Agjencia Iraniane e Lajmeve në gjuhën shqipe, “ParsToday” ka paralajmëruar Shqipërinë se ndodhet në prag lufte për shkak të pranimit të grupit të muxhahedinëve, të shpallur armiq nga Republika Islamike.
Në një analizë që bën kjo media afër qeverisë së Iranit, e konsideron pranimin e 3200 muxhahedinëve nga Shqipëria si rrezik potencial për sigurinë e vendit.
“Nuk është problemi i një grupimi njerëzish, etnie, race, feje. Absolutisht jo. Çështja është se muxhahidinët janë armiq të shtetit të Iranit. Jo armiq e llafe, por luftëtarë aktivë, të shpallur armiq nga Teherani. Me ardhjen e tyre në Tiranë fronti i luftës Iran – Europë është në mes të atdheut tonë , të dashur. Ai komunitet së shpejti pritet të hapë mediat e veta e të intensifikojë aktivitetin brenda kufijve dhe të mbrojtur nga shteti ynë. A i duhej ky risk Shqipërisë?”, shkruhet në versionin në gjuhën shqipe të “ParsToday”.
Më tej, ky artikull e konsideron shitje të politikanëve shqiptarë, te zyrtarët amerikanë pranimin e muxhahedinëve. “I dështuar dhe poshtëruar në rastin e armëve kimike Rama nuk la t’i shpëtonte një rast i dytë. Opinioni nuk e kuptoi në kohë dhe shumë pak e dinë se ç’do të thotë të kesh futur luftën në oxhak. “Ta kem mirë me Amerikën”, ëndrra dhe makthi i çdo politikani shqiptar i erdhi në shteg Edit tonë dhe ky nuk e la t’i ikte”, shkruan agjencia shtetërore iraniane. Në artikull theksohet se vet SHBA që është sponsorizuesja e kësaj marrëveshje është duke u afruar gjithnjë e më shumë me Iranin, ashtu siç ka bërë edhe Bashkimi Europian, veprim që nuk po ndërmerret nga Tirana.
Pranimi i tyre nga qeveria shqiptare ka sjellë reagime të ashpra të Iranit ndaj qeverisë Shqiptare. Shkrimi i botuar nga media shtetërore iraniane së fundi, flet pikërisht për këtë gjë. Ku aludohet edhe për rrezikun që i kanoset shtetit shqiptar, sulmohen SHBA dhe bëhet diversion ndaj qeverisë shqiptare.
Marrëveshja, si erdhën Muxhahedinët në Shqipëri
Muxhahedin-e-Khalk, ose MKO. Organizata është themeluar në vitin 1960 në Iran, si krah i armatosur i rezistencës kundër vendosjes së regjimit të republikës islamike. Për qeverinë e Iranit ata cilësohen si terroristë dhe akuzohen për 12 mijë të vrarë në dekadat e fundit. Pas viteve 1980, për shkak të përndjekjes nga qeveria iraniane u vendosën në Irak. Sadam Hyseni në vitet i përdori në luftën Irak-Iran.
Në fund të viteve ’80 edhe SHBA-ja i futi në listën e organizatave terroriste. Në vitin 2009 vendet e SHBA dhe BE-së vendosen heqjen e emrit të kësaj organizate nga lista e terrorizmit. Grupi numëron rreth 15 mijë anëtarë në gjithë botën. Numri më i madh i tyre ndodhej në “Asharaf” në Irak, ku u vendosën që pas marrëveshjes me Sadam Hysenin. Për shkak të ndryshimit të politikave të Iranit me Irakun prania e tyre në këtë kamp është e rrezikuar.
Pas ndërhyrjes së SHBA në Irak, rreth 3 mijë muxhahedinët që ndodheshin në këtë vend, në pamundësi për tu rikthyer në Iran morën statusin e refugjatit nga organizatat ndërkombëtarë. Ndërsa SHBA-ja kërkoi zhvendosjen e tyre dhe Shqipëria u tregua e gatshme për t’i pritur. Asnjë shtet tjetër nuk pranoi ti merrte.
Kontingjenti i fundit i tyre ka ardhu këto ditë në Shqipëri, si pjesë e marrvëshjes SHBA-Shqipëri për të strehuar në vendin tonë rreth 3 mijë persona të këtij komuniteti. Marrëveshja e parë është nënshkruar nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2012, për pranimin e rreth 250 anëtarëve të kësaj organizate. Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama në vitin 2012 ra dakord për sjelljen në Shqipëri të gjithë grupit të organizatës së muxhahedinëve që ndodhet në Irak.
Marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Amerikane është nënshkruar në muajin qershor të këtij viti, gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit, Xhon Kerry në Tiranë. Në muajin shkurt u zbuluan detaje të marrëveshjes, ku rezultoi se megjithë ata që kishte pranuar qeveria “Berisha”, numri total i muaxhedinëve në Shqipëri do të arrijë në 3 mijë. Pra, i gjithë komuniteti iranian i kësaj organizate që ndodhej në Irak do të strehohet në Shqipëri. Marrëveshja SHBA-Shqipëri parashikon që qeveria jonë të përfitojë rreth 20 milionë dollarë asistencë për strehimin e tyre.
Lajmin e agjencisë iraniane mund ta lexoni ketu:Parstoday.com