Monitorimi i fushatës në Dibër, ISP të dhëna negative: U angazhuan elementë kriminalë

0
415
Megjithëse në Dibër po zhvillohen zgjedhje lokale, ato janë shndërruar në luftë politike kombëtare partive kryesore.
Instituti i Studimeve Politike ka monitoruar fushatën atje, duke theksuar se Bashkia e Dibrës është një nga zonat më të varfra në vend, ndërsa fushata elektorale është ndër më të kushtueshmet.
Një element tjetër negativ i kësaj fushate, përkundër miratimit të ligjit të dekriminalizimit, sipas ISP-së, është angazhimi i “elementëve të grupeve kriminale, duke tensionuar situatën dhe duke paralajmëruar se ato mbeten një burim i qëndrueshëm kërcënues për zgjedhje të lira e të ndershme”.
Ashtu sikurse Koalicioni i Vëzhguesve Vendor, edhe ISP-ja thekson se Prokuroria dhe Policia nuk u dhanë përgjigje në kohë akuzave zyrtare dhe as denoncimeve zyrtare të depozituara pranë tyre.
“Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor qeveria përdori masivisht në Dibër buxhetin shtetëror, fondet publike, axhensitë publike, administratën publike, burimet materiale dhe njerëzore. Ajo miratoi disa akte administrative dhe financiare, me ndikim direkt në fushatë, duke shkelur dukshëm parimet e barazisë dhe asnjanësisë në fushatë”, thuhet më tej.
Në monitorim thuhet se kandidatët në Dibër nuk kaluan filtrin ligjor të de-kriminalizimit, për shkak të afateve të kufizuara kohore, ndërsa liderët politikë, përfshirë kryeministrin, përdorën një retorikë politike të ashpër, denigruese dhe diskriminuese.
Për ISP pozitive rezultoi roli i medias, i shoqërisë civile dhe i qytetarëve të Dibrës në fushatë.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency