Mbrojtësi kuq e zi largohet nga kombëtarja drejt Kosovës (FOTO)

0
153

Kosova përforcohet me një tjetër futbollist që më herët ka veshur fanellën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Fidan Alitin, mbrojtësin nga Presheva që luan me Slaven Belupon në ligën e parë kroate.

Aliti Fidan

Lajmin e ka konfirmuar vetë lojtari, i cili në një prononcim për portalin kosovar “Telegrafi” ka thënë se ka marrë ftesë për ndeshjen e 12 nëntorit me Turqinë. “Edhe zyrtarisht kam marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës që t’i bashkohem dhe për këtë jam shumë i lumtur”, është shprehur 23-vjeçari.

“Ky vendim i marrë nga unë nuk është kundër Shqipërisë, ku kam luajtur më parë, por është për ta ndihmuar Kosovën. Kemi biseduar edhe me FSHF-në dhe jemi akorduar që unë të jem pjesë e Kosovës”, deklaroi lojtari i lindur në Zvicër.

Ai është në pritje të pasaportës së Kosovës, pasi momentalisht posedon vetëm ato të Shqipërisë dhe Zvicrës. “Jam në pritje të pasaportës së Kosovës, shpresoj që të më bëhet sa më shpejtë dhe të mund ta jap kontributin tim për Përfaqësuesen kosovare”, tha Aliti.

Fidan Aliti

23-vjeçari është mbrojtës i majtë, por mund të përshtatet në të gjitha pozicionet e prapavijës. Në këtë sezon ai ka ka luajtur tetë ndeshje me ekipin nga Belupo.

Fidan Aliti shprehet krenar për faktin që do të jetë futbollisti i parë shqiptar nga Lugina e Preshevës që do ta veshë fanellën e Kosovës. “Është një krenari për mua që të jem futbollisti i parë nga Lugina e Preshevës që do ta bartë fanellën e Kosovës. Do të mundohem ta jap maksimumin që ta prezantoj edhe Luginën në Përfaqësuesen e Kosovës. Lugina është Kosovë dhe shpresoj që pas meje të ketë edhe futbollistë të tjerë nga kjo pjesë e Kosovës që do t’i bashkohen Përfaqësueses më të re në Evropë”, tha Aliti për “Telegrafin”.

Lojtari e nisi karrierën me Konkordian, ekipi nga Bazeli ku hodhën hapat e parë edhe vëllezërit Xhaka. Më pas kaloi te Old Bojs, ndërsa në ligën e parë zvicerane debutoi me fanellën e Luzernës në sezonin 2014-2015. Viti pasardhës e gjeti Alitin në Moldavi te Sherifi i Tiraspolit, ndërsa nga vera e këtij viti është pjesë e Slaven Belupos.

Fidan Aliti u grumbullua për herë të parë e të fundit nga trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, në maj 2014 dhe veshi fanellën kuqezi në miqësoret me Rumaninë dhe San Marinon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here