Gjykata rivlerëson masën e sigurisë për Robert Kullëni, i shton dhe 2 javë burg

0
136

Gjykata e Tiranës ka rivlerësuar masën e sigurisë për Robert Kullën, duke e lënë në burg edhe për 15 ditë të tjera. Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, për të shtyrë afatet e paraburgimit me dy javë të tjera, me argumentin se organi i akuzës duhet të mbledhë prova të tjera. Masa me afat u dha për të verifikuar burimin e të ardhurave të Kullës, të cilit, në momentin e arrestimit iu gjetën 30 mijë euro. Ndaj Kullës, e njëjta gjykatë vendosi një muaj më parë masën e sigurisë me 30 ditë burg, pasi dyshohet si një nga tre autorët e vjedhjes së një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut. Ditën e djeshme 35-vjeçari Kulla priste që të lirohej nga ambientet e paraburgimit, pasi përfundonte afati prej 30 ditë burg, masë e dhënë nga e njëjta gjykatë. Nga ana tjetër Kulla i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa për shumën e lekëve të gjetura në momentin e arrestimit, i ka justifikuar me faktin se i kishte nga qiratë e magazinave në pronësi të tij. Kulla është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare pasi, ka qenë i dënuar më parë për rrëmbim mbajtje peng personi dhe armëmbajtje pa leje. Ai është edhe djali i Nehat Kullës, i njohur ndryshe me nofkën “ Gjenerali”. Për të njëjtën çështje në pranga kanë përfunduar edhe Alan Babameto dhe Roland Liti, të cilët qëndrojnë nën masën e sigurisë arrest me burg pa afat. Zbulimi i autorëve të vjedhjes së bankës erdhi pas gjetjes së një gjurme gishti të Roland Litit, një person me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje. Nga ky moment 37-vjeçari është mbajtur në vëzhgim duke zbuluar lidhjen me Robert Kullën dhe 23-vjeçarin tjetër të vënë në pranga, Alan Babameto. Ndërkohë përfshirja e Babametos është faktuar nga përgjimet telefonike që vërtetojnë se 23-vjeçari ka qenë bashkëpunëtor në këtë grabitje. Mëngjesin e 8 gushtit punonjësit e bankës, konfirmuan se në dhomën kasafortë të bankës mungonin rreth 200 milion lekë.

Hetimet

Grabitësit e 200 milion lekëve të vjetra në bankën e nivelit të dytë në ish-Bllok u zbuluan nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime pranë grupit hetimor. Roland Liti, një prej personave që dyshohet se kreu grabitjen, u identifikua nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve të lënë në një shishe plastike uji e cila u gjet në bodrumin ku u kryen punimet për hapjen e vrimës së bankës. Pas ekzaminimit të këtyre gjurmëve rezultoi se ato i përkisnin 37-vjeçarit Liti, i cili u vu nën përgjim dhe më pas u bë i mundur dhe identifikimi i dy personave të tjerë të dyshuar si autor të grabitjes. Nga ky moment 37-vjeçari është mbajtur në vëzhgim duke zbuluar lidhjen me Robert Kullën dhe 23-vjeçarin Alan Babameto. Ndërsa pasditen e 9 gushtit, të këtij viti, vetëm një ditë pas grabitjes, Roland Liti dhe Alan Babameto udhëtuan në drejtim të Malit të Zi nëpërmjet pikës Kufitarë të Muriqanit me një automjet me targa AA 702 DX, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme monetare gjatë qëndrimit në Malin e Zi. Autorët e dyshuar të grabitjes së bankës në 8 gusht të këtij viti, u prangosën nga policia në sajtë të operacionit të koduar “depërtimi”. Policia gjatë aksionit për arrestimin e tyre sekuestroi edhe shumën prej rreth 60 milion lekë të vjetra në cilësinë e provës materiale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here