10 muaj larg zgjedhjeve/ PDIU fiton terren në Tiranë, Fier e Sarandë, Rama i jep Idrizit disa drejtori

0
158

Kur na ndajnë 10 muaj nga zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, Partia Socialiste duket se ka vendosur ti lëshojë më shumë terren partisë së tretë në koalicionin qeverisë, Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet të drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Kjo pasi afrimi i zgjedhjeve parlamentare po vë në lëvizje strukturat e partive të vogla, të cilat së fundi po marrin postet në administratë, të cilat më parë i kanë pasur socialistët. Në kuadër të bashkëpunimit të vitit të kaluar për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kreu i PDIU-së, Idrizi i kërkoi pak kohë më parë kryeministrit Edi Rama, njëherësh kryetari i forcës më të madhe në kampin e majtë,  që partia e tij të përfaqësohej në kabinetin qeveritar me një post ministror. Por kjo kërkesë e Idrizit në atë kohë do të haste në kundërshtimin e kreut të Ekzekutivit.

Por tashmë duket se gjuha mes aleatëve është gjetur në lëshimin e drejtorive kryesore,  por që tashmë do të kthehen në kosto për vetë socialistët. Vala e shkarkimeve ka prekur disa drejtori në qarqe të rëndësishme, siç është Tirana, Fieri, dhe Saranda, të cilat njihen edhe si bastione të së majtës. Ndër lëvizjet më të fundit janë edhe ato në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Tiranë, ku vendin e Gentian Dajës i emëruar nga Partia Socialiste  e zuri Galip Taho, i njohur si mbështetës i PDIU-së. Gjithashtu lëvizje ka pasur edhe në kupolën drejtuese të Spitalit të Fierit, ku vetëm pak kohë më parë Brunilda Camaj, një figurë e njohur e PDIU-së në Fier zuri vendin e Kreshnik Ternovës, i cili njihet për mbështetjen e socialistëve. Ndërsa lëvizjet më të fundit në nivel drejtuesish duket se kanë ndodhur në Sarandë, pasi bëhet fjalë për 4 drejtori që mendohet se do të ketë aleatja e PS-së në koalicion.

Megjithëse ende nuk janë bërë publike këto ndryshime, burime nga Saranda bëjnë me dije se lëvizje në nivel drejtorash do të ketë institucioni i ISKSH, Hipoteka, Zyra e Punës dhe Porti Detar Sh.a. Mësohet se Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe Hipoteka, ku postin drejtues të kësaj drejtorie e mbante Ana Shehu, kanë kaluar tashmë në duart e Degës PDIU-së në Sarandë. Po ashtu PDIU-ja ka kërkuar edhe institucionet e Zyrës së Punës dhe Portin Detar. Në ditët ne vijim pritet të mësohet më shumë rreth këtyre lëvizjeve dhe emrave të drejtorëve të rinj, të cilët do të zënë postet e këtyre institucioneve. Burimet në PDIU kanë bërë të ditur se shumë shpejt PDIU do të ketë dhe disa poste të tjera drejtuesish. Teksa dihet ndryshimi i drejtorit të drejtorisë, pasohet dhe me lëvizje të administratës duke afruar mbështetës të forcës politike që merr pushtetin. Ende nuk dihet saktësisht se sa është numri i drejtorive që Rama do ti japë aleatëve të PDIU-së, por ajo që vihet re është fakti se këto lëvizje po sjellin pakënaqësi në bazën e Partisë Socialiste, të cilët nuk po gjejnë hapësira punësimi në administratën shtetërore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here