A dëmton më shumë sigurinë kombëtare grabitja e Rinasit apo grabitja e përditshme e dijeve?

0
113

Në 10 ditëshin e fundit në Shqipëri e gjithë vëmendja është përqendruar tek grabitja e Rinasit. Sa u hidhen? Nuk ishin 3 milion, ishin 10 milion. Jo 34 kg por 83.5 kg kartëmonedha. Ja la hapur derën e blindit kinse roja e sigurisë hajdutëve, apo kështu është protokolli? Ku ishte Policia e Shtetit? Po koncesionari, pse nuk kishte marrë masa? Si ka mundësi që vidhen para për tre minuta, gjithë ato para? Për këtë vjedhje nuk mbeti njeri pa folur, pa dhënë versione, pa diskutuar edhe në detajin më të vogël. Për ditë me radhë portalet, lajmet, specialistët, ministrat, koncesionari, rendin të japin versionet e tyre. Mbase kanë të drejtë. Vihet në lojë dinjiteti i shtetit, siguria kombëtare e njerëzve dhe pse jo përhapet një farë ndjenje paniku edhe tek biznesi.

Po a mund të parandalohen grabitjet, nëse nuk ndalojmë grabitjen e dijeve?

Është provuar historikisht prej lashtësisë e deri në ditët tona, se skamja, varfëria, tirania e gjithçka e keqe, mposhtet përmes arsimit. Nëse ke një arsim të konsoliduar, cilësor e të qëndrueshëm në dijet që jep, shoqëria është më e sigurt. Arsimi forcon shoqërinë, e drejton atë drejt një të ardhme më të mirë, i jep më shumë shanse për zhvillim dhe për një perspektivë të sigurt. Ndërsa flitet kaq shumë për grabitjen flitet kaq pak për arsimin. Në përgjithësi ne kujtohemi për arsimin sa herë, që gjejmë një video ku dhunohet nxënësi, një mësues që bërtet, një drejtor shkolle, që i hapen letrat se ka qenë i dënuar, një drejtore arsimi që merr lek, etj. Për këta bëhen emisione blic, thirren të gjithë njerëzit prej politikës e deri tek analistët që nuk ja kanë haberin arsimit. Mirëpo kur flitet për mësues të dhunuar, degdisur e syrgjynosur kilometra të tërë nga shtëpia, për mësuese që bredhin dy e më shumë fshatra, për të nxjerrë bukën e gojës, se nuk i do drejtori i arsimit në rreth, kur deklarohen drejtorë të dënuar më parë për falsifikime dokumentesh, gjithçka merr fund në 20 minuta të emisionit investigativ. Pastaj? Asgjë. Arsimi vazhdon në rrjedhën e vet. Edukimi i të rinjve gjithashtu. Rruga, PUB-et, pushimet e shfrenuara, janë më shumë tërheqëse se dija. Kur diskutohet në forume sociale apo tavolina kafeje për këto fenomene, sigurisht që fajin e kanë të rinjtë. Ata janë fëmijë të këqij, nuk na ngjajnë neve, nuk dinë të flasin, nuk marrin vesh nga jeta, duan vetëm qejf etj. Po projekti kaq shumë i mediatizuar i shkollave komunitare, çfarë efekti ka dhënë në drejtim të socializmit të të rinjve shqiptarë? Programet e shumta me shoqata të ndryshme, manifestimet madhështore në bulevarde, me pankarta e me pjesëmarrjen e të gjithë drejtuesve të arsimit, nuk paskan dhënë efektet e tyre? Në ndjekje të fasadës dhe jo thelbit të punës në arsim, dështimi nuk do të vononte. Me mburrjen e madhe të reformimit rrënjësor të shkollës, kopshtit, arsimit të mesëm e profesional, të maturës shtetërore, u bombardua një opinion i tërë deri në terror mediaitk?

Por në këto të nxehta të verës 2016, askush nuk del në mbrojtje të rezultateve të “reformës rrënjësore” në arsim. 

Tekstet shkollore kanë dalë jashtë kontrollit. Nëse më parë për 10-15 ditë shqyrtoheshin tekstet prej grupit të punës, sot ato shqyrtohen, përzgjidhen dhe i vihet vula për tre ditë. Kjo natyrisht quhet arritje, sepse janë shkurtuar ditët e punës në përzgjedhje e për pasojë edhe kostua e përzgjedhjes së teksteve është më e lirë. Po cilësia e teksteve kush do të është? Kjo pak rëndësi ka, “pasi fëmijët mësojnë atë që ju jepet”. Reforma e arsimit parashkollor, as që nuk përmendet më. Mjetet didaktike mungojnë, fëmijët në kopshte janë mbi kapacitete e ndërtesave, ndërtesa të reja, nuk ka rikonstruksion për rritjen e kapacitete fillon e mbaron tek lyerja e fasadës dhe rregullimi i zyrës së drejtoreshës. Mburrjet për tekstet e ardhura nga Oksford, Kembrixh e Pearson, me të cilat mësonin gjithë vendet e Bashkimit Evropian, përfunduan në një flluskë sapuni. Fëmijët, mësuesit dhe prindërit, siç i morën ashtu i dorëzuan pa kuptuar gjësend. Për fat të keq, Anglia doli nga BE dhe tani ne shqiptarët që e synojmë më shumë se kushdo BE-në, do të mësojmë me librat e atyre që shpërfill në BE-në. Digjitalizimi i shkollave, klasat inteligjente, ishin një butafori, për të cilën as flasin e as ka për të folur kush. Braktisja shkollore, rritet në përqindje, duke kërcënuar me analfabetizëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Analfabetizmi funksional, vijon të kërcënojë shoqërinë, pasi tani ka zbritur edhe në zyrat më të larta të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në shkollat pilot ku u fol për mësimin digjital, nuk ka kompjuter, por edhe kur ka të tilla, nuk ka energji elektrike, ose mungon interneti. Po edhe kjo nuk përbën ndonjë shqetësim, as për struktura e MAS, as për pushtetin lokal e as për OJF-të që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Shumë të rëndësishme, janë paratë e marra aty-këtu, për të mbajtur konferenca, takime, workshope, për sigurinë e fëmijëve nga interneti, por jo nga keq arsimimi, nga dijet para kohe jo nga padija, mbrojtja nga dhuna e mësuesve, por jo nga e shtetit, që i shtyn të ecin me km të tërë për të shkuar në shkollë etj.

 Po sikur të gjitha këto të mos ishin të vërteta, do të mjaftonin rezultate e kësaj mature në lëndën e matematikës, të ngrinin në këmbë shtetin.

Shkolla të tëra profesionale ku nxënësit nuk kanë asnjë rezultat tjetër përveç 4.00. Shkolla të tjera të mesme ku rezultatet janë katastrofike. Ndërsa rrjete sociale, flasin e diskutojnë gjerë e gjatë, për rezultatet e matematikës, duket se kjo nuk e ka shqetësuar aspak MAS. “Gjithmonë kanë mbetur e do të mbeten në matematikë. Lëndë e vështirë ajo. Mësojnë më pak nxënësit tani. Nuk kanë interes për shkollën”. Po në 2013 na u tha ndryshe. Do të bëjmë një maturë më cilësore, do të rrisim shkallën e kualifikimit të mësuesve, do të rrisim performancë e nxënësve. Tani doli se të gjitha këto të ashtuquajtura premtime, ishin pallavra e dokrra të njerëzve të papërgjegjshëm. Po nuk ishte vetëm matematika, e keqja e kësaj mature. Provimi i famshëm ndërkombëtar u zhvillua në kushtet e një trajtimi çnjerëzor ndaj fëmijëve dhe ky u quajt sukses. Fëmijët u mbajtën për orë të tëra në mjediset e tejnxehta të shkollave, pa ujë, pa bukë dhe në pamundësi të kryejnë nevojat personale. Dhe e gjitha kjo përse? Për një provim, që nuk ishin lajmëruar veçse dy muaj para, por që për MAS ka shumë rëndësi sepse e bëjnë të huajt.

Në maturën e parë të “Rilindjes”, dështimi me shifra e jo me fjalë, u jep të drejtë “nihilistëve” dhe hedh poshtë parashikimet e pabaza “entuziastëve”.  Matura dalëse ishte shembulli i politikës së mbrapshtë në arsim. Por edhe kj9o nuk ka rëndësi shumë. Grabitja në Rinas, Qafë Kashar, Pakuqan, Burrel, e Kurvelesh, vlen më shumë se grabitja e dijes. Grabitja e të ardhmes së të rinjve shqiptarë, vlen shumë pak në krahasim me diskutimet tona rreth të ardhmes së sigurisë, turizmit, hortikulturës, kulinarisë e me radhë. Në fund të fundit si një vend i madh që jemi ne mund të importojmë krah pune të kualifikuar nga Evropa e bota e t’i vemi në shërbimin tonë. Tani nuk mbetet gjë tjetër vetëm të themi, kujdes aeroportin e Rinasit e në djall të shkoj dija. 5-10 milion euro vlejnë shumë më tepër se perspektiva e sistemit të edukimit në vendin tonë.

Dr. Ndriçim Mehmeti

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here