijonte mundësinë për të luajtur së bashku me patriotin Paul Pogba, ndërsa kampioni i Europës, Real Madrid, ka qenë gjithashtu i lidhur me një ofertë shokuese për të. Cerezo, megjithatë, ka për qëllim t’i refuzojë të gjitha ofertat për 25-vjeçarin.

“Unë nuk besoj se ka ndonjë mundësi për Griezmann, që të shkojë te Real Madrid, apo në ndonjë ekip tjetër, – tha ai për “Onda Cero”. – Kam një marrëdhënie fantastike me Real Madrid, një respekt për ta si njerëz dhe fqinjë, por Griezmann nuk shkon atje.” Atletico Madrid do të përballet të shtunën, për herë të parë që kur humbi finalen e Ligës së Kampionëve, me penallti, në “San Siro”, majin e këtij viti. Ekipi vendas e di se një humbje në “Vicente Calderon” do ta shihte atë të kalonte nëntë pikë prapa rivalëve të qytetit në klasifikim, pas vetëm 12 ndeshjesh, duke shuar shpresat për një sfidë titulli në La Liga.

Cerezo pretendon se është e vështirë për të konkurruar me Real Madrid dhe Barcelonën, nisur nga superioriteti i tyre financiar, por thotë se Diego Simeone dhe lojtarët e tij janë të vendosur për të shijuar një sezon të suksesshëm. “Ne do të përpiqemi që të kemi një sezon më të mirë se vitin e kaluar, – tha ai. – La Liga është një garë shumë e gjatë, që me kalimin e javëve ndërthuret edhe me Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit. Asgjëje nuk i dihet. Ne do të luftojmë për titullin në Spanjë.”/telesport

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here