Dëmet nga protesta e 8 dhjetorit/ Gjykata rrëzon gjobat ndaj PD, Bashkia: Fitoi Tirana. PD: Mashtrim i ulët

0
167

“Pretendimi  i Erion Veliajt se paska fituar gjyqin me PD në lidhje me protestën e 8 dhjetorit, është një riciklim mbetjesh e mashtrimesh të ulëta”

 

Në kuadër të lëvizjes së 8 dhjetorit që u shoqërua me trazira dhe protesta në kryeqytet vitin e kaluar,  ku dhe u shkatërrua dhe bunkeri, bashkia e Tiranës paditi menjëherë pas protestës  Partinë Demokratike për dëmet dhe shkatërrimet që u bënë.  Por ditën e djeshme është dhënë vendimi nga Gjykata Administrative e cila  shfuqizoi 5 nga 7 gjobat që Bashkia e Tiranës i kishte vendosur Partisë Demokratike, pas protestave, që sipas bashkisë shkaktuan dëme për të cilat PD duhet të dëmshpërblente. Vendimin i marrë Gjykata Administrative, pas procesit gjyqësor për çështjen në fjalë dhe ankimimit të demokratëve. Pas vendimit, gjykata ka shfuqizuar gjobat e tjera dhe ka lënë në fuqi dy gjoba, me 10 mije leke secila e konkretisht “Dëmtim, çarje dhe ndotje rruge” dhe “Dëmtim, çarje dhe ndotje trotuari”. Bashkia ka deklaruar se do ta apelojë vendimin që shfuqizon gjobat ndaj PD-së. Çështja nisi fill pas protestës së 8 dhjetorit të vitit të kaluar, kur PD protestoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe bashkia duke analizuar ndotjen dhe dëmet e shkaktuara i vendosi gjobë PD-në 163 milionë lekë. Pas vendimit për gjobë, plasi skandali me falsifikimin e firmës që shoqëronte fletë gjobitjen. Policia shkencore arriti në përfundimin se fleta e gjobës ka nënshkrimin e Besmir Karajt, policit bashkiak por plotësimi i saj nuk është bërë nga ky efektiv pasi shkrimi nuk është i tij. Nuk dihet ende se kush e ka plotësuar gjobën në fjalë, ndërsa polici bashkiak Besmir Karaj ka theksuar se firma në fund të fletës është hedhur kohë më parë pasi është praktikë pune që fletët e bllokut të gjobave firmosen nga polici bashkiak dhe mbahen të firmosura ndërsa plotësimi i pjesës tjetër të fletës bëhet gjatë procesit të punës në vazhdimësi.

 

Reagimi i Bashkisë

Pas vendimit të Gjykatës Administrative që ka shfuqizuar 5 nga 7 gjobat e vendosura nga Bashkia për PD-në, reagon kryebashkiaku Erion Veliaj, sipas të cilit, “drejtësia vonon, fitoi Tirana”. Administrativja la në fuqi dy gjoba, me 10 mije leke secila e konkretisht “Dëmtim, çarje dhe ndotje rruge” dhe “Dëmtim, çarje dhe ndotje trotuari”. “Qyteti është i të gjithëve, vandalizmi nuk duhet toleruar. Ashtu si te lodrat, triumfoi puna dhe jo dhuna”, tha Veliaj. PD do paguajë 20 mijë lekë për dëmet që shkaktoi te protesta e 8 dhjetorit

Reagimi i PD-së

Pretendimi  i Erion Veliajt se paska fituar gjyqin me PD në lidhje me protestën e 8 dhjetorit, është një riciklim mbetjesh e mashtrimesh të ulëta. Sot, Gjykata Administrative vendosi shfuqizimin e të 7 akteve të Erion Veliajt, pra shfuqizoi pretendimet e tij sikur protesta popullore kishte shkaktuar 172 milionë lekë dëme në qytet. Gjykata e gjeti të paligjshëm dhe të pabazuar në prova, pretendimin e Veliajt, të bërë edhe publik me njoftimin që bëri me 8 Dhejtor 2015, ku ai kakariste se do ta detyronte PD-në të paguante cdo qindarkë. Në këtë mënyrë gjykata pranoi argumentimin e përfaqësuesve të PD se “dëmet”, ishin fryt i fantazisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe se ato nuk kishin ndodhur në të vërtetë. Për më tepër, gjoba që Veliaj i vendosi protestës popullore, ishte një falsifikim i pastër, shkelje e rëndë ligjore, për të cilën ai duhet të ndiqet penalisht, pas kallëzimit që ka bërë polici bashkiak, të cilit iu falsifikua firma.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency