“Life-long Education”, ëndrra që vdiq me rilindjen

0
230

Nga Dr. Albano Zhapaj

 

“Facere docet philosophia-shkruante filozofi i vjetër Seneka”: “Puna jonë duhet udhëhequr nga dituria”. Është puna jonë, veprimet tona, aksionet që ndërmarrim, marrëdhëniet njerëzore që krijojmë, ato të cilat  na bëjnë të zbulojmë vetveten, se kush jemi, ç`farë kërkojmë nga vetja e të tjerët, përse sillemi në këtë apo atë mënyrë, përse mbajmë një qëndrim në vend të një tjetri, etj.

Qysh kur kemi lindur e deri në fund të ditëve tona, është tek të vepruarit që ne ndërtojmë veten tonë, botën që na rrethon dhe instrumentet për ta njohur e kuptuar botën.  Në fillimet e kulturës së lashtë, në shkollat (skole`) Aristoteliane apo Platonike, kush mësonte në to ishin të rriturit dhe jo fëmijët. Pra objekt i edukimit nuk ishte fëmija por ishte aduti(i rrituri), adult i cili mbante në këmbë një sistem arsimimi e të nxëni të domosdoshëm për kohën në fjalë.

Vetëm pas shumë shekujsh, nën presione të vazhdueshme politike apo fetare, censurash e kontrollesh u bë i mundur mbyllja përfundimtare e skole`-ve spontane dhe zëvendësimi i tyre me struktura arsimi dhe edukimi, në fillim të niveleve elitarë e më pas të urdhrave fetarë, organizimeve ushtarake dhe të korporatave profesionale.  Në këto shkolla nxënësi ishte akoma një djalosh i rritur, por në ndryshim nga ajo antike duhej të ishte i shkëputur nga ambienti i punës apo i profesionit.  Më tej me ardhjen e industrializimit filloi të merrte formë arsimimi i planifikuar i të rinjve dhe në shkollën moderne filloi edhe i ashtuquajturi “detyrim” i përndjekjes së shkollës nga ana e nxënësve.

Ky organizim i ri, i programuar dhe i modeluar për grup mosha të ndryshme dhe që përgatiste tashmë të riun për në jetë, nga mosha e fëmijërisë deri në adoleshencë, vazhdoi gjatë për të arritur deri në ditët tona. Arsimi modern në këtë mënyrë la jashtë skenës arsimore të rriturin, adutin, i cili një herë përfunduar ciklin e detyruar shkollor, supozohej jashtë çdo koncepti edukues, dhe i dhurohej me kaq tregut të punës, me preokupimet e mbarëvajtjes së prodhimit dhe lënies së botës së diturisë shkollore pas krahëve. Sot shikojmë se kohët kanë ndryshuar  dhe tregu i punës, teknologjitë dhe komunikacionet ndryshojnë vazhdimisht  në mënyrë radikale, dhe me to edhe shoqëria. Tregje të ndryshme, të ndryshme nga këndvështrimi gjeografik sesa përmbajtjesor,  kanë filluar të ndërlidhen gjithnjë e më shumë në mënyrë dinamike, duke thyer kështu kufijtë territorialë duke ushqyer një konkurrencë që bëhet gjithnjë e më aktive. Paralelisht me evoluimin e habitshëm të teknologjive të fabrikimit në prodhimin e të mirave materiale, këto të fundit synojnë të jenë produkte cilësore dhe është pikërisht cilësia e tyre ajo që i nxjerr nga uniformizmi e i bën të dallojnë nga të tjerët.

Për t`u bërë e tillë kërkon punë gjithashtu cilësore, e puna cilësore vjen nga njerëz të përgatitur e të formuar, jo vetëm nga ana praktike, por të mbartur edhe me njohuri e dituri shkencore teorike. Me fjalë të tjera, burimet njerëzore duhet të jenë të axhornuara e të pajisura vazhdimisht me teori “të freskët”, të jenë të trajnuara e të edukuara në mënyrë permanente. Për këtë arsye ne sot shikojmë domosdoshmërinë dhe kthimin e adutit në procesin e të nxënit të vazhduar, pra në  “mësim”.  Tashmë i rrituri duhet të mësojë jo vetëm jashtë procesit të aktiviteteve të tij profesionale, por koherent me punën dhe profesionin e tij, në kurse, seminare, aktivitete trajnuese e shkëmbime të eksperiencës.

Sot në çdo vend të Evropës perëndimore në skenën e edukimit permanent, po rikthehet një i nxënë i vazhduar i mbartur prej  adultëve të cilët shfaqen në këtë skenë me eksigjenca e nevoja të reja, me prirje e vullnet për të mësuar gjëra të reja, me dëshirë për të krijuar marrëdhënie njerëzore cilësore, në mënyrë për të përmirësuar e forcuar identitetin e tyre përballë diturisë dhe punës që i lidh ata me botën përreth.

Nisur nga këto premisa, edhe në vendin tonë, lind natyrshëm nevoja për një formim të vazhdueshëm për të gjithë, sidomos për mësimdhënësit, në mënyrë që të jenë të aftë të realizojnë këtë pedagogji të re, që përveç transmetimit të dijes, ka qëllim të mbështetet mbi kolonat e komunikimit dhe bashkëbisedimit, dhe që ecën drejt një formimi personal e profesional të njeriut, si domosdoshmëri e kërkuar nga tregu i sotëm i punës dhe shoqëria njëkohësisht.  Kërkesat e shumta nga ana e adultëve për të ndjekur arsimin e lartë “Part-time” apo kurse të trajnimit e formimit profesional, kultural e gjuhësor, vërtetojnë më së miri atë që do ta quaja nevoja e “rikthimit në dije i adultëve”, dhe duke shtuar do t`a quaja një revolucion të thellë në praktikat edukative dhe mësimdhënëse, edhe pse akoma në kontekstin tonë arsimor nuk po i jepet aspak rëndësi këtij “rikthimi”, për të thënë që është zhdukur edhe si terminologji.

Për të kuptuar plotësisht proceset e transformimit edukativ adultë që është në vijim, edhe praktikat edukative kanë të domosdoshme përfshirjen e të rriturve në procesin edukativ permanent, si dhe duhet të analizojnë më mirë artikulimet gjithnjë e më të ngushta që po lindin midis tregut të punës dhe edukimit permanent të të rriturve, axhornimin e vazhdueshëm, mësimin përgjatë gjithë jetës.

Në këtë mënyrë fillojnë e vihen edhe bazat e përvetësimit të komunikimit pedagogjik të përgjegjshëm, duke futur mësues e nxënës së bashku, në praktikat e  teknikat e reflektimit dhe formimit të vazhduar mbështetur jo vetëm në transmetim mekanik të dijes, por mbi të gjitha në ndërveprim të ndërsjelltë të përvojave njërëzore të gjithsecilit.

Rrjedhimisht këtu futen në punë kujtesa, inteligjenca, imagjinata e ndjenjat për të kuptuar domethënien dhe vlerën thelbësore të asaj që quhet filozofi e komunikimit edukativ, për të zbuluar lidhjen me aspekte të tjera të njohjes së aktivitetit njerëzor, për të çmuar implikimet në një kërkim të vazhdueshëm të dijes dhe së vërtetës.  “Life-long-education” – të mësuarit gjatë gjithë jetës është një ekzigjencë që vërehet tashmë në çdo lloj forme organizuese, qoftë shtetërore apo private, dhe ajo çka është më e rëndësishme qëndron në faktin se edukimi permanent nuk fokusohet vetëm në nivelet drejtuese, por shtrihet tek çdo individ, në çdo nivel, pasi ajo që ka më rëndësi në shoqërinë e sotme është të ketë anëtarë të saj në gjendje të jenë autonomë e të përgjegjshëm, njerëz me kompetenca dhe zhvillim jo vetëm profesional por edhe shoqëror e njerëzor.

Në këtë kontekst shoqëror të formimit të vazhduar natyrisht që adulti përveç se realizimit personal dhe profesional të vetvetes, duhet patjetër të bashkëpunojë edhe me faktorë të tjerë të kontekstit dhe shoqërisë, në mënyrë që të gjithë të jenë pjesë dhe të kenë në konsideratë kontekstin real në të cilin jeton edhe vet njeriu, d.m.th. familja, kushtet shoqërore, vetë ambienti arsimor, politika, ekonomia, klima kulturore etj.  Mbyllja e sistemit “Part time” të arsimit të lartë është padyshim shuarja e mundësive dhe e ëndrrave të shumë shqiptarëve, që për një arsye apo një tjetër, në momentin e duhur nuk kanë mundur të kryejnë dot studimet universitare, kësisoj u është varrosur mundësia dhe shpresa për të realizuar jo vetëm ëndrrën e mbetur pezull, por edhe mundësinë për t`u pajisur dhe azhurnuar me dijet e nevojshme që kërkon koha sot.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency