Thellohet skandali i Nikollës me pranimet në universitete, institucionet jo publike futen në listat e degëve që do zgjidhen

0
210

Thellohet edhe më tej skandali i Ministrisë së Arsimit në lidhje me pranimet në universitetet për vitin e ri akademik. Pak ditë më parë Lindita Nikolla vonoi të publikonte rregulloren e pranimeve në universitete për këtë vit akademik, por tashmë që ajo është publikuar ka dalë në pah një tjetër skandal. Sipas udhëzimit, maturantët në momentin e zgjedhjes së degëve për konkurrim në shkollën e lartë, mes dhjetë preferencave vendosin edhe universitetet privatë. Në fund të procesit të përzgjedhjes së fituesve, në bazë të kritereve të vendosura nga vetë universitetet, ekziston mundësia që maturantët me mesatare pak mbi 6 të shpallen fitues tek privati, duke barazuar në një farë mënyrë universitetet publike me ato private dhe duke i favorizuar dukshëm këto të fundit. “Kandidatët aksesohen në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-mail-i i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 (dhjetë) programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga IAL-të publike dhe/ose jo publike, për vitin akademik 2016-2017”, thuhet në udhëzimin e MAS. Pra, maturantëve në përfundimi të procesit të zgjedhjeve të fituesve mund t’u thuhet se kanë fituar të drejtën e studimit në X universitet privat, teksa mbetet në dëshirën e tyre për të vijuar ose jo studimet aty. Këtë manovër të MAS, deputetët e Partisë Demokratike, Genc Pollo dhe Luçiano Boçi, e kanë konsideruar si një tjetër favorizim që Lindita Nikolla po u bën universiteteve private në vend. Sipas tyre nuk është aspak normale që mes dhjetë degëve të studimeve të shkollës së lartë të përfshihen edhe universitete private, duke theksuar se kjo bëhet për të favorizuar universitetet të ndryshme në vend. “Nuk më duket aspak një procedurë normale. Nuk ka pse maturantët të vendosin në listën e programeve të studimit të shkollës së lartë universitetet private. Kjo praktikë nuk është përdorur asnjë herë dhe është e qartë se përse bëhet. Synimi është që të favorizohen disa universitete private në vend, por kostoja bie mbi qytetarin e thjeshtë, i cili në mungesë të zgjedhjes për të studiuar në universitetin publik detyrohet të paguajë shuma për shkollimin tek privati”, deklaron Genc Pollo.

 

Mungesa e strategjive

Teksa e quan të papranueshëm faktin e futjes së institucioneve jo publike në listën e degëve që do të zgjedhin maturantët, Luçiano Boçi e vë theksin në faktin që mazhoranca aktuale ka dështuar tërësisht në sektorin e arsimit dhe se të gjitha nismat që ka marrë që nga ardhja në pushtet para tre viteve, të gjitha vendimet që ka marrë ka ndëshkuar publikun duke favorizuar ndjeshëm atë privat, kryesisht për interesa klienteliste. “Pasi dështoi me maturën shtetërore dhe me arsimin në përgjithësi, kjo mazhorancë po tregon se nuk ka asnjë strategji konkrete, efektive për arsimin. Me të gjitha nismat që ka marrë ka dështuar dhe të gjitha vendimet janë marrë në dëm të arsimit publik duke favorizuar privatin. Është e qartë se për këtë arsye është dhënë edhe udhëzimi në fjalë. Nuk ka pse maturanti të zgjedhë mes 10 degëve të studimeve të larta edhe universitetet private, kjo praktikë është absurde”, ka deklaruar Luciano Boçi. Pak ditë më parë Boçi akuzoi Lindita Nikollën se kishte vonuar qëllimisht publikimin e rregullores për shkollën e lartë këtë vit.

 

Artan Fuga: Maturantët të painformuar mbi degët që regjistrohen 

Akademiku dhe profesori i njohur, Artan Fuga, ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook në lidhje me regjistrimet e maturantëve për shkollën e lartë. Sipas Fugës maturantët janë në një terr informativ në lidhje me degët që zgjedhin për të ndjekur arsimin e lartë. Sipas Fugës maturantët nuk kanë asnjë informacion në lidhje me kërkesat e tregut të punës, se cilët janë pedagogët që do t’u japin mësim apo strategjitë dhe platformat e arsimit të lartë. “Maturantët po regjistrohen. Nuk e di a u kanë ofruar gjimnazet e tyre mundësi të njohin tregun e punës në degët që do të zgjedhin për studimet universitare? A i njohin statistikat e punësimit? Kanë marrë kontakte informacioni me lëndët që zhvillohen në degët ku dëshirojnë të ndjekin studimet universitare? Dinë cilët janë pedagogët, tekstet, platformat teorike, kushtet e studimeve, etj., në fakultetet ku duan të shkojnë? U ka dhënë agjencia që merr përsipër të jetë “seksere” mes studentit të ardhshëm dhe fakulteteve ku maturantë dëshirojnë të regjistrohen të njohin sa është përqindja e kalueshmërisë atje, sa është nota mesatare e studentëve, kush ka studiuar më parë në ato fakultete? Ju ka dhënë njeri nga agjencia e regjistrimeve të dhëna mesatare për çmimin dhe koston e studimeve dhe të jetesës, për librat që duhet të blejnë, në çdo degë? U ka organizuar ajo agjenci takime konsultimi dhe informimi me fakultetet përkatëse anë e mbanë Shqipërisë? U ka dhënë informacione agjencia që i regjistron dhe u kërkon të paguajnë për profilet e studimeve në degët ku duhet të ndjekin studimet universitare? Kanë pasur mundësitë të dialogojnë online me specialistë që njohin fushat e studimeve universitare ku dëshirojnë të vazhdojnë për të bërë pyetje dhe marrë përgjigje? Besoj se të gjitha këto i kanë pasur si shërbime sepse përndryshe i thonë të regjistrohesh “derr në thes”. Apo hajde se nuk prish punë, se mos ka rëndësi se në çfarë dege do të të regjistrojnë!”, shkruan Fuga në Facebook.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here