Matura Shtetërore/ Aplikimi i maturantëve për në Universitet, kriteret që duhen. Ulet nota mesatare nga 6.5 në 6-të

0
301

download (3)

 

Këtë shtunë, më 4 qershor, për 45 mijë maturantë do të nisë procesi i Maturës Shtetërore, me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim

 

Sejrie Baleta

 

 

Ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë janë pritur me kontestime në radhë të rinjëve shqiptarë që duan të ndjekin ciklin e studimeve të larta në universitetet publike. Këtë vit ndryshe nga formula që është zbatuar në vitet e kaluara ka ndryshuar. Është nota mesatare ajo që do të jetë përcaktuese për pranimet në universitete këtë vit. Pak muaj më parë me dhënien e këtij informacioni Ministria e Arsimit kishte thënë që nota mesatare do të jetë 6.5. Ndërsa në vendimin e djeshëm të marrë nga Këshilli I Ministrave vendosën që nga 6.5 ta çonin  në 6 notën mesatare për pranimin e studentëve për ndjekjen e studimeve të larta.  Në vendim thuhete se kanë të  drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.  Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë).

 

Përllogaritja e notës mesatare

 

Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.  Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.

 

Si të  aplikojnë për në Universitet

 

Maturantët që nga muaji korrik do të përballen me sfidën e regjistrimit për në Universitet. Pas aplikimit do të nisë përzgjedhja dhe në shtatorë do të shpallen fituesit. Manuali i maturantit për vitin 2016 shpjegon mënyrën se si do veprojnë kandidatët për këtë vit akademik, ku fituesit në universitete do të shpallen në muajin gusht. Aplikimi do kryhet në portalin “matura shtetërore online” në bazë të një kalendari datash që do publikojë Ministria e Arsimit. Më pas do të plotësohet “Formulari i Aplikimit në IAL”, që zëvendëson formularin A2. Në çdo vend ku ka akses në internet ata mund të bëjnë aplikim ghithashtu duke u ndihmuar nga një përgjegjës I cili është ngarkuar nga Ministria e Arsimit që mund të jetë edhe mësues që u jep mësim nxënësve, por që ka njohuri dhe din ti orientojë maturantët gjatë procesit të aplikimit.
Mundësit për aplikim
Kandidatit i jepet mundësia që të zgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi nga lista e këtyre programeve që ofrohen nga IAL-të shtetërore dhe private për vitin akademik 2016-2017”, – thuhet në manualin e maturantit. Për ata maturantë që kanë mesataren më pak se 6 do të do të skualifikohen automatikisht nga sistemi. “Nëse maturanti aplikues e ka mesataren e futur në sistem nga sekretaritë mësimore të shkollave të mesme <6.0, atëherë ai mund të përzgjedhë vetëm programet e studimit dyvjeçare (profesionale) që ofrohen nga disa universitete shtetërore dhe private. Nëse mesatarja e aplikuesit është > = 6.0, ai mund të përzgjedhë të gjitha programet e studimit të ofruara, përveç atyre rasteve kur IAL-ja ka përcaktuar mesatare më të lartë pranimi si kriter hyrës për atë program studimi”, theksohet në manual.
Kuotat bosh
Për kuotat që do ngelen të paplotësuara do plotësohet formulari A1Z. “Aplikimi i formularit A1Z kryhet në fund të muajit gusht. Plotësimi i formularit të aplikimit për kuota të veçanta në IAL kryhet në mesin e muajit shtator. Për të qenë të sigurt që aplikimin e këtij formulari e bëjnë kandidatët që janë pjesëtarë të këtyre grupimeve, aplikimet bëhen në mjedise të autorizuar nga MAS, në prezencë të mbikëqyrësve të autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, thuhet në manualin e maturantit.

Regjistrimi
“Sekretaritë mësimore të IAL-ve kanë akses në portalin e maturës shtetërore online për regjistrimin paraprak online të fituesve të shpallur nga dekanatet e fakulteteve përkatëse. Nëse një aplikant gjatë procesit të regjistrimit online rezulton se nuk është i regjistruar më parë në një program tjetër studimi, sistemi informatik e pranon regjistrimin e tij paraprak. Në rast të kundërt, i jepet njoftim nga sistemi që është i regjistruar në një program tjetër dhe nëse dëshiron mund të çregjistrohet nga i mëparshmi për t’u regjistruar në programin e dytë ku është shpallur fitues”, përcaktohet në manualin e maturantit për vitin 2016.

 

 Më  4 qershor provimi i Gjuhës së Huaj me detyrim

 

Këtë shtunën, më 4 qershor, për 45 mijë maturantë do të nisë procesi i Maturës Shtetërore, me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim. Edhe këtë vit që Matura Shtetërore do të jetë një proces dalës për përfundimin e shkollës së mesme, maturantët do t’u nënshtrohen pesë provimeve, tri me detyrim dhe dy me zgjedhje. Testi i Gjuhës së Huaj me detyrim, e cila për maturantët do jetë në varësi se cilën kanë gjuhë të huaj të parë, pra anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht, do të ketë një nivel vështirësie B1. Në total testi do të ketë 25 pyetje, ndërsa totali i pikëve është 50. Edhe këtë vit, për maturantët që të konsiderohen kalues në provimet e maturës është i përcaktuar niveli dysheme i pikëve. Kështu, maturantët në provimet me detyrim, përfshi edhe gjuhën e huaj me detyrim duhet të marrin jo më pak se 10 pikë në secilin prej tri provimeve që të konsiderohen kalues.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here