Një kampion “i poshtëruar”… si do të dalë nga tuneli “legjenda” e Gjermanisë?!

0
135

Kur një futbollist i njohur Manchester United pa Bastian Schweinsteiger te dhomat e zhveshjes së skuadrës U-21, e pyeti gjermanin: “Çfarë dreqin po bën aty?” Ndoshta kjo është pyetja që kampioni i botës i bën vetes çdo ditë. Tetë herë fitues i Bundesliga, Schweinsteiger nuk është më duke biseduar me Wayne Rooney dhe David de Gea, por e sheh veten i rrethuar nga të rinjtë e United. Të enjten, më 28 korrik, Schweinsteiger mbërriti në kompleksin stërvitor në Carrington. Kishte pasur zëra se e ardhmja e tij në klub ishte në dyshim, por ajo që ndodhi në ditët në vijim ishte me të vërtetë befasuese…

Trajneri i ri, Jose Mourinho, tha publikisht se karriera e gjermanit te Manchester United kishte mbaruar dhe se prej kohësh i ishte komunikuar menaxherit të tij që të kërkonte një ekip tjetër, sepse nuk do të stërvitjen më me ekipin e parë. Schweinsteiger u informuar se mund të stërvitej me ekipet U-19 dhe U-21 për të ruajtur formën deri në momentin e transferimit. Ishte një poshtërim për një lojtar të këtij niveli dhe vëllai i tij Tobi shkroi në “Twitter”: “No respect.” Që nga ajo ditë, Schweinsteiger ka ndjekur një fazë përgatitore individuale në Carrington, si figurë e izoluar, por jo si në rastin e Victor Valdes. Spanjollit i shkoi edhe më keq kur refuzoi urdhrin e Van Gaal për të luajtur me ekipin U-21. Portierit iu dha një program i shkruar dhe orari i tij në klub nuk duhet të përkonte kurrë me atë të ekipit të parë.

Trajtimi që Mourinho i ka bërë Schweinsteiger ka qenë në kufijtë e të lejueshmes dhe dihet që gjermani nuk e shijon më jetën në Manchester. Bashkëshortja e tij, tenistja Ana Ivanovic, ka qenë në Lojërat Olimpike dhe Bastian ka qenë vetëm, por gjithsesi është takuar me disa shokë të skuadrës së parë, të cilët e kanë ruajtur simpatinë për mesfushorin. Jesse Lingard është parë duke darkuar me Schweinsteiger, ndoshta ka marrë ndonjë këshillë si të bëhet kampion i madh, por edhe mos të gjendet në situata si ajo e ish-mesfushorit të Bayern në “Old Trafford”. Schweinsteiger shkoi te United me bindjen se do të linte gjurmë në Premier League, por dëmtimet dhe forma e dobët e kanë penguar në synimin e futbollistit që u martua në Venecia gjatë muajit të kaluar.

Alarmi duhet të kishte rënë që kur Bayern e lejoi të largohej për vetëm 10 milionë euro dhe Pep Guardiola deklaroi se gjatë tre viteve për asnjë moment nuk e kishte pasur Schweinsteiger në gjendje të mirë fizike. Blerja e Schweinsteiger u pa si sinjal i kthesës në merkato nga “djajtë”, por shkeli rregullin dhe këshillën e dhënë nga Sër Alex Ferguson. Që nga viti 2010, Manchester United ka blerë vetëm tre futbollistë mbi 27 vjeç. I pari ishte Van Persi, i marrë 29 vjeç nga vetë Ferguson. I dyti ishte pikërisht Schweinsteiger, ndërsa i tretë Zlatan Ibrahimovic, i ardhur gjatë kësaj vere. Schweinsteiger luajti vetëm 13 ndeshje në Premier League, për herë të fundit është parë në fushë kundër Sheffield United në Kupën e Anglisë, në janar. Përkushtimi i tij ngjalli dyshime edhe mes futbollistëve dhe Van Gaal hoqi dorë prej tij.

Schweinsteiger, nga ana e tij, nuk ka qenë kurrë i përshtatur me lojën e kërkuar nga Van Gaal. Mourinho, sapo mori drejtimin e ekipit nxitoi të sqaronte se Manchester United do të mbante vetëm një mesfushor me përvojë dhe ai do të ishte idhulli i tifozëve, Michael Carrick. Por problemi për “djajtë” është se kanë në bordero një 32-vjeçar kampion bote që është përzënë nga Guardiola dhe Mourinho dhe do të paguhet me 200 mijë euro në javë deri në qershor 2017. Në dy vitet e ardhshme, nëse ai nuk firmos për një klub tjetër, Manchester United do të paguajë 20 milionë euro për Schweinsteiger. Gjithsesi, gjasat më të mëdha janë që Schweinsteiger të largohet.

Dy klube të Premier League po monitorojnë situatën, por nuk mund të afrohen për momentin si pasojë e pagës së lartë të futbollistit. Paris Saint-Germain është menduar për një moment, ndërsa duket se ka pasur sondazhe edhe nga Spanja e Turqia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një mundësi për Schweinsteiger, teksa Schalke kërkon të rikthehet në Gjermani. Portieri i Bayern dhe Gjermanisë, Manuel Neuer ka mbrojtur shokun e përfaqësues: “Nuk mund ta kuptoj vendimin e Manchester”, ndërsa ish-trajneri Ottmar Hitzfeld dhe drejtuesi i Bayern, Karl-Heinz Rummenigge, e kanë quajtur situatën që po kalon Schweinsteiger si të pabesueshëm.

Zëra të ndryshëm kanë dëgjuar në Bavari gjatë kohëve të fundit. Ish-drejtori sportiv i Bayern, Matthias Sammer, duke reflektuar mbi shitjen e mesfushorit, tha: “Në këtë rast kemi fituar, sepse ai është dëmtuar së tepërmi kohët e fundit.” Bayern nuk kishte ndërmend ta paguante lojtarin aq sa i ofroi Manchester United, por nuk bëri asgjë për ta penguar të largohej, përkundrazi u mjaftua me 10 milionë euro dhe i “letrat” për transferimin në Premier League. Për një nga futbollistët që ka fituar më shumë në historinë e futbollit gjerman kjo “lamtumirë” ishte e çuditshme. Sot, më 19 gusht 2016, Schweinsteiger vazhdon stërvitjen te Manchester United U-21.telesport.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here