Shqiptarët, një ushtri për Garibaldin

0
141

Gian Antonio Stella

 

Italianë, më italianë se shumë italianë. Donin aq shumë Xhuzepe Garibaldin sa ta krahasonin me heroin e tyre (si në një poezi të Zef Serembe i cili e krahason Garibaldin me Skënderbeun) e t’i venin nga pas me mijëra në marshimin nga Marsala drejt Napolit. Një dedikim absolut, edhe pse proverbi antik thotë: “nëse kalabrezët përballë italianëve ndihen gungaçë, shqiptarët nuk ndihen me një por me dy gunga në kurriz”

 

 

garribaldidd“Qenie e jashtëzakonshme, gjuhët tona nuk kanë fjalë për të të përshkruar; zemrat tona nuk dinë si të të shprehin admirimin tonë! Një popull i tërë të brohoret: Çlirimtar i më të bukurës pjesë të Italisë!”.

“Deklaratë e popullit të Lungros”, shkruar me një tepri pikëçuditësesh entuziazmi barok, nuk arriti kurrë në duart e Garibaldit. Në fakt, pikërisht në hyrje të Kastrovilarit, Komisioni i raskapitur nga udhëtimi i pafund mbeti i shastisur tek pa karrocën e Gjeneralit “që pa gdhirë zhdukej përmes lisave që hijesojnë rrugën konsullore romake”.

“Heroi i dy botëve” i mikluar me kaq dashuri në mesazhin që nuk mori kurrë (tekstualisht: “Amerika mund të krenohet me një Uashington, Svicra me një Vilhelm Tel, por Italia, akoma më krenare…”) e dinte mirë, ama, sa i madh ishte shpirti patriotik i njerëzve të Lungros, fshat kalabrez në provincën e Kozencës. Pasi pikërisht nga ai vend, që falë Eparkisë konsiderohet “kryeqyteti fetar” i arbëreshëve, shqiptarëve të Italisë, i erdhi kontributi më i konsiderueshëm në përqindje marshimit garibaldian në Napoli. 500 vullnetarë nga 5 mijë banorë. Pa llogaritur pleqtë, fëmijët dhe gratë, praktikisht një çdo tre burra.

Episodi është kujtuar, rrëshqanthi, në një libërth me vlerë. Titullohet “Il Tenente Generale”, shkruar nga Xhuzepe Martino Libri nuk ka shumë pretendime letrare e megjithatë duhet të lexohet në të gjitha shkollat. Si ilaç kundër helmeve të racizmit anti-shqiptar që , sipas sondazheve, infektojnë të rinjtë tanë në këto kohë gomonesh shqiptare, skllavesh shqiptare, skafistësh shqiptarë.

Libri tregon historinë e Pier Domenik Damisit, i ri i Lungros i brumur me ide liberale dhe risorxhimentale në Kolegjin italo-grek “Sant’Adriano” të San Demetrio Koronës, djep i inteligjencës shqiptare në Kalabri, aq i hapur në botën e ideve sa të sulmohej në vitin 1799 nga fshatarët pseudosanfedistë dhe filoburbonistë të bindur që “Në San Demetrio edhe vetë Krishti është jakobin!”. Më 1844, Pier Domeniku ishte 24 vjeç, kur në Kalabri vdisnin Atilio dhe Emilio Bandiera në ndjekje të ëndrrës së tyre risorxhimentale. Pikërisht në atë moment zgjodhi çështjen së cilës do t’i përkushtonte gjithë jetën e tij. Duke u përfshirë në trazirat irridentiste të vitit 1844 e më pas të vitit 1847 e së fundi në përleshjen e vitit 1848. Pikënisje e një ekzistence plot aventura: tre vjet i fshehur maleve, vendimi për të shkuar në Piemonte, kapja në shtëpinë e Maries (një grua patriotike që me ardhjen e xhandarëve në shtëpi hapte plisetë e fundit të gjerë, të kuq shqiptar për të fshehur të kërkuarin mes këmbëve të saj të bëshme), dënimi me vdekje i dhënë nga Gjykata e lartë e Krimeve.

Besonte vërtet tek Italia, i riu Damis. E tregojnë letrat që u dërgoi vëllezërve dhe nënës nga burgu i Proçidës ku e kishin mbyllur pasi i kishin kthyer dënimin me vdekje në 25 vjet burg të egër. Letra të mrekullueshme të oficerit të ardhshëm të Ushtrisë mbretërore dhe të senatorit të ardhshëm, ku, me shprehje të paimagjinueshme, dilte në pah dashuria absolute për këtë atdhe të dytë në emër të të cilit ai dhe mijëra shqiptarë të tjerë (edhe spe në shtëpi flitnin “arbëresh”) ishin gati të jepnin edhe jetën. Më pas burgimi me Poerion dhe Setembrinin, imbarkimi në një anije me vela për në mërgim, që sipas Burboneëve duhet të çonte sa më larg në Amerikë 66 patriotë, devijimi i drejtimit të anijes falë të birit të Setembrinit, sbarkimi në Angli e prej aty udhëtimi për në Torino e më pas në Kuarto për të marrë pjesë  në mësymjen legjendare të Njëmijëve. Gjithnjë në krah të Garibaldit deri në betejën e Volturnos.

Në sfond gjithmonë ata: shqiptarët e Italisë. Dhjetëra mijëra burra e gra të përqëndruar thuajse në gjithë krahinat e jugut, nga Puljet deri në Siçili, veçanërisht në 25 komuna kalabreze, të ardhur valë-valë në vendin tonë (dhe të tyrin) shumë kohë më parë shpikjes së gomoneve. Duke filluar që nga viti 1461 (kur, me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, erdhëm me mijëra në ndihmë të Ferdinandit të Aragonës) e më pas nga viti 1468 pas vdekjes së prijësit dhe fundit të ëndrrës së tij për t’u ndaluar turqve pushtimin e Shqipërisë.

Italianë, më italianë se shumë italianë. Donin aq shumë Xhuzepe Garibaldin sa ta krahasonin me heroin e tyre (si në një poezi të Zef Serembe i cili e krahason Garibaldin me Skënderbeun) e t’i venin nga pas me mijëra në marshimin nga Marsala drejt Napolit. Një dedikim absolut, edhe pse proverbi antik thotë: “nëse kalabrezët përballë italianëve ndjehen gungaçë, shqiptarët nuk ndjehen me një por me dy gunga në kurriz”. Një pasion i madh i dëshmuar jo vetëm nga origjina e Françesko Krispit, shqiptar i Siçilisë, por edhe nga historia e shumë protagonistëve të tjerë të Risorxhimentos. Si Axhesilao Milano, djali të cilin vranë në vitin 1856, pasi i nguli Ferdinandit të Dytë një bajonetë që shënoi përgjithnjë shëndetin e mbretit të Napolit. Apo Jeronim De Rada që, edhe pse i lindur e rritur në Kalabri edhe pse ka luftuar për Bashkimin e Italisë, konsiderohet më i madhi ndër poetët shqiptarë. Apo Rafaele Kamodeca, djalë nga familje e mirë, që u bashkua me vëllezërit Bandiera, e që kujtohet në një volum të moçëm të Serafin Gropës si “një hero i ri, që në moshën 24-vjeçare, kur më shumë se kurrë i buzëqeshte jeta, ra viktimë e plumbit të mallkuar. Vdiq duke thirrur: ‘Ky është çasti më i bukur i jetës time. Rroftë Italia!'”.

Marrë nga “Shqiptari i Italisë”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency