Pa u tharë boja në ligjin e plehrave, jepet me vrap koncesioni

0
243

­ Me suksese të tilla, të ndërtuara mbi plehra, pretendohet se është arritur sukses botëror

 

Ervin Kaduku

 

Një vendim, i shpallur dje për dhënien me koncesion për gjashtë vjet të trajtimit të mbetjeve në qarkun e Fierit, të bën të mëndosh lidhur me një koincidencë të habitshme midis miratimit të ligjit të importit të mbetjeve dhe këtij koncesioni. Pyetjet që lindin në këtë mes janë disa: a ekziston një strategji e njohur publikisht që të rregullojë përdorimin e mbetjeve urbane për prodhimin e energjisë? Ç’kërkohet të arrihet me përfshirjen në këtë fushë të veprimtarisë së biznesit të subjekteve të huaja, kur dihet se në vende të tjera fqinje këtë sektor e konotrollon mafia? A është pyetur në këtë proces Avokatura e Shtetit dhe Agjencia e prokurimit publik?

Edhe pse ka pak ditë që ligji për importin e plehrave u miratua, tashmë kemi fituesin e parë të koncesionit për riciklim mbetjesh urbane në Shqipëri. Është një bashkim operatorësh ndërmjet SHPK-së shqiptare ”Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoton dhe shoqërisë italiane ‘’Energy 2 SRL’’, që kanë fituar garën për kontratën koncesionare për “Ndërtimin dhe Administrimin e Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane” në qarkun Fier. Fjala është për një objekt me vlerë 27 milionë euro, që vështirë se i investon njeri në Shqipëri, pa patur garancinë e një fitimi të sigurtë dhe me normë shumë të lartë.

Gara për këtë konçension ka nisur që në muajin korrik, ende pa u miratuar ligji për importin e plehrave. Kjo u denoncua dje edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë një dalje para mediave.

Ndërkohë sipas organizatës “Open Data Albania”, tek Open Procurement Albania sapo është bërë publik informacioni për bashkimin e operatorëve fitues të koncesionit ”Ndërtim dhe Administrim i Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier për prodhim Energjie”, ku duket edhe objekti i kontratës.

Objekti i Kontratës është: Dhënia me koncesion e Ndërtimit dhe Administrimit të Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane. Autoriteti Kontraktues, nëpërmjet kësaj kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep Koncesionarit të drejtën për

  • Financimin, Projektimin, Ndërtimin dhe Vënien në Punë të Impiantit;
  • Administrimin; Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta Urbane jo te Rrezikshme;
  • Mirëmbajtjes se landfill-it;
  • Grumbullimit dhe përdorimit të mbetjeve për prodhimin e energjisë elektrike dhe
  • Transferimi ne fund te periudhës koncesionare të impiantit të incenerimit nga Koncesionari tek Autoriteti Kontraktues.

 

Rregullimi i marrëdhënieve mes Autoritetit Kontraktuese dhe koncesionarit lidhet me:

  • marrjen në dorëzim të terreneve mbi të cilat do të ngrihet impianti dhe transferimin në përfundim të koncesionit, tek Autoriteti Kontraktues;
  • kryerjen e punimeve për përgatitjen dhe vënien në siguri të zonës së kantierit për fazat e mëtejshme të realizimit të veprës;
  • realizimin e gjithë punimeve të nevojshme për depozitimin e mbetjeve jo te rrezikshme të ardhura nga të gjithë bashkitë që bëjnë pjesë në Qarkun e Fierit;
  • operimin e impiantit për 6 (gjashtë) vjet

Vendndodhja e objektit të kontratës: Zona ku do të kryhet ndërtimi përfaqëson fundin e shpatit të fshatit Portëz. Ajo është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël nga 55m në 75m mbi nivelin e detit. Kordinatat gjeografike janë: 40°41’55” Veri 19°34’09’’ Lindje. Kontrata ka afat 6-vjeçar. Integrated Technology Services, kompania shqiptare në bashkimin e kompanive fituese, në vitin 2015 ka arkëtuar nga institucione qeveritare 114.089.097 lekë në 5 transaksione, afro 1 milion euro.

Energji nga plehrat?

Pasi e “ndriti” sektorin e shpërndarjes së energjisë, qeveria pretendon se do të nxjerrë energji edhe nga plehrat. Por më mirë le të merret me problemet që ka sektori, ku mburrjet nuk mund të mashtrojnë qytetarët.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka publikuar dy ditë më parë me mburrje treguesit kryesor të aktivitetit 8-Mujor (janar-gusht 2016). Sipas OSHEE-së, treguesi i humbjeve ka pësuar një ulje të ndjeshme në 28.1% për këtë periudhë të vitit, ndërsa ka mundur të grumbullojë nga arkëtimet për furnizimin me energji elektrike shumën prej 40,7 miliard lekësh prej të cilave 2,6 miliard lekë janë nga aktmarrëveshjet ndërsa 38,1 miliard lekë nga faturat.

E ndërsa OSHEE vetëlavdërohet me arkëtimet, kjo kompani nuk tregohet transparente se sa detyrime janë fshirë nga sistemi nëpërmjet korrupsionit. OSHEE vazhdon të heshtë për skandalin e denoncuar në TV, ku u zbulua se punonjësit e kësaj kompanie nëpërmjet korrupsionit fshinin detyrime të mëdha nga sistemi për të përfituar para në xhepat e tyre. Aq më tepër që ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi siç u zbulua nga investigimi, ky rast ishte përsëritur me dhjetëra herë.

OSHEE nuk sqaroi asnjëherë për publikun se sa detyrime ishin fshirë nga sistemi nëpërmjet korrupsionit, ndërsa Policia u mjaftua me një procedim, pa hetuar thellë në këtë skandal.

Nga ana tjetër, transparenca e OSHEE-së mungon edhe në faturat abuzive. Një denoncim i një qytetareje, thotë se edhe pse harxhon në minimum energji elektrike, fatura vjen e kripur. Qytetarja me inicialet F.H., shkruan se “vjedhja që po bën OSSHE me matësit është fatale. 51 mijë lekë të vjetër ishte fatura e gushtit për familjen time, që plus kësaj kam dhe 25 mijë të debisë që po paguaj nga mbifaturimi i tre faturave super të mëdha bëhet 76 mijë lekë të vjetër për ta paguar. Sa për sqarim, gatuajmë me gaz dhe jemi vetëm 3 persona në familje. Vetëm në darkë konsumojmë energji, dhe këtë për një TV, frigoriferin një njëkatësh, dhe një llampë që mund ndizet, ekonomike dhe kjo”, denoncon qytetarja. Ndërsa më tej paraqet edhe një tjetër fakt më të rëndë, se sa herë është ankuar, aq më e madhe i ka ardhur fatura.

“Sa më shumë jam ankuar aq më e madhe më ka ardhur fatura. Kryeministri nuk e di se me sa lekë mbahemi ne familjet e thjeshta nga punët e zeza që bëjmë???? VETËM për BUKË e mezi po ja dalim, TURP”, shkruan denoncuesja.

Por rastet si i mësipërmi janë me qindra në Shqipëri, ku qytetarët ankohen për mbifaturime abuzive, por zyrat e kujdesit ndaj klientin në OSHEE bëjnë “shurdhin” për ankesat e tyre, ose më keq akoma, muajin tjetër të vjen një faturë edhe më e fryrë, siç i kishte ndodhur qytetares që denoncoi rastin e abuzimit.

Siç duket mënyra e faturimeve abuzimeve është “suksesi i OSHEE” për arkëtimet dhe për të mbuluar vjedhjet brenda kompanisë.

Me suksese të tilla, të ndërtuara mbi plehra, pretendohet se është arritur sukses botëror!!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency