Si të kujdesemi për dhimbjet e shkaktuara nga hernia diskale

0
203

Dhimbja e mesit është një fenomen shumë i shpeshtë tek njeriu. Nga statistikat llogaritet që 80 për qind e njerëzve kanë një eksperiencë dhimbje je mesi në jetën e tyre. Një pjesë e mirë e këtyre dhimbjeve, (jo në të gjitha rastet), këto dhimbje shkaktohen nga sëmundja e hernies diskale.

 

Çfarë është hernia diskale?

 

Hernia diskale është një hernim ose (e thënë në gjuhë më të thjeshtë) një dalje e diskut. Disqet janë disa kërce që ndodhen midis vertebrave, rruazave të kurrizit, të cilat lejojnë lëvizshmërinë , përkulshmërinë e shtyllës kurrizore. Të gjithë e dimë që shtylla kurrizore nuk është një trup i ngurtë. Hernia diskale ka të bëjë me çarjen e kores së diskut dhe me daljen e përmbajtjes. Në varësi të vendit ku del, mund të japë dhimbje që janë pasojë e shtypjes së nervave, paralizë dhe është ajo që në popull njihet me termin nervi shiatik. Nervi shiatik ka të bëjë me ato raste kur kjo dalje ndodh në pjesën e belit. Këtu dalin rrënjët e nervave që formojnë nervin shiatik. Nervi shiatik është një pjesë e hernies në përgjithësi. Hernia diskale mund të ndodhë nga qafa deri në pjesën sakrale ose në pjesën e bishtit (apo kërbishtes, siç njihet).

Çfarë e shkakton hernien diskale?

 

Shkaktarët e hernies diskale janë të ndryshëm. Prandaj dhe hernien diskale e gjejmë në mosha, profesione dhe sekse të ndryshme. Shkaktarët më të mëdhenj janë aktivitetet fizike. Kryesisht aktivitetet e pakontrolluara fizike. Pra, kemi njerëz që punojnë në punë të rënda fizike, janë hamej, megjithatë nuk u ndodh hernia diskale. Nga ana tjetër, kemi njerëz që rrinë në zyra dhe vetëm nga një lëvizje e pakontrolluar e tavolinës apo e një mobiljeje pësojnë hernie diskale. Pra, ka shumë rëndësi mënyra sesi kryhet ky aktivitet fizik. Kemi edhe njerëz që paraqiten dhe nuk mbajnë mend ndonjë shkak fizik që ata kanë bërë ditët e fundit dhe megjithatë zbulohet se kanë hernie diskale. Gjithsesi, baza mund të quhet një traumë fizike.

Cilat janë simptomat?

 

Simptomat janë në varësi të vendit ku ndodh hernia diskale. Njerëzit zakonisht kur dëgjojnë fjalën “hernie”, nënkuptojnë vetëm dhimbjen e belit dhe të nervit shiatik. Por hernia, siç e theksova më lart, mund të ndodhë edhe në qafë, edhe në pjesën e gjoksit (më pak). Gjithsesi, më shumë ndodh në pjesën e fundit të belit ose në ato vende ku formohet nervi shiatik. Në varësi të vendit ku kemi hernien, kemi edhe simptomat. Nëse do të kemi hernie diskale në qafë, do të kemi dhimbje të qafës, dhimbje të njërit krah apo të dy krahëve. Kur hernia është e madhe, mund të kemi edhe paralizë të duarve dhe të këmbëve. Ajo që ndodh më shpesh, është dhimbja e belit dhe shoqërohet kryesisht me dhimbjen e njërës këmbë. Këto janë simptomat më klasike që gjenden më shpesh. Kemi simptoma nga më të rëndat deri tek më të lehtat. Simptomat më të rënda janë kur hernia është e madhe dhe shtyp të gjitha nervat dhe e shkakton atë shtypjen në formë paralize. Prishen të gjitha reflekset dhe me këtë rast kemi edhe një lloj paralize në pjesën nga vendi i daljes së hernies deri në pjesën e poshtme. Ajo që është më e rrallë, quhet sindromi kauda. Ajo që është më e shpeshtë, është kur ngacmohet nervi dhe jep dhimbje të belit. Dhimbja e bën personin që të mbajë një pozicion të caktuar, pra, ecën shtrembër. Dhimbja rëndohet nga lëvizjet, pozicionet e ndryshme, gjithsesi kur shtrihen në krevat, gjejnë një pozicion të caktuar, qoftë edhe të shtrembër, por zënë rehat. Është një dhimbje që nis te pjesa e belit, përhapet në pjesën e pasme të vitheve, në pjesën e pasme të kofshës, në pjesën e pasme të pulpës dhe shkon në gishtat e këmbës. Në varësi të rrënjës së nervit që është e shtypur dhe dëmtuar, mund të kemi përhapje të dhimbjes në gishtin e madh ose në gishtat e tjerë.

 

Cilat janë komplikacionet?

 

Komplikacionet i kemi nga më të rëndat, që nënkupton paralizën që në disa raste është edhe e pakorrigjueshme, deri tek të lehtat, që nënkuptojnë dhimbjet që kalojnë në një periudhë 10-ditore apo 2-javore.

 

Kur është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale?

Dhimbja e mesit është një fenomen shumë i shpeshtë tek njeriu. Nga statistikat llogaritet që 80% e njerëzve kanë një eksperiencë dhimbje mesi në jetën e tyre. Jo të gjithë kanë hernie diskale, por dhimbja e mesit dhe përhapja në trajektoren e nervit shiatik është shumë e shpeshtë dhe natyrisht jo të gjithë bëhen operacion. Kryesisht, kriteret për operacion janë të ndryshme dhe kanë evoluar në kohë. Kanë evoluar në daljen e ekzaminimeve të rëndësishme, siç janë skaneri dhe rezonanca. Por ato që janë kritere absolute për operacion, janë ato raste që shkaktojnë paralizë. Ato duhen bërë sa më shpejt, sepse nëse ndodh paraliza, është shumë e vështirë për t’u rikthyer.

 

Grupmoshat më të rrezikuara

Hernia diskale ndodh në moshat e mesme. Nga mosha 25 deri në moshën 55 vjeç. Hernia mund të ndodhë edhe më përpara moshës 25 vjeç, edhe pas moshës 55. Por, është më e shpeshtë gjatë kësaj periudhe, pra 25-55 vjeç, pasi në këtë periudhë aktiviteti fizik i njeriut është më i zhvilluar.

Në moshat e reja nuk ndodh, sepse shtylla kurrizore është elastike dhe nuk ka ngarkesë. Në moshat e vjetra nuk ndodh, sepse nuk kemi disk.

 

Ecja e shumtë është e gabuar si teori shërimi

 

Njerëzit nuk duhet të ecin shumë për t’u shëruar nga hernia diskale. Gabimi që bëjnë njerëzit është se kujtohen për sëmundjen atëherë kur ajo ndodh. Gjithashtu i marrin këshillat nga të sëmurë që e kanë kaluar më përpara këtë sëmundje, dhe kështu bëjnë gabime. Sapo ndodh dhimbja, shtojnë aktiviteti fizik, nisin notin sepse noti është sporti më i mirë për hernien diskale. Jo. Kjo nuk është e vërtetë. Kur ndodh dhimbja, duhet të zhvillosh një aktivitet të kufizuar fizik, aq sa të lejon dhimbja. Aktiviteti fizik nuk është trajtues, është parandalues. Ne duhet të kujtohemi që të bëjmë aktivitet fizik kur nuk kemi dhimbje. Noti është aktiviteti më i mirë në rastet kur nuk ka dhimbje. Aktiviteti fizik forcon muskulaturën, forcon ligamentet, mban trupin në formë, ruan mbipeshën që të parandalojnë hernien diskale. Por në momentin që ka ndodhur hernia diskale, ne duhet të presim që të qetësohen dhimbjet.

 

Efektet e masazhit në shërimin e hernies

Masazhi nuk është se ka ndonjë efekt special tek hernia diskale, kjo sepse hernia diskale ndodh në shtyllën kurrizore, e cila është thellë. Masazhi relakson muskujt dhe jep një ndjesi të mirë njeriut.

 

Roli i fizioterapistit

 

Fizioterapsiti duhet të ketë para së gjithash rolin e edukimit të pacientit, për mënyrën e qëndrimit, për mënyrën e fjetjes, për mënyrën e qëndrimit të karrige në zyrë apo në punë. E dyta duhet të bëjë edukimin e forcimit të muskujve, të cilët do të shërbejnë si mbrojtës për të parandaluar. Sot ka dhe metoda fizoterapeutike që bëjnë tërheqje të shtyllës kurrizore në mënyrë që tek ato hernie që janë në fazën e parë, mund të ndodhë që të tërhiqet dhe të futet brenda. Lidhur me pyetjen nëse e shëron fizioterapia hernien, doktori sqaron se koncepti i shërimit të hernies është pak i ndryshëm nga ai që mendojnë dhe besojnë njerëzit me atë që ndodh në mjekësi. Mund të bëhet shërimi i dhimbjes, por jo shërimi i hernies. Njeriu nuk ka dhimbje, por hernia është aty. Nomalisht që ka mjekësi popullore, ka mjekësi shkencore, ka fizioterapistë që merren me këtë gjë.

 

A mund të shërohet përfundimisht hernia diskale

 

Po, hernia diskale mund të shërohet përfundimisht. Nuk është sëmundje e pashërueshme. Problemi është se shtylla kurrizore e njeriut është ndërtuar në mënyrë të tillë që njeriu do të ketë probleme me kalimin e moshës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here