Vasili: Vetëm transparenca e shëron mosbesimin

0
188

Sot, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, Pka dalë në një prononcim për median. Ai ka folur për disa nga temat më të nxehta të ditëve të fundit. Gjithashtu, Vasili ka folur dhe për takimin e tij me Lu e Vlahutin.

Z. Vasili, dje pasdite keni pasur një takim në Kryesinë e Kuvendit me dy ambasadorët, të BE dhe të SHBA, çfarë është diskutuar në këtë takim të djeshëm dhe së dyti, fati i ligjeve të mbetura të ligjeve organike, a do të jetë i ngjashëm me Vetingun meqenëse opozita në dy seanca e fundit të mbledhjes së komisionit nuk ka qenë e pranishme?

Dje pasdite ne kemi pasur një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lu dhe me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Vlahutin. Sigurisht që tema e vetme e diskutimit ka qenë reforma në drejtësi. Është një moment besoj i një rëndësie të veçantë. Momenti i përfundimit të miratimit të paketës së 7 ligjeve e cila jetëson, pra bën konkret zbatimin e reformës madhore, që u arrit me konsensusin tashmë të njohur dhe shumë të rëndësishëm që u realizua në mesnatën e 21-22 korrikut për ndryshimet kushtetuese.

Dhe sigurisht këto ligje janë ato që në mënyrë konkrete këtë konsensus të madh të arritur dhe këtë reformë kushtetuese e kthejnë në një veprim praktik për të gjithë arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë që ndërtohet në bazë të këtyre ndryshimeve kushtetuese. Sigurisht që më së pari është për të nënvizuar që ne konfirmuam edhe një herë vullnetin e grupit parlamentar të LSI-së për të mbështetur pa asnjë hezitim miratimin e plotë të kësaj pakete të këtyre shtatë ligjeve të cilët sigurisht janë kyç për të ardhmen e reformës.

Së dyti, unë nënvizova në emër të grupit parlamentar të LSI-së që fryma e konstruktivitetit dhe mirëkuptimi maksimal duhet të vazhdojë të mbizotërojë, pasi në vlerësimin tonë pjesa, do të thoshim më delikate e procesit, zemra e procesit, ka kaluar me një mirëkuptim dhe një konsensus të gjerë që ishte me ndryshimet kushtetuese ku janë fiksuar të gjitha momentet kyç të reformës. Dhe natyrshëm procesi i hartimit të ligjeve ecën në këtë rrugë parimore të miratimit të ndryshimeve në kushtetutë, dhe sigurisht në këtë frymë mirëkuptimi dhe pozitiviteti duhet të ecim dhe për gjashtë ligjet, të cilat presin që të kalojnë në sallën e parlamentit në datën 29 shtator, duke nënvizuar edhe rëndësinë e madhe që ata kanë, por njëkohësisht duke vazhduar të kemi po atë qëndrim të hapur që i jep procesit rrugë dhe siguron brenda të gjitha mundësive politike dhe një mirëkuptim sa më të gjerë pasi në vlerësimin tonë, një mirëkuptim i gjerë është një vlerë e shtuar në soliditetin e reformës të cilën po formësojnë së bashku me paketën e ligjeve.

Sigurisht ne kemi qenë dhe mbetemi të të njëjtit mendim, të pandryshuar, që reforma në drejtësi është një reformë madhore, një reformë të cilën qytetarët e presin dhe e kërkojnë. Për të cilën është bërë një investim shumë i rëndësishëm politik dhe klasa politike në mesnatën e 21-22 korrikut me konsensusin total me 140 vota demonstrojë një vullnet për të ecur në këtë reformë, dhe besoj që debati nuk duhet të jetë një debat i cili të na ndajë, por është një debat i cili duhet të na bashkojë. Pasi sigurisht procesi i hartimit të ligjeve ka edhe mjaft elemente dhe detaje të cilët sigurisht mund të krijojnë edhe debat, por që në këndvështrimin tonë nuk duhet të jenë debate të pakapërcyeshme, por janë debate të cilat me frymën e një konstruktiviteti dhe të përgjegjshmërisë për këtë reformë e cila duhet të marri rrugë sa më parë, dhe këto ligje e japin këtë mundësi që të marri rrugën, të realizohet.

Ndaj bashkëndamë me të dy ambasadorët, z. Lu dhe znj. Vlahutin, pikërisht të njëjtin vullnet dhe dëshirë dhe sigurisht ne do të vazhdojmë të kontribuojmë edhe në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi me këtë lloj fryme e cila gjithnjë e më shumë na afron drejt zgjidhjeve sa më të gjera dhe më të përbashkëta dhe sigurisht nuk i shërben dhe nuk duhet t’i shërbejë asnjëherë qëndrimi ynë në asnjë rast një debati shterpë apo një debati artificial. Kështu që kjo ka qenë edhe arsyeja e takimit, besoj të gjatë, me të dy ambasadorët për të ecur dhe në këtë fazë të re në të cilën ka hyrë reforma në drejtësi po me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën qasje politike. Pra, për të ecur përpara dhe për të krijuar gjithnjë e më shumë hapësira që të kemi sa më shumë mirëkuptim. Dhe besoj se kjo është një gjë, do të thosha shumë pozitive, që duhet të na shoqërojë edhe në këtë proces i cili besoj nuk ka sepse vonohet më tej pasi hapi i madh është hedhur në mesnatën e 21-22 korrikut.

Ju këmbëngulët te konstruktiviteti dhe te bashkëpunimi midis dy partive. Në rastin e ligjit të Vetingut nuk u arrit kjo gjë. Cila do të jetë vota e LSI-së në rast se sërish opozita do të bojkotojë se nuk do të votojë. Ju do ti bashkoni votat për të kaluar këto 6 ligje?

Ju shpjegova edhe në pjesën e parë të përgjigjes. Ne kemi vullnetin e palëkundur që kjo reformë duhet të eci përpara. Pasi konkretizon në mënyrë të drejtpërdrejtë ato ndryshime madhore që ne kemi bërë në mesnatën e 21-22 korrikut dhe ecja përpara me reformën në drejtësi nuk mund të ketë kthim pas. Debati është i mirëkuptuar, debati e përmirëson dhe e shëndosh përmbajtjen dhe cilësinë e ligjeve dhe besojmë se nuk ka asgjë të keqe. Por konstruktiviteti për të pasur një zgjidhje të shpejtë të drejtpërdrejtë dhe për të vajtur me ligje sa më cilësore e për t’i miratuar ato më 22 shtator është një qëndrim politik i pandryshuar.

A mund të cenohet zbatueshmëria e kësaj reforme në momentin kur keni mësuar se PD-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të paktën për Ligjin e Vettingut, por ndoshta edhe për ligjet e tjera të reformës?

Unë besoj që u përpoqa të jem shterues në opinionin politik që shpreha këtu. Ne jemi këtu së bashku në këtë diskutim për të konfirmuar se cili është raporti dhe qëndrimi i LSI-së në raport me çështjen, pra me reformën në drejtësi. Cili është raporti ynë me sjelljet politike, pra të ecim me ligjet, t’i miratojmë ato, të kemi konstruktivitet në të gjithë procesin e diskutimit, pasi çdo përmirësim dhe çdo reflektim deri në momentin e miratimit është i mirëpritur. Kjo frymë përbën edhe qëndrimin e qartë tonin, pra qëndrimi i palëkundur, që reforma të ecë përpara, por njëkohësisht të hapur për çdo përmirësim. Nuk ka pse të kemi tabu për çdo përmirësim të mundshëm, që mund të bëhet pavarësisht nëse bëhet fjalë për një propozim që vjen nga opozita apo nga mazhoranca, apo kushdo qoftë.

Z. Vasili, ju keni paraqitur sot një amendament për ligjin e mbetjeve. Çfarë ndryshoni ju konkretisht dhe çfarë i shtoni këtij ligji?

Përsa i takon kësaj çështjeje, që është shumë delikate, trajtimi i mbetjeve në vendin tonë, ky problem ka dy anë. Njëra është një realitet konkret i sipërmarrjes në këtë fushë, pasi industria e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri, sikurse është e njohur dhe është bërë publike, është një investim dhjetarë milionësh dhe në të cilën para të gjithash janë të punësuar mijëra qytetarë. Pra, është një realitet faktit që ekziston dhe funksionon në Shqipëri.

Së dyti, ka edhe një shqetësim dhe një sensibilitet shumë të gjerë lidhur me këtë çështje, një sensibilitet i shoqëruar me një shqetësim të thellë, ky është evident. Një mosbesim i shtrirë ku shoqëria civile ka qenë në vijën e parë për këtë çështje, por ka qenë reflektuese e një shqetësimi më të gjerë mbarëqytetar, që ka kulmuar me veprimin e shoqërisë civile. Besoj që ky mosbesim, i cili për të qenë objektiv, nuk është një dukuri që shoqëron vetëm këtë çështje, por është një mosbesim i hapur në shoqërinë shqiptare, është një çështje që kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Dhe amendamenti i propozuar nga ne sigurisht zgjidh një çështje madhore, pra atë të mosbesimit, i jep një instrument në dorë që është shërimi i vetëm i mosbesimit, transparenca. Dhe amendamenti ynë përqendrohet dhe ka dimension të tijin nga fillimi deri në fund transparencën ndaj procesit. Ne kemi propozuar një pikë shtesë, që i mundëson shoqërisë civile si shprehja më e pavarur e opinionit mbarëqytetar që të jetë prezentë në këtë proces, të zhdoganimit dhe të kontrollit të këtyre mbetjeve, të cilat duhet të vijnë sipas legjislacionit të propozuar, sipas listës së blertë dhe normave të tjera që rregullojnë legjislacionin evropian në këtë fushë. Pra, ta ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë të ketë mundësi pa asnjë vështirësi të pajiset me të gjithë dokumentacionin për ta bërë këtë ndjekje dhe monitorim në mënyrë të drejtpërdrejtë pikërisht në doganat ku do të kryhet kalimi i mbetjeve.

Së treti, ka edhe një përcaktim tjetër, ku të gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve doganore të lejojnë pa asnjë kufizim që ky monitorim të kryhet. Besojmë dhe kemi bindje të plotë për këtë çështje që ky raport mosbesimi të thellë merr një përgjigje të drejtpërdrejtë, pasi në mënyrë konkrete thënë më thjeshtë duke i prekur me dorë gjërat, kemi mundësi të konstatojmë se si do të zbatohet në praktikë ky legjislacion, që mëton të jetë gjithnjë e më shumë një legjislacion bashkëkohor dhe a zbatohet në përputhje të plotë me atë që është shkruar.

Besoj që organet shtetërore nga njëra anë por nën vëzhgimin e vëmendshëm dhe të vazhdueshëm të shoqërisë civile, të cilët nuk do të kenë kufizime për të qenë të pranishëm në të gjitha etapat e këtij procesi, sigurisht është përgjigja besoj edhe në emër të grupit parlamentar të LSI-së, pasi amendamenti është shprehja e vullnetit të gjithë grupit parlamentar, është pra përgjigja më e mirë ndaj këtij mosbesimi dhe besojmë që ky dimension transparence që realizohet me këtë amendament në gjithë raportet ku ka mosbesim, është një dimension që duhet të në shoqërojë edhe për nismat e tjera, jo vetëm ligjore, por edhe të karakterit politik. Shpesh shoqëria shqiptare shpenzon kohë dhe energji pa fund për shkak të mosbesimit të thellë, që ndonjëherë kur nismat janë qëllimmira komprometohen në rrugë e sipër. Kështu që mendoj se kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe të gjitha palët janë përballë njëri-tjetrit për të kontrolluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të drejtpërdrejtë se çarë ndodh në praktikë dhe për të qenë të qetë të gjithë qytetarët shqiptarë që ky legjislacion zbatohet më korrektesë dhe asnjë e keqe nuk u vjen atyre nga kjo veprimtari ekonomike e cila është një veprimtari që ka zhvillimet e veta në Shqipëri, por edhe në mbarë Evropën.

Ndërkohë që dy muaj që diskutohet ligji për mbetjet, pse erdhi pikërisht tani ky propozim i LSI-së? A keni venë në dijeni një nga deputetët dhe njëkohësisht Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese z. Shalsi dhe një koment të shkurtër për reformën në drejtësi, si e komentoni qëndrim e Presidentit duke heshtur për ligjin e Vettingut duke mos marrë asnjë vendim dekreti?

Amendamenti ynë ka një qëllim të vetëm transparencën. Erdhi pikërisht në këtë kohë, pasi u konkludua pas gjithë debatit të gjerë që u zhvillua se sigurisht ishte një debat i tërë në proces dhe bindja e grupit ishte që amendamentet e propozuara kishin nevojë dhe për një plotësim të mëtejshëm, që jep një përgjigje mosbesimi të theksuar. Besoj që në gjykimin tonë është koha e duhur për ta bërë këtë ndërhyrje dhe Parlamenti ka të gjithë mundësi që të shprehet, pse jo pozitivisht për këtë çështje.

Ky është një amendament që është përpiluar nga ne dhe që është në detyrimin e Parlamentit për ta shqyrtuar dhe për t’u shprehur për të.

Nuk bëj asnjëherë komente për veprimet e Presidentit të Republikës, komenti që ju do të keni apo pyetje mund t’ia adresoni atij pasi është autoriteti që mund të përgjigjet.

Kryeministri Rama ka thënë se shumë shpejt do të ketë një takim me z. Meta për të diskutuar për të ardhmen e koalicionit nëse do të ketë një koalicion PS-LSI edhe në të ardhmen. A po përgatitet terreni për tu zhvilluar ky takim? Dhe LSI nuk ka pasur një koment pas fitores së koalicionit të marrë në zgjedhjet në Dibër. Si i shikoni ju akuzat e opozitës për shitje-blerje të votash, për manipulime zgjedhjesh? Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve në takimin falënderues që PS bëri, u vu re mungesa e LSI, ndërkohë që përfaqësues të PS falënderuan vetëm aleatin e tyre më të ri PDIU për kontributin për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Çfarë kontributi kishte LSI në këto zgjedhje?

Nuk kam asnjë koment apo informacion të tillë për një tavolinë të tillë që ju po flisni. Dhe sot e gjithë vëmendja politike edhe e Grupit Parlamentar të LSI , por dhe të gjithë forcës tonë politike të komunikimit me ju është që të kemi një përgjigje pozitive në sallën e Parlamentit, për një çështje shumë sensitive, siç është problemi i mbetjeve, i cili ka pasur edhe një reflektim shumë të gjerë mediatik dhe besoj se sot e kemi një zgjidhje që ne e gjykojmë si një zgjidhje konstruktive, racionale dhe që i jep një dimension të ri të reagimit, por edhe të monitorimit qytetar dhe sigurisht përqendrimi tjetër ynë është për një çështje madhore, siç është reforma në drejtësi dhe fokusi ynë i pa ndryshuar qëndron në këto çështje që kanë sensibilitet shumë të madh edhe për të tashmen edhe për të ardhmen e vendit

Z. Vasili LSI është përfshirë nga ethet e zgjedhjeve më 6 nëntor, ndërsa dje është shpallur për të garuar dhe një kandidaturë e z. Përparim Spahiu. Në një status ai tha se nuk mund të qeveriset më kështu sepse ka gjëra për të ndryshuar në bashkëqeverisje. Ju çfarë konstatoni që nuk është mirë në qeverisjen PS-LSI?

Me shumë dashamirësi këto janë pyetje legjitime që duhen t’i drejtohen kandidatit z. Spahiu , i cili do ti shterojë kuriozitetin tuaj për ato që ai i quan shqetësime.

Përse e keni thirrur ju takimin me ambasadorin. Çfarë shqetësimi kishte LSI që i thirri ambasadorët?

Besoj se informacioni juaj nuk është korrekt, nuk e kam thirrur unë, por ka qenë një takim i kërkuar nga ambasadorët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency