Letër e hapur drejtuar deputetëve të Parlamentit Shqiptar për mbrojtjen e fëmijëve nga avokati Goxhaj

0
150

Nepermjet nje publikimi ne rrjetet sociale nga Avokati Altin Goxhaj, nje grup aktivistesh dhe avokate te tjere kerkojne nen kodin penal per mbrojtjen e femijeve si dhe ashpersimin e ligjit per ata qe denohen per krime ndaj femijeve.

Publikimi i Goxhajt eshte nje leter e hapur drejtuar deputeteve te Parlamentit Shqiptar, me poshte letra e plote:

 

KODI PENAL NUK KA ASNJË NEN PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE JETIMË!
INICIATIVË LIGJORE PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE JETIMË NËPËRMJET ASHPËRSIMIT TË DËNIMEVE PËR KRIMET NDAJ TYRE

 

Letër e hapur drejtuar deputetëve të Parlamentit Shqiptar!

Nga një grup avokatësh dhe qytetarësh aktivë

 

Të nderuar përfaqësues të popullit

Sot është 20 Maj, Dita Kombëtare e Jetimëve. Por sot është një ditë që i gjithë opinion publik është i lënduar dhe i revoltuar për përdhunimet, dhunimet, abuzimet e tmerrshme dhe mungesën e plotë të kujdesit të detyrueshëm ndaj të miturve jetimë në institucionet e kujdesit rezidencial apo ditor. Qëniet më të pambrojtura janë pre e abuzimeve të tmerrshme seksuale apo të dhunës fizike, të pambrojtur dhe në risk të plotë prej mungesën së mbikqyrjes së kujdestarisë sipas detyrimeve që përcakton ligji dhe morali.

Një shoqëri tregon së ç’është dhe nuk është bazuar te standardet dhe sjelljet ndaj të pambrojturve dhe në mënyrën më përcaktuese se si sillet me fëmijët jetimë.

Elementi më përbashkues i të gjithë besimeve që praktikohen në Shqipëri është inspirimi i shoqërisë për t’u kujdesur për fëmijët jetimë.

Shteti ka një bazë ligjore të gjerë dhe të shumanshme rregullatore për përkujdesjen dhe mbrojtjen e të miturve jetimë dhe sidomos për ata që janë nën kujdestarinë e drejtpërdrejtë të shtetit.

Por shteti dhe ligjvënësit e tij kur hartuan ligjet dhe masat mbrojtëse për të miturit jetimë në mënyrë të pafalshme kanë harruar një detaj shumë të rëndësishëm:

 

NË KODIN PENAL NUK KA ASNJË NEN QË TË IDENTIFIKOJË RËNDIMIN E AUTORIT TË VEPRËS PENALE NDAJ TË MITURVE JETIMË!

 

Fëmijët jetimë përcaktohen si çdo fëmijë tjetër por ne e dimë të gjithë që jetimët pa familje kujdestare janë teknikisht kategoria e viktimave më delikate, më vunerabël, më e pambrojtur dhe më pak e rehabilitueshme shpirtërisht në rast se i nënshtrohen vuajtjeve dhe abuzimeve nga autorët e veprave penale ndaj të miturve dhe sidomos kur autorët janë kujdestarët apo pjesë e sistemit të kujdestarisë.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të qartë nuk thotë absolutisht asgjë për ta si kategori që përcakton rëndimin e penaliteteve ndaj autorit apo autorëve të veprës penale të kryer ndaj tyre. Sot më shumë se kurrë jemi të gjithë fajtorë për këtë neglizhencë me mosreagimin dhe mosveprimin tonë në kohë por në radhë të parë përgjegjësia bie mbi ligjvënësit e 25 vjetëveparlament pluralist të cilët e kanë pasur dhe e kanë për detyrë dhe përgjegjësi funksionale.

Ndaj dhe sot, ne, një grup avokatësh dhe qytetarësh aktivë, ju drejtohemi juve online, përfaqësuesve të popullit që të iniconi urgjentisht një iniciativë ligjore për rishikimin me procedurë të përshpejtuar të të gjithë përcaktimeve mbi rrethanat rënduese për dënimet ndaj autorëve të veprave penale apo kundravajtjeve penale ndaj të miturve jetimë (fëmijët nën kujdestarinë e institucioneve apo ata që nuk gëzojnë kujdesin e familjes). Po ashtu të konsiderohet rrethanë rënduese akoma dhe më e madhe kur autori apo autorët e veprave penale apo kundravajtjeve penale ndaj të miturve jetimë janë ata që i kanë nën kujdestari apo janë pjesë e sistemit të kujdestarisë.

Vetëm kështu do të mund të korigjojmë, sado vonë, këtë moskujdesje që kemi treguar për mos identifikimin e fëmijëve jetimë si kategori specifike e pambrojtur që meriton një kujdes dhe mbrojtje edhe më të madhe se të gjithë fëmijët e tjerë për hir të vet specifikës që ajo ka.

Këtë e keni bërë në Kodin Penal për gratë dhe komunitetin LGBT! Bëheni edhe për fëmijët jetimë se këta janë edhe më të pambrojtur nga të gjithë!

Për këtë arsye ne kërkojmë nga disa prej jush që të marrin përsipër këtë iniciativë ligjore në përputhje me proçedurat parlamentare dhe në ndihmë të kësaj iniciative ju kërkojmë që të na jepni mundësinë sa më shpejtë të një séance dëgjimore për ne dhe gjithë grupet e interesuara për këtë çështje që të ofrojmë propozimet dhe shpjegimet tona teknike juridike dhe sociologjike.

Do të ishte në nderin tuaj që në një situatë të tillë sensibiliteti publik mbi ngjarjet e tmerrshme që janë konstatuar dhe po konstatohen çdo ditë që kjo iniciativë të ndërmerret sa më shpejt.

Përtej shprehjes së solidaritetit me viktimat e mitura dhe dënimit të akteve të ndodhura kjo iniciativë do të ishte edhe një veprim real konkret i ligjvënësve për të korigjuar një gabim të së shkuarës, dhe për të parandaluar dhe reduktuar çdo abuzim dhe dhunim në të ardhmen ndaj të miturve jetimë.

Me respekt

Një grup avokatësh dhe qytetarësh aktivë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here