Disa studime interesante për shëndetin

0
214

Një studim danez tregon se acidi folik rrit mundësinë për fekondim të suksesshëm, mbi të gjitha te gratë me cikël menstrual të çrregullt. Gratë e dinë rëndësinë e acidit folik, veçanërisht nëse vendosin të kenë një fëmijë. Marrja e acidit folik që në fazat e para të shtatzënisë ndihmon që fëmija të jetë i shëndetshëm. Acidi folik është “ideal” për të përshpejtuar ngeljen shtatzënë, ardhjen në jetë të një fëmije. Studimi danez i publikuar në “European Journal of Clinical Nutrition” nxjerr në pah se suplementet me acid folik janë në gjendje të rrisin probabilitetin e fekondimit. Një studim i gjerë zhvilluar nga viti 2001-2007, ka marrë në studim 4 mijë gra, të cilat kishin vendosur të mbeteshin shtatzënë përgjatë këtyre viteve. Gjatë kësaj kohe është evidentuar lidhja mes zhvillimit të një shtatzënie dhe suplementeve të marra të acidit folik. Një hipotezë e ngritur prej shumë kohësh, por asnjë studim nuk kishte treguar përqindjen sa ndikon acidi folik në rritjen e shanseve për të mbetur shtatzënë. Përfundimi i studimit danez evidenton se marrja e suplementeve të acidit folik rrit me 15% mundësinë për të mbetur shtatzënë, te gratë me cikël menstrual të çrregullt rritet me 35%, po kështu shumë pozitive janë të dhënat te gratë me cikël të shkurtër më pak se 27 ditë apo te gratë me cikël të gjatë mbi 30 ditë, nga 24-35%. Por studiuesit akoma nuk kanë arritur të përcaktojnë dozën e nevojshme të acidit folik të domosdoshëm për ngjizjen e një fëmije. Por ajo çka studiuesit e vlerësojnë të denjë për një sukses është koha e shkurtër e veprimit të suplementit të acidit folik, e cila ndikon në mundësitë për të mbetur shtatzënë.

Pesë veprime për të mbajtur iktusin nën kontroll

Iktusi cerebral është shkaku i dytë i vdekjeve në të gjithë botën. Të dhënat bëhen publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas së cilës parandalimi i kësaj sëmundjeje nuk po ecën me ritmin e pritur, çka sipas OBSH-së brenda 2020-ës vdekshmëria nga kjo patologji rrezikon dyfishimin e rasteve. Sipas studiuesve, 5 janë veprimet që ndihmojnë mbajtjen larg të kësaj sëmundjeje. Sipas mjekëve, iktusi cerebral mund të parandalohet në 80% të rasteve, por duhen ndjekur udhëzimet përkatëse. Kështu rekomandohet një stil jetese i shëndetshëm, duke evituar shtimin në peshë, kjo arrihet përmes kryerjes së aktivitetit fizik në mënyrë të moderuar. Ushqyerje e shëndetshme, e cila përfshin një dietë mesdhetare. Kontrolli i tensionit të gjakut është fondamental, kryesisht pas moshës 40-vjeçare, e rëndësishme veçanërisht te diabetikët si dhe personat me aritmi. Ndër 5 udhëzimet që mjekët këshillojnë të ndiqen në mënyrë rigoroze janë: një jetë e shëndetshme, sport, mos pini duhan, mbani nën kontroll tensionin e gjakut, kolesterolin dhe sheqerin në gjak.

Antibiotikët e vjetër rikthehen në treg

Jemi kthyer gjysmë shekulli pas sa u takon terapive me antibiotikë në luftën përballë infeksioneve të shkaktuara nga mikrobet, rezistente ndaj antibiotikëve. Mjekët infeksionistë së fundi kanë nisur të “shpluhuronin” antibiotikët e vjetër, pas shqetësimeve të shumta se infeksionet kanë filluar të fitojnë imunitet përballë antibiotikëve aktualë. Studimi për “rilindjen” e antibiotikëve të rinj ka filluar, por mesa duket do të kërkojë kohën e vet deri në daljen e rezultateve konkrete. Veçanërisht për infeksionet spitalore, ku një nga mikrobet më të rrezikshme është Klebsiella, përgjegjës për septikemi, pneumoni dhe infeksione të indeve të buta që mund të çojë në vdekje të 40-50 për qind të rasteve. Kështu, mikroorganizmat janë përgjegjëse kryesisht për enterobakteriet (të cilat zakonisht janë të pranishme në zorrë dhe “aktivizohen” në kushte të veçanta) të ashtuquajtur Gram negative (bakteret janë të ndara në Gram negative dhe Gram pozitive në varësi se si ata reagojnë me ngjyra të caktuara, Gram pikërisht, e cila identifikon disa nga karakteristikat e tyre të veçanta). Në një të tretën e rasteve të infeksioneve spitalore janë Escherichia coli dhe Klebsiella, infeksione që kanë një normë të vdekshmërisë që arrin në 50 për qind. Po çfarë e ka shkaktuar rezistencën ndaj antibiotikëve? Sipas studiuesve kjo ka ardhur për shkak të abuzimit me antibiotikët, shpeshherë marrjen e tyre edhe pa qenë e nevojshme. Prandaj ajo çka këshillohet veçanërisht në parandalimin e infeksioneve spitalore është përdorimi i dorezave, sapunë antibakterialë dhe mbi të gjitha mbajtjen e një higjiene të lartë.

Pranvera rrit alergjitë, stresin e dhembjet e kokës

Pranvera erdhi tashmë dhe bashkë me të shqetësimet tipike të sezonit, sikurse janë alergjitë, dhembja e kokës, veçanërisht te fëmijët dhe stres psikofizik. Mjekët pediatër të spitalit pediatrik “Bambino Gesu” këshillojnë të ndiqen me kujdes këto shqetësime shëndetësore, duke zhvilluar vizita mjekësore, qoftë në fushën e alergjive, sëmundjeve neurologjike dhe shqetësimeve psikologjike. Gjatë kësaj stine aktivizohen veçanërisht alergjitë për shkak të poleneve, çka favorizohet edhe më shumë për shkak të paqëndrueshmërisë së motit, herë me diell, erë dhe shira. Këto ndryshime përkojnë me rritjen e frekuencës së shtimit të dhimbjeve të kokës (+15% përgjatë periudhës së marsit dhe qershorit), kulmon me shfaqjen e alergjive, me rritjen e nervozizmit dhe vështirësisë në përqendrim.

Sushi dhe dieta mesdhetare, ushqime për jetë të gjatë

Sushi dhe dieta mesdhetare, janë ushqime të shkëlqyera për jetë të gjatë. Ndihmojnë të jetoni më mirë dhe më shëndetshëm. Një studim i zhvilluar nga National Center for Global Health and Medicine në Tokio, tregon se ushqyerja e ekuilibruar me ushqime, si: drithërat, frutat, peshku edhe pak mish, sjell risqe më të vogla për vdekje të parakohshme për çfarëdolloj shkaku, përfshirë ato kardiovaskulare. Përmes disa anketave, 36.624 burra dhe 42.920 gra të moshës 45 deri në 75 vjeç janë përfshirë në studim. Personat nën studim nuk rezultonin të kishin kancer, sëmundje kardiake apo të mëlçisë, kanë konstatuar se personat të cilët kishin një regjim ushqimor të rregullt, me perime, fruta dhe sushi përgjatë 15 viteve kishin deri në 15% më pak vdekje nga sëmundje kardiovaskulare dhe cerebrale. Disa studime kanë analizuar edhe përfitimet e dietës mesdhetare, dietë e cila është e pasur me fruta, perime, bishtajore , drithëra, peshk, vaj ulliri dhe pak mish të kuq ose të përpunuar. Një studim në Universitetin e Harvardit, për shembull, ka analizuar 10.000 gra dhe gjeti se ata që ndoqën një dietë mesdhetare kishin 40 për qind më shumë gjasa për të jetuar përtej moshës 70 vjeç dhe më pak mundësi të zhvillonin sëmundje kronike si diabeti dhe më pak probleme kardiovaskulare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here