Rudari tremb Kukësin, Lika përgatit skuadrën me DVD

0
153

Kukësi “izolohet” në periferi të kryeqytetit, në pritje të ndeshjes së parë kundër Rudarit, e cila luhet ditën e enjte, në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Synohet kualifikimi dhe për këtë motiv, Hasan Lika u ka kërkuar të tijve regjim maksimal. Ai e cilëson ndeshjen e parë vendimtare, ndaj pret që lojtarët të jenë të kontrolluar jo vetëm në stërvitje, por edhe jashtë fushës.

Në kuadër të studimit të kundërshtarit, pasi ekipi ka konsumuar drekën dje, është mbledhur në një prej mjediseve të hotelit, ku bashkërisht kanë parë me DVD ndeshjen midis Rudarit dhe Buduçnost, finale e Kupës së Malit të Zi, e cila u fitua nga rivalët e verilindorëve. Kjo përballje është parë me shumë vëmendje nga e gjithë skuadra, ku titullarët ishin në rreshtin e parë dhe më të përqendruar, pasi do të jenë ata që do t’i përballojnë malazezët në fushën e blertë.

Sektori i mbrojtjes ka qenë mjaft i vëmendshëm karshi lëvizjeve të sulmuesve të Rudarit, madje në disa raste trajneri ka ndalur edhe pamjet, duke bërë një analizë të hollësishme për çdo lëvizje të malazezëve. Kjo gjë është bërë dhe me sulmin e Kukësit, për të kuptuar më qartë mënyrën e lojës së Rudarit. Një gjë është e sigurt, që kundërshtari ka një skuadër që luan shpejt dhe fort. Dhe në këtë pikë është ndalur kreu i pankinës së verilindorëve.

Ai ka kërkuar prej të tijve që të kapin ritmin e ekipit që do të kenë përballë. Në shumë raste trajneri ka ndalur pamjet dhe atë çka shihej në monitor kërkonte që ta demonstronte me vepra aty në sallën e hotelit. Instruksionet në aspektin tekniko-taktik kanë ndihmuar edhe më shumë futbollistët. Duke u bazuar te loja e Rudarit, do të ndërtohet edhe formacioni. Nga të dhënat paraprake, si në fushë, ashtu dhe jashtë saj, pritet që Hasan Lika t’i besojë kontingjentit me të cilin ka mbyllur sezonin, pjesa dërrmuese të paktën.

Porta pritet që të mbrohet nga Koliçi. Ky i fundit do ta nisë nga minuta e parë, sipas të gjitha gjasave, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohet Hallaçi me Micin nga krahët, ndërsa Shameti dhe Malota në qendër. Mesfusha do të përbëhet nga Musolli dhe Dema ose Muça, por deri tani është projektuar Dema, vijon me Kariokën dhe Dvornekoviç, ndërsa sulmi do t’i besohet dyshes Eminin dhe Lukas Rangel.

Trajneri Lika u kërkoi lojtarëve që të ishin mjaft të përqendruar sidomos në stërvitje, të punonin më shumë, pasi ky takim do përcaktojë fatin e kualifikimit. Por, skuadra dhe stafi i Kukësit e kanë marrë mjaft seriozisht këtë takim, duke ditur që fazën e parë vitin që shkoi Rudari eliminoi një skuadër me nivel mjaft të mirë si Karabak. Duke parë dhe lojtarët malazezë, skuadër e cila përbehet nga lojtarë mjaft cilësorë, çdo gjë është marrë më seriozisht ku ka pasur mjaft përqendrim.

S.Sulozeqi/panoramasport

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here