Kjo politikë e korruptuar si pjesa më e shëndoshë e shoqërisë!

0
201

ardian

 

Dr. Ardian Muhaj*

 

Ka kohë që në shoqërinë shqiptare është krijuar stigma e politikës dhe e politikanëve të korruptuar, e politikës që po e merr në qafë popullin, që vjedh e pasurohet në kurriz të popullit. Është krijuar një koncept sa i gabuar aq edhe i dëmshëm, që përpiqet të krijojë një këndveshtrim panoramik të shtrembëruar, në të cilin të këqinjtë janë gjithnjë politikanët, ndërsa të mirët janë gjithnjë jo-politikanët, domethënë populli i thjeshtë me gjithë elitat e tjera jashtë politikës aktive.

Me këtë prirje demonizuese që përqëndrohet vetëm tek klasa jonë politike, e cila për hir të së vërtetës është e korruptuar deri në palcë, dhe me prirjen ëngjëllzuese për të gjitha shtresat e tjera, duket se po i bëjmë një shërbim të keq ndërgjegjes sonë shoqërore. Kjo modë për të parë cdo gjë të keqe tek klasa politike e sotme nuk ndryshon në thelb nga prirja jonë e dikurshme për t’ia atribuar të gjitha arritjet dhe fitoret klasës së mëparshme politike.

Dyjëzimi i botës sonë në politikë e politikanë të korruptuar dhe popull e intelektualë të kulluar nuk është i drejtë. E vërteta është pak më e hidhur se sa duam ta paraqesim. Sepse sikur vetëm politikanët të ishin të korruptuar dhe të kishim një popull dhe inteligjencie të pastër, vërtetdashëse, të moralshme, politika e korruptuar jo vetëm që do t’i kishte ditët e numëruara por madje edhe minutat. Në këtë rast vërtitemi tek thënia e shpeshcituar se sic është populli është edhe qeverisja. Kjo nuk ka si bëhet më e saktë, vecse me një ndryshim të vockël por që bën ndryshimin e madh. Vërtet klasa politike është e korruptuar, por ama korruptimi i saj është më i arsyeshëm dhe i justifikuar se sa korruptimi i popullit dhe klasës intelektuale. Ndryshimi i vockël që bën ndryshimin e madh është se klasa politike është korruptuar për interes, por klasa intelektuale dhe klasat e tjera që përbëjnë masën e popullit korruptohen pa asnjë interes, thjesht për qejf, për ves. Është pikërisht kjo që në fund të fundit e në fillim të fillimit e bën klasën politike të korruptuar deri në palcë, shtresën më të moralshme të shoqërisë sonë.

E kemi tronditur e shkundullitur të vërtetën aq shumë sa që tashmë e duam më shumë rrenën se të vërtetën. Marrdhënia jonë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen është e prekur fund e krye nga virusi i gënjeshtrës. Që në klasat fillore, madje që në djep, i dëndim fëmijët tanë, të ardhmen tonë me gënjeshtra rreth historisë dhe të kaluarës. Cka është më e stërkeqja është se na pëlqen më shumë një rrenë e keqe se sa një e vërtetë e bukur. Nuk kemi as estetikë në zgjedhjen e gënjeshtrave. E kemi mbushur historinë që u tregojmë fëmijëve tanë me mite, jo me tonat, por me mitet e komshinjve, që logjikisht në shumicën e tyre janë mina kundër nesh dhe të kaluarës sonë. E kemi zgjedhur gënjeshtrën si mjet jo për ta lartësuar veten me patëdrejtë, por për ta poshtëruar.

Gënjejmë edhe kur e lëvdojmë Skënderbeun edhe kur e shajmë, gënjejmë edhe kur e shajmë Zogun edhe kur e lavdërojmë, gënjejmë edhe kur e shajmë Enverin edhe kur bëjmë sikur e shajmë. Të parin njëherë e lëvdojmë si atlet të kryqit pastaj e mbajmë si hero të kombit, të dytin e shajmë për satrap por super-mega satrapin që e pasoi e mbajmë për udhëheqës. Të tretin bëjmë sikur e shajmë por në fakt e lëvdojmë, e dimë për kriminel por nuk e dënojmë.

Populli i thjeshtë dhe klasa intelektuale kacafytet për inate të kota, ndërsa klasa politike bashkëpunon për interesa konkrete. Ne humbim kohën tonë dhe të tjerëve kotsëkoti për hicmosgjë kurse klasa politike e shfrytezon kohën e kombin për interes dhe fitim. Klasa intelektuale përpiqet të pastrojë llucën e klasave politike të së kaluarës, ndërsa klasa politike e sotme pastron gjëra konkrete, para për shembull.

Kjo klasë politike e korruptuar ia jep bjeshkët tona Malit të Zi dhe detin tonë Greqisë, për interesa madhore personale, ndërsa klasa intelektuale ia fal qytetet shqiptare fqinjëve për asnjë kacidhe, thjesht për servilizëm. Atë të cilin gjithë bota e njeh si Ali Pasha i Janinës, ne e bëjmë Ali Pashë Tepelena, Ulqinin e dimë si qytet në Mal të Zi dhe jo nën Mal të Zi, krejt shqiptarët nën Maqedoni i paraqesim si në Maqedoni ose edhe krejt si maqedonas. Redaktorët e gazetave, të televizioneve e radiove, as edhe një herë të vetme nuk harrojnë të na qartësojnë: shkrimtari nga Prishtina e Kosovës,  këngëtari gjakovar nga Kosova, ngjarja në Ferizaj të Kosovës.

* Instituti i Historise, QSA-Tiranë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here