Operacioni “Premtimi”/ Arrestohet administratori i Levanit dhe 3 punonjës, shpërdoruan detyrën

0
139

Arrestohet administrator i Njësisë Administrative Levan në Bashkinë Fier dhe tre punonjës të kësaj njësie.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, pas një pune hetimore me metoda speciale të hetimit finalizuan operacionin “Premtimi” ku në përfundim të tij bënë të mundur ndalimin e shtetasve:

1.Xheladin Malaj, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Levan, Fier.

2.Shefqet Hyka,

3.Zaim Tafa,

4.Ilia Marku.(Të tre punonjës të kësaj njësie).

Policia thotë se për shtetasit Xheladin Malaj, Shefqet Hyka dhe Zaim Tafa, Gjykata Fier ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” per veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikim të dokumentave”.

Ndërsa për shtetasin Ilia Marku Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi me iniciale E.B,  52 vjeç, ish N/Kryetar i Komunës Levan për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Falsifikim dokumentash”.

Hetimet e Prokurorisë dhe akuzat

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, mbi kallëzimin e administratorit të kompanisë private “G….C…Konstruksion”.

Kjo kompani kishte fituar në vitin 2009 të drejtën për shfrytëzimin e zonës me zhavorr në fshatin Shtyllas të ish-komunës Levan. Në funksion të aktivitetit, kompania ishte pajisur me lejen e shfrytëzimit dhe lejen mjedisore nga autoritetet qëndrore përkatëse.

Në vitin 2015, administratori i kompanisë kallëzon ish-kryetarin e komunës, Xheladin Malaj, me pretendimin se ky i fundit e pengonte në ushtrimin e aktivitetit të tij. Sipas kallëzuesit, me urdhër të kryetarit të Komunës, zyrtarë të saj ushtronin presion mbi punonjësit, si edhe hidhnin mbeturinat e zonës në sipërfaqen ku punonte kompania e tij.

Nga hetimi për këtë rast ka rezultuar se, në vitin 2014, ish-komuna Levan ka bërë kallëzim penal ndaj kompanisë “G…C…Konstruksion”, për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Pushtim të tokës”.

Në kallëzimin e ish-komunës pretendohej se kompania ushtronte aktivitetin në një zonë, në pronësi të komunës, si edhe kishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në një rrugë të fshatit. Në kuadër të atij hetimi, u administruan materialet e nevojshme, nga ku rezultoi që kompania kishte dokumentacion të rregullt dhe rruga, e cila pretendohej se kishte ndërhyrje në mënyrë të paligjshme, ishte pjesë e lejes së shfrytëzimit, ku parashikohej mirëmbajtje e rrugës. Për këtë arsye, ai hetim u pushua.

Por, pasi u pushua hetimi nga ana e Prokurorisë së Fierit, ish-komuna Levan, me vendim të Këshillit të saj, i jep pronësinë e tokës mbi të cilën zhvillonte aktivitetin kompania private, shtetasit Qerem Braçi. Në këtë mënyrë, i pezullon edhe aktivitetin kompanisë “G…C…Konstruksion”, me pretendimin se ushtronte aktivitetin në tokën private të Qerem Braçit.

Ky i fundit, siç rezultoi gjatë hetimit, e ka përfituar sipërfaqen e tokës nëpërmjet dokumentave të fallsifikuar, të cilët janë “legalizuar” nga ish-kryetari i komunës Levan, Xheladin Malaj, në bazë të matjeve fiktive të realizuara nga ish-zyrtarët dhe ish-topografët e ish-komunës Levan, shtetasit Shefqet Hyka, Zaim Tafa dhe Ilia Marku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here