Sokol Dervishaj: Mos kërkoni rritjen e tarifave për ujin, të rritet performanca

0
239

Një element i rëndësishëm në fazën e dytë, Ministri Dervishaj tha se do jetë firmosja e kontratave të performancës me gjithë ujësjellësit e vendit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Enti Rregullator i Ujit, ku u paraqit raporti i performancës së ujësjellësave për vitin 2015. Ministri Dervishaj tha se duke filluar nga muaji nëntor, fillon faza e dytë e reformës së Ujit, që parashikon zbatimin në terren.

Një element i rëndësishëm në fazën e dytë, Ministri Dervishaj tha se do jetë firmosja e kontratave të performancës me gjithë ujësjellësit e vendit, duke i hapur rrugë elementëve të tjerë që lidhen me strukturimin, ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, apo kualifikimin e stafeve. Dervishaj u ndal edhe te problematika e subvencionimit, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë këtë skemë edhe për 5 vitet e ardhshme, por bazuar në performancën e shoqërive.

Në lidhje me shqetësimin e disa kryetarëve bashkish për borxhin e akumuluar ndër vite, Dervishaj tha se Qeveria është duke punuar për një model që jep zgjidhje përfundimtare, ndërkohë është parashikuar falja e një pjese.

I pyetur për propozimin e “ERrU”, për rritjen e çmimit të ujit, Dervishaj tha se nuk është Ministria që vendos, por duhet të zbatohet një politikë e kujdesshme.

“Nëse reforma zbatohet me sukses në terren, duke u fokusuar te ulja e humbjeve në rrjet, nuk shikoj arsye pse të ketë rritje të çmimit. Qytetarët nuk duhet të vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të ujësjellësave”, tha Dervishaj.

Ministri kërkoi bashkëpunimin e pushtetit vendor, sidomos në aspekte që lidhen me mirëmenaxhimin dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore nga ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve. Në fakt, performanca e shoqërive ujësjellës-­kanalizime nga viti në vit përkeqësohet edhe më shumë. Edhe pse niveli i ujit pa të ardhura qendron për të pestin vit radhazi në 67 për qind, gjatë vitit që kaloi ndër të tjera janë rritur edhe shpenzimet e shoqërive. Enti Rregullator i Ujit ka publikuar raportin e performancës për vitin 2015, ku theksohet se nevojitet reformim urgjent i sektorit. Kreu i ERRU, Ndriçim Shani, parlajmëron një bum aplikimesh për rritje të çmimit të ujit të pijshëm gjatë vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, Ministria e Transportit është e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet sektori i ujësjellës­kanalizime, por paralajmeron se reforma ka hyrë në fazë implementimi. Me hyrjen në fuqi të reformës së re administrativo –territoriale ka ndryshuar edhe konfigurimi i shoqërive ujësjëllës­kanalizime, të cilat tashmë janë në varësi të 61 bashkive.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here