Përfundon diskutimi i 6 ligjeve të reformës, të hënën mbyllet e gjithë paketa e emergjencës

0
153

Mazhoranca ka përfunduar shqyrtimin e paketës së ligjeve të emergjencës, që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese. Pavarësisht bojkotit të opozitës në komisionin e reformës, shqyrtimi i ligjeve ka përfunduar. Të hënën pritet të bëhet miratimi i ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe i të gjithë ligjeve të tjera që kanë mbetur të hapura. Pas kësaj, paketa është e gatshme për seancën plenare të së enjtes. 3 prej ligjeve ishin planifikuar të miratoheshin më 22 shtator, por kjo nuk ndodhi dhe u vendos që më 29 shtator të kalojnë në seancë të 6 ligjet. Nga këto ligje, 2 janë më të rëndësishmit, ai për strukturën antikorrupsion dhe për organet e sistemit gjyqësor. Sa i përket ligjit për SPAK, me miratimin e tij do nisë dhe lufta ndaj korrupsionit në gjyqësor dhe politikë. Efektet e tij pritet të nisin në 2017, megjithatë pas miratimit do ngrihen strukturat dhe do nisin trajnimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Prokuroria e Posaçme do të ketë 10 prokurorë të cilët do të trajnohen nga ekspertë të SHBA, së bashku me oficerët e policisë të Byrosë Kombëtare të Hetimit të ndihmuar edhe nga ekspertë të teknologjisë së informacionit dhe krimit ekonomik. Ligji për SPAK pritet të votohet në komisionin e reformës në drejtësi, ditën e hënë. Sa i takon ligjit për organizimin gjyqësor, ai përmban mënyrën se si do ngrihen dhe do funksionojnë organet e reja, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, apo Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në ligj parashikohen kriteret për anëtarët dhe kompetencat e secilit organ. Një tjetër ligj interesat është ai për prokurorinë. Ky ligj ka hapur debate mes PS dhe PD, pasi përmes tij Adriatik Llalla del komplet jashtë loje. Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është ligji që rregullon të drejtat dhe detyrimet e trupës gjyqësore, zhvillimin e karrierës si dhe vlerësimin etik dhe profesional të tyre. Ky ligj i cili gjithashtu u miratua vetëm me votat e maxhorancës pas bojkotit të opozitës, përcakton edhe pagat e gjyqtarëve të cilat do të pësojnë një rënie nga drafti i parashikuar më herët. Një tjetër ligj është ai për Gjykatën Kushtetuese, ku risia aty është se ndryshojnë aktorët që mund t’i drejtohen kësaj gjykate.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency